Nedellkov: Ja pse u ndërpre greva në arsim

Rishikimi i rrogave të mësimdhënësve, lehtësimi i punës administrative, përkatësisht heqja e ditarit tradicional nga përdorimi dhe ngrirja e gjobave për mësuesit si rezultat i suksesit të dobët nga testimi i vjetshëm ekstern janë arsyeja e ndërprerjes së grevës 11 ditore të mësuesve sindikalist. Kryetari i  Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës Jakim Nedellkov thotë se është herët të flitet se sa përqind do të rriten rrogat e mësimdhënësve, por premton se pas një rishikimi nga ana e Ministrisë së Financave nën mbikëqyrjen e tyre, rrogat e mësuesve do të barazohen me ato të sektorëve të tjerë publik, transmeton Alsat-M.

“Sa i përket rritjes së rrogave të mësuesve që është një çështje e rëndësishme për ne, jemi marrë vesh që gjatë periudhës së ardhshme MASH-i, SASHK-u dhe Ministria e Financave në mënyrë reale do të analizojmë rrogat në arsim duke i krahasuar ato me rrogat tjera të veprimtarisë nëpër sektorët publik d.m.th do të kërkojmë pasi jemi të bindur se rrogat tona janë më të ulëta për dallim nga sektorët tjerë publik, jemi të bindur në mundësin që të bëhet një korrigjim dhe rrogat tona të lëvizin përpjetë dhe të kemi një rrogë reale sikur të gjithë të tjerët në sektorin publik”, deklaroi Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut

Ndedellkov gjithashtu tha se MASH-i do të respektojë Marrëveshjen Kolektive dhe për 11 ditët grevë, mësuesve do t’u lëshojë rrogë ashtu edhe siç parasheh ligji për Arsim Fillor dhe të Mesëm.

“Zgjidhja është e tillë dhe ne në bazë të ligjit e kishim patjetër të gjejmë një zgjidhje ‘solomone’ ku gjobat dhe shpërblimet të dala nga testimi ekstern të prolongohen që d.m.th se nuk do të ketë gjoba dhe shpërblime për kolegët tanë që ishin në listat publike deri atëherë kur MASH-i dhe SASHK-u nuk merren vesh për modelin e ri të testimit ekstern dhe mënyrës së re të vlerësimit të mësuesve”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

Lajme të ngjashme

Back to top button