Xheladini: Testimi ekstern vetëm formalitet dhe harxhim parash

Nxënësit e vitit të tretë dhe të katërt në Kumanovë kanë hasur në vështirësi të ndryshme gjatë realizimit të testimit ekstern.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë në Kumanovë, Etem Xheladini thekson se testimi ekstern është vetëm një formalitet dhe asgjë më shumë.

“Testimi ekstern është vetëm një formalitet. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), u tha se nuk do të ketë hapësira për ankesa pasi që ka pasur afat për parashtrimin e tyre, por çfarë të bëjmë me problemet që po ndodhin drejtë për së drejti?”, tha Xheladini për Portalb.

Ai shtoi se më mirë do të ishte të investohen në ndonjë shkollë sesa të harxhohen mjete financiare në një testim të panevojshëm.

“E kam cekur edhe më herët, po e them edhe tani. Testimi ekstern nuk është i nevojshëm, më mirë do të ishte që ato të holla të përdoren për përmirësimin e kushteve në ndonjë shkollë shqipe, të cilat janë me bollëk, dhe kanë probleme të shumta sanitare”, tha Xheladini.

Sipas tij është ngarkesë shumë e madhe për nxënësit e vitit të katër duke pasur parasysh se ata do t’i nënshtrohen edhe provimit të maturës shtetërore.

“Është lodhje psikike dhe ngarkesë shumë e madhe sidomos për nxënësit e vitit të katërt të cilët po ashtu do të hynë edhe në testimin e maturës shtetërore. Kjo është thjeshtë humbje kohe”, tha ai.

Ndërkaq nxënësit e shkollës së mesme Pero Nakov në Kumanovë kanë bojkotuar testimin pasi që disa prej tyre kanë hasur lëshime në testin e gjuhës së huaj gjegjësisht janë bërë gabime. Nëse nxënësi ka mësuar gjuhën frënge, në test i janë vënë pyetje të gjuhës angleze. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button