Buxheti për Shkupi 2014, “vrasës për shqiptarët”

Nëse keni menduar se me përfundimin e viti 2014 do të përfundojë edhe harxhimi i parave për projektin “Shkupi 2014”-të, atëherë jeni gënjyer. Në plan programin buxhetor të Qytetit të Shkupit, për vitin 2015-të janë paraparë jo më pak se 11 milion euro për këtë projekt, para të cilat do të derdhen nga arka shtetërore. Paratë do të shpenzohen për ndërtimin e shesheve të “VMRO”-së dhe “Nënë Terezës”,  shatërvanëve në qytete, fasadave në stilin barok si dhe mirëmbajtjen e objekteve të vjetra të këtij projekti.

Ekspertët ekonomik, flasin se është e pa logjikshme të derdhen aq para në projekte të cilët nuk paraqesin investime kapitale, dhe nuk ndihmojnë në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.

Për ekspertin ekonomik Visar Ademi, në kohën kur papunësia në vend kalon mbi 30 për qind të popullatës, kur një e treta e popullsisë jeton me një dollarë në ditë, propozimi i tillë buxhetor është “vrasës për qytetarët”

“Aq më tepër vret fakti se këto para nuk shkojnë për investime të domosdoshme për përmirësimin e shërbimeve publik, investimeve kapitale por shkojnë për krijimin e një lloj kombi fantazmë që s’kemi asgjë të përbashkët as ne por as edhe maqedonasit. Ajo që është akoma më e keqe, është fakti rreth asaj se ku jetojnë shqiptarët dhe ku jetojnë maqedonasit. Pjesa ku banojnë shqiptarë duket se vazhdon të jetë në kushtet e shekullit të kaluar, ndërsa këndej ‘Vardarit’ ka infrastrukturë të rregulluar dhe kushte më të mira për jetë”, deklaroi për “SHENJA”, Visar Ademi.

Ai thotë se miratimi i këtij buxheti nuk duhet lejuar nga partitë shqiptare, po duke e ditur nënshtrimin  e tyre ndaj faktorit politik maqedonas, është i bindur se një buxhet i tillë do të miratohet.

“Shpresoj që partitë shqiptarë mos e aprovojnë këtë lloj buxheti, mirëpo nënshtrimi i tyre dhe vasaliteti nuk është se nuk është i njohur për qytetarët tonë. Ata vazhdojnë të jenë vasal si në pushtetin qendror ashtu edhe në lokal. Pritshmëria ime është se ata duke i përdorur të drejtat masovike të shqiptarëve të kenë ndonjë beneficion privatë-familjar. Ata kanë hipoteka të tmerrshëm dhe normalisht duke i pasur ato hipoteka familjaro-private mendoj se do ta kalojnë edhe buxhetin. Mirëpo pasojat e asaj do t’i ndjejnë qytetarët”, përfundon Ademi.

Ndërsa për profesorin universitar dhe ekspert për çështje ekonomike Nasir Selimi, është për t’u habitur fakti se si shpenzohen të hollat e qytetarëve, duke harxhuar para në investime shterpe, të cilat nuk janë në favor të përmirësimit të kushteve ekonomike të qytetarëve.

“Aq më tepër përpos që është e çuditshme ky propozim buxhet është edhe diskriminuese kur kemi parasysh që mjetet të cilat investohen, bëhen vetëm në interes të një popullate në Maqedoninë multietnike, ndërtohen statuje dhe simbole tjera që i takojnë vetëm një popullate. Nga ana tjetër mjetet mblidhen nga gjithë banorët e vendit, jo vetëm nga maqedonasit. Do të ishte shumë më në vend sikur këto mjete të orientohen në projekte të cilat do të kishin hapur vende të reja të punës edhe pse numri i të papunëve kapën shifra rekorde, dhe nuk është assesi duke iu afruar normës normale të papunësisë”, ka deklaruar profesori universitar, Nasir Selimi

Ai thotë se këto veprime janë të papërgjegjshme duke pasur parasysh borxhin të cilin e ka Maqedonia ndërsa sipas tij brengos fakti “që përfaqësuesit e partive shqiptare, nuk janë në nivelin e duhur që të kenë ndikim në një shpërndarje më korrekte, dhe shpenzim i cili do të mund të përmirësonte sado pak gjendjen e qytetarëve”.

Nga fillimi i projektit “Shkupi 2014”-të, janë shpenzuar qindra miliona euro. /Shenja

Lajme të ngjashme

Back to top button