Ku janë paratë e shtesave për fëmijën e tretë?

Prindërit ankohen se gjatë vitit 2014, Ministria për Punë dhe Politikë sociale nuk u ka paguar atyre shtesat për fëmijën e tretë. Ata thonë se që nga janari e deri në korrik e disa madje edhe deri në shtator, nuk kanë marrë asnjë denarë nga kjo Ministri.

Kadri Limani, prind i tre fëmijëve bën të ditur për Portalb se gjatë vitit që lamë pas vetëm tre muaj ka marrë shtesat për fëmijën e tretë.

“Kjo gjendje është e mjerueshme, vetëm për shtatorin, tetorin dhe nëntorin kemi marrë të holla. Tani duhet të na japin dhjetorin por nuk e di se a do na japin a jo. Nga janari e deri në tetor ne nuk kemi marr asnjë denarë”, tha Limani për Portalb.

Ai shtoi se tani borxhi është mbi 70 mijë denarë, të cilat i takojnë atij me ligj.

“Ligji është miratuar, neve me ligj na takojnë ato të holla se plotësojmë kushtet. Por ja që borxhi i ministrisë ndaj familjes time është mbi 70 mijë denarë. Se a do të na paguhen ata muaj që i kanë kaluar nuk e dimë. Kjo që po ndodh është e tmerrshme, edhe pse nuk janë shumë rreth 8 mijë e 400 denarë në muaj, sado pak ato zbusin harxhimet tona mujore”, tha Limani.

Po ashtu edhe Avdulla Sherifi nuk ka marrë shtesat për fëmijën e tretë, ndryshe nga Limani, ai ka filluar t’i merr paratë që nga muaji gusht.

“Është e vërtetë që ka vonesa me këto pagesa. Unë deri në qershor skam marr, pagesën e korrikut e kam marr në gusht dhe kështu me radhë. Mirëpo nuk kemi njohuri se a do të na paguajnë. Ishim në komunën e Çairit për tu ankuar, sepse unë së bashku me 15 shokët e mijë që jetojmë në lagjen e Dizhonit, nuk kemi marrë këto shtesa. Nga komuna na thonë që nuk ka të holla. Nuk e di se çka do të ndodh me ato para. Janë mbledhur shumë, ne jemi pa punë. Unë jam vetë i pesti me familje dhe jam mbushur borxhe. Me ato të holla shtynim muajin. Kjo është vjedhje”, tha Sherifi për Portalb.

Nga Komuna e Çairit, Rami Qerimi sqaron për qytetarët se kjo komunë nuk ka kompetenca për këto pagesa.

“Ne si komunë iu kemi leshur zyre Ministrisë përkatëse që banorët të mos kenë nevojë të maltretohen por të drejtohen këtu tek ne pasi e kanë më afër. Komuna nuk ka asnjë kompetencë mbi këtë, Ministria e punës dhe politikës sociale është përgjegjëse dhe organ në vete të cilëve iu është dhënë një zyre tek ne. Qytetarët duhet ta kenë të qartë këtë”, tha Qerimi.

Ndërkaq MPPS përgënjeshtron qytetarët duke thënë se pagesat janë dhënë me kohë dhe se nuk ka pasur vonesa.

“Pagesa e fundi për shtesat për fëmijën e tretë është bë në muajin dhjetor 2014, me ç’rast është paguar muaji nëntor. Nuk ka vonesa, pagesat bëhen me rregull”, tha për Portalb, Marijan Gijovski, zëdhënës.

Ai shtoi se nëse disa qytetarëve këto para nuk u kanë arritur atëherë duhet të drejtohen në zyrat e MPPS.

“Nëse disa nuk kanë marrë shtesat, duhet të ankohen në zyrat tona dhe të kontrollojnë të dhënat e tyre personale se mos është bërë ndonjë gabim apo lëshim. Sepse këto të holla janë lëshuar rregullisht”, thotë Gijovski. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button