Maqedoni, veprime diktatoriale në arsim!!

Mësimdhënësit të cilët bojkotojnë mësimin janë duke u ballafaquar me presione të ndryshme që po ju bëhen nga jashtë dhe brenda. Portalb mëson se në disa shkolla të Shkupit madje drejtorët kanë marrë lirinë edhe të përzënë nga zyra e arsimtarëve mësimdhënësit të cilët bojkotojnë mësimin. Mësimdhënësit nuk deshën të pronocohen në publik por tregojnë që presioni është tejet i fortë nga partitë në pushtet që nuk iu konvenon kjo situatë dhe duan me çdo kusht ta heshtin grevën.

Ish Ministri i Arsimit, Sulejman Rushiti vlerëson se mënyra e tillë e sjelljes ndaj mësimdhënësve dëshmon edhe njëherë arrogancën e këtij shteti ndaj mendimit të lirë.

“E drejta për protestë është një nga të drejtat universale të njeriut. Mënyra e tillë e sjelljes  ndaj mësimdhënësve dëshmon edhe njëherë arrogancën e këtij shteti ndaj mendimit të lirë. Si mund të pretendohet se e gjitha bëhet për ngritjen e cilësisë së arsimit kur me veprime diktatoriale  zhbën dinjitetin e mësimdhënësve. Ua kujtoj pushtetarëve se ata kanë mundësi të gjejnë zëvendësim për arsimtarët por nuk do kenë votues për zëvendësim”, tha për Portalb, Rushiti.

Ish zëvendës drejtori në Byronë për zhvillimin e arsimit, profesori Zeqir Kadriu, thotë se grevistët në rastin konkret janë duke  luftuar për të drejtat e tyre për të cilat SASHK,që më parë ka kërkuar bashkëbisedim për një marrëveshje paraprake.

“Greva masive e punonjësve të arsimit është një e drejtë e pakontestueshme që duhet respektuar! Grevistët në rastin konkret janë duke  luftuar për të drejtat e tyre për të cilat SASHK-u,që më parë ka kërkuar bashkëbisedim për një marrëveshje paraprake. Kam bindjen se punonjësit e arsimit janë shtresa më e nënçmuar nga aspekti financiar , e që nuk po përfillen nga pushteti, gjë e cila duhet të vret ndërgjegjen e çdo qytetari që e nënkupton rëndësinë e tyre”, tha për Portalb, Kadriu.

Ai shtoi se greva në rastin konkret, shpreh një formë të pakënaqësisë dhe tërheq vëmendjen  e shtresave për një gjendje që duhet ndryshuar.

“Sa është në gjendje ta kuptojë këtë çështje Qeveria,(MASH) dhe sa mund në situatën konkrete të ndihmojë është çështje që duhet ta bisedojnë palët. Organizatorët e grevës si duket janë të vendosur që të shkojnë gjer në fund për plotësimin e kërkesave të tyre. Mënyra se si veprojnë drejtorët e shkollave, dhe  presionet e vazhdueshme nga qarqe të ndryshme, është mënyra më e pa civilizuar në një shoqëri demokratike. Sipas meje edhe drejtorët e shkollave janë pjesë e kolektiveve me të njëjtin status të diskriminimit, ndaj edhe nuk do të duhej që të jenë pre e urdhërdhënësve të tyre për qëllime, thjesht politike. Realiteti është i dhimbshëm në arsim ,prandaj,as drejtorët e shkollave nuk është mirë që të bëjnë presion kolegëve të tyre edhe t’i nxjerrin nga sallat e grevës e të njëjtët t,i zëvendësojnë me kolegë tjerë nevojtarë”, shtoi Kadriu.

Ndërkaq edhe përkundër presioneve greva vazhdon në shumicën e shkollave të Maqedonisë, dhe mësohet se vetëm ka filluar të bëhet zëvendësimi i mësimdhënësve grevist gjë që shton frikën tek mësimdhënësit për humbjen e vendit të punës. /Portalb

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Eshte e drejte e gjithesecilit te komentoje te drejten e arsimtareve per greve. Nje gje nuk kuptoj.., ne vecanti komentin e ish Ministrit per arsim, Sulejman Rushitin, i cili derisa e mbante postin ne fjale, nuk beri asnje punesim ne Byrone per zhvillimin e arsimit.., ai njekohesisht beri perpjekje edhe ta mbyll nje njesi te saj ku pjesa dermuese e te punesuarve ishin shqiptare. Do i parashtroj nje pyetje Sulejmanit: Ti zoterote, derisa ti ishe Minister, a mos valle ky shtet (nuk) ishte arrogant.., po ky shtet te mundesoi qe opingat ti zevendesosh me kepuce.., mire do ishte qe ta mbyllesh gojen.

Back to top button