Marrëveshja mes MASH dhe SASHK nxit revoltë!

Mësimdhënësit nuk janë aspak të kënaqur me marrëveshjen që u arrit mes SASHK-ut dhe MASH-it një ditë para protestës së paralajmëruar në të gjitha komunat ku ata mbanin greva, mëson Portalb.

Ata madje shprehin revolt dhe ndjehen të tradhtuar nga Sindikata, duke thënë që kjo marrëveshje nuk është e qartë dhe se nuk u arrit asgjë dhe se grevat në këtë rasti ishin të kota.

Përfaqësuesi i SASHK-ut në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, Ruzhdi Ibrahimi bën të ditur për Portalb, se procesi mësimor ka filluar mirëpo që askush nuk është i kënaqur me marrëveshjen mes MASH-it dhe SASHK-ut.

“Në shkollën tonë mësimi ka filluar dhe greva është ndërprerë, mirëpo askush nuk është i kënaqur nga ajo që thuhet se u arrit pas bisedimeve të SASHK-ut dhe MASH-it. Ne do të presim dhe nëse nuk shkojnë punët ashtu siç premtoi vetë ministri, atëherë sërish do të kërkojmë plotësimin e kërkesave tona në mënyra të cilat janë të lejuara me ligj, siç është greva, protesta etj”, tha Ibrahimi.

Pakënaqësi e madhe mbizotëron edhe në Tetovë, ku mësimdhënësi i shkollës fillore “Istikball”, Imerja Ademi thotë se asgjë nuk merret vesh, se bisedimet u kryen në mënyrë të fshehur dhe mësimdhënësit nuk e kanë idenë se çka mund të fshihet pas tyre.

“Nuk jemi të kënaqur aspak, në emër të kolektivit flas dhe them se nuk dimë asgjë, a ka pasur bisedime të fshehta, a është marrëveshje politike, a është ndonjë kurth, ne nuk e dimë. Nga kërkesat tona, ato dy më kryesoret nuk u plotësuan, që do të thotë që nuk u arrit asgjë. Heqja e dënimeve për testimin ekstern u prolongua, rritja e pagave do të bisedohet më tutje, nuk e di se për çka ishim në grevë. Pse një ditë para protestës në mënyrë kaq të shpejtë u arrit kjo marrëveshje? Ka shumë pikëpyetje në këtë punë. Është herët të flitet mirëpo nëse kërkesat tona nuk realizohen atëherë do të protestojmë ne vetë dhe do të tërhiqemi nga SASHK-u nëse nuk reagon, sepse ashtu tregon se nuk i mbron interesat tona”, tha për Portalb, Ademi.

Në komunën e Strugës, SASHK-u ka filluar me të madhe të humbasë anëtarët, të cilët po ashtu shprehën revolt ndaj asaj se çka u arrit nga greva.

“Kolegët janë shumë të revoltuar, mirëpo mësimi duhej të fillonte dhe ai filloi. Unë bisedova me mësimdhënësit dhe ka reagime të shumta, sidomos nga ata që janë anëtarë të SASHK-ut. Mund të them se edhe një pjesë shumë e madhe e tyre kanë filluar të tërhiqen nga Sindikata”, tha për Portalb, drejtori i gjimnazit të Strugës “Ibrahim Temo”, Xheladin Muça.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), në komunën e Likovës dhe Kumanovës, Samet Jahiji po ashtu shprehet se askush në këto dy komuna nuk është i kënaqur me arritjet e SASHK-ut.

“Ne ishim kundër ndërprerjes së grevës, do ta mbanim atë deri sa të plotësohen kërkesat, mirëpo edhe këtë radhë SASHK-u lëshoj pe. U premtua që në mars do bisedohet dhe do të plotësohen kërkesat mirëpo në jemi shumë pesimist në këtë aspekt, sepse nuk është hera e parë që dikush premton diçka të cilën nuk e ka fare në plan ta zbatojë. Edhe në komunat tona është vërejtur tërheqje e madhe e anëtarëve nga SASHK-u pasi që sipas mësimdhënësve kjo sindikatë dështoi në realizimin e kërkesave të tyre”, tha për Portalb Jahiji.

Ndërkaq rishikimi i rrogave të mësimdhënësve, lehtësimi i punës administrative, përkatësisht heqja e ditarit tradicional nga përdorimi dhe ngrirja e gjobave për mësuesit si rezultat i suksesit të dobët nga testimi i vjetshëm ekstern janë arsyeja e ndërprerjes së grevës 11 ditore nga ana e SASHK-ut.

Lajme të ngjashme

Back to top button