Çfarë problemesh fsheh testimi ekstern?

Testimi ekstern, pyetjet e të cilit Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), i publikoi në ueb faqe, si duket janë të stërmbushura me gabime. Nga MASH bën të ditur se mbi 3000 pyetje janë cilësuar se kanë gabime, të cilat u paraqitën nga vet mësimdhënësit e nxënësit.

“Kishte mjaft që ishin ankuar dhe komisioni i përbërë nga persona profesional në këtë fushë i shqyrtuan dhe konstatuan se në mbi 3000 pyetje ka gabime. Ato do të mënjanohen dhe do të përmirësohen”, tha për Portalb, Goran Galevski, zëdhënës i MASH-it.

Nga ana tjetër kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve të Kumanovës (LASH), Etem Xheladini për Portalb thotë se ai numri i paraqitur i gabimeve duhet të shumëzohet për dhjetë.

“S’ka pyetje qe nuk ka gabim. Numrin e gabimeve që ka paraqitur MASH duhet të shumëzohet për dhjetë dhe aq ka gabime, të cilat ky institucion as që i merr parasysh. Shumica e tyre janë po ashtu të pa logjikshme dhe nuk ma merr menja që i ndryshojnë,edhe radhëve të tjera kemi paraqitur gabime por ato nuk janë përmirësuar. Ky është një projekt qeveritar për larje parash”, tha Xheladini.

Ai po ashtu shtoi se ky testim është projekt i dështuar dhe se po realizohet për të shpërqendruar mësimdhënësit nga problemet kryesore, si që janë paga dhe kushtet.

“Kjo është taktikë e MASH-it, qe t’i frikëson mësimdhënësit me testimin që ata të harrojnë se për çfarë page punojnë dhe në çfarë kushtesh zhvillohet mësimi. Në këtë mënyrë mësimdhënësit do të jenë të zënë duke i ushtruar nxënësit dhe do të heqin prej mendjes kërkesat e tyre për rritje page, sepse frikësohen se edhe ajo pagë e vogël që iu jepet, mund të ulet shkaku i dënimit nga ky testim”, shtoi Xheladini.

Për profesorin Bedri Gjureci më brengosës është fakti që përveç pyetjeve me gabime, nxënësit shqiptarë të Velesit dhe Manastirit, të cilët më shumë se gjysmën e lëndëve e kanë në gjuhën maqedonase, testimit do t’i nënshtrohen në gjuhën shqipe.

“Është shumë problematik fakti që nxënësit shqiptarë në Veles dhe në Manastir mësojnë shumë lëndë në gjuhën maqedonase dhe në fund ata testohen në gjuhë shqipe. Ose duhet të testohen në atë gjuhë që është mësuar lënda ose të gjejnë profesor e arsimtarë shqiptar. Sepse përveç gabimeve ata ballafaqohen edhe me problemin e gjuhës dhe të shprehjes. Normal që rezultati i tyre do të jetë më i dobët”, tha për Portalb, Gjureci.

Ndërkaq me 2  dhe 10 qershor 189.037 nxënës nga klasa e katërt fillore dhe deri në vitin e tretë të shkollës së mesme, do t’i nënshtrohen testimit ekstern.  /Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button