BDI: Shkarkimi i Ismailit nga presidenti jo-legjitim, duhet të dënohet

Në lidhje me rastin e shkarkimit të zv.drejtorit të Agjencisë së Zbulimit, Muhamet Ismaili ka reaguar partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim me anë të një deklarate të cilën mund ta lexoni më poshtë:

“Vendimi për shkarkimin e zv.drejtorit të Agjencisë së Zbulimit Muhamet Ismailit, është në vazhdën e sjelljeve joparimore të Presidentit jolegjitim Gjorge Ivanov, në raport me përfaqësimin dhe pozicionet e shqiptarëve në institucionet që janë nën kompetencën e tij.

Për Bashkimin Demokratik për Integrim, ky vendim ashtu si dhe vendimi për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, muaj më parë, reflektojnë krizën e legjitimitetit të presidentit Ivanov.

Është më se e qartë se shkarkimi i z. Ismaili është bërë kryekëput për motive politike dhe aspak për arsye profesionale, ndaj dhe akti i tillë meriton të dënohet.

Bashkimi Demokratik për Integrim, që vazhdon të konsiderojë presidentin aktual si president jolegjitim për shqiptarët, vlerëson se institucioni i Presidentit nuk mund të shërbejë si mjet për qërim hesapesh me asnjë forcë politike shqiptare dhe aq me pak me partinë që gëzon legjitimitetin dhe besimin e shumicës së shqiptarëve, Bashkimin Demokratik për Integrim.

Aq më pak i lejohet Presidentit të Shtetit të jetë pjesë e lojërave politike me partinë humbëse te shqiptarët, duke i bërë asaj favore si në rastin e emërimit të znj. Flora Kadriu në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në kuadër të pazareve politike me këtë parti që vazhdojnë ende që nga zgjedhjet presidenciale.

Kjo sjellje e presidentit Ivanov forcon edhe më argumentet e Bashkimit Demokratik për Integrim se Presidenti i Shtetit duhet të zgjidhet në mënyrë konsensuale nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Maqedoni.” thuhet në kumtesën e BDI-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button