Dardhishta: Testimi ekstern ka gjasa të ketë manipulime të shumta

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), në Maqedoni, Nuhi Dardhishta bëri të ditur se do të bëjë kërkesë që testimi ekstern të mos shndërrohet në intern.

“Ky lloj i testimit i cili tani më një kohë ka filluar të praktikohet në shkollat fillore dhe të mesme, quhet ekstern por komisioni për këtë testim është i brendshëm, që do të thotë se në një farë mënyre është intern”, tha për Portalb, Dardhishta.

Sipas tij komisioni përbëhet nga drejtori pedagogu dhe dy arsimtarë për fillore dhe në shkollat e mesme dy profesor.

“E quaj këtë testim intern shkaku që komisioni përbëhet nga vetë drejtori, pedagogu, dy arsimtarë ose dy profesorë të asaj shkolle. Nuk kam asgjë kundër këtyre titujve të jenë në komision, por do ishte më e drejtë që secila shkollë të mos kishte komision vetë anëtarët e shkollës”, tha Dardhishta.

Ai tha se do të propozojë që këta të lartpërmendurit të jenë anëtarë të komisioneve në shkollat tjera e jo aty ku edhe japin mësim, apo ku janë të punësuar.

“Mund të bëhen manipulime të shumta kur komisioni është i brendshëm, andaj sugjeroj që ata që zgjedhën si anëtarë të komisionit, të bëjnë punën e tyre jashtë shkollave në të cilat ata japin mësim”, shtoi Dardhishta.

Ai pohoi se ashtu testimi do të ishte me real dhe më mirë do vlerësoheshin nxënësit, si dhe puna e mësimdhënësit. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button