Intervista - Intervista

Afërdita Dreshaj: Në Amerikë djemtë nuk të ngacmonin

Të dëgjosh historinë e gjimnazit të bukuroshes Afërditë, është si të dëgjosh një përrallë të kohës moderne

    ( lexuar 1591 herë )       08:55 30.04.2012
Afërdita Dreshaj

Afërdita Dreshaj

Të dëgjosh historinë e gjimnazit të bukuroshes Afërditë, është si të dëgjosh një përrallë të kohës moderne. Ajo largohet bashkë me familjen në një vend të huaj, në fillim e frikësuar nga madhësia e asaj bote, rritet pak nga pak dhe si një princeshë e vërtetë, njeh në fund princin e saj të kaltër që e merr me vete…Të gjitha këto ajo na i tregon me një ëmbëlsi dhe një buzëqeshje që nuk i zbehet për asnjë çast. Afërdita Dreshaj ka qenë vajza më e bukur, më ‘stylish’ dhe një nga nxënëset më të mira të shkollës së mesme në Michigan….

Afërdita, si e mban mend periudhën e gjimnazit?

E mbaj mend si një periudhë të lumtur. Unë e kam bërë gjimnazin në Amerikë, më saktësisht në Michigan.

Cila ishte përshtypja jote e parë për gjimnazin atje?
(qesh) Më kujtohet që m’u duk shkolla shumë e madhe, dhe thosha me vete si do arrij ta gjej klasën. Kishte pak kohë që unë isha transferuar në Amerikë dhe ishin fillimet e mia me gjuhën, me shoqërinë, me jetën time atje…Dua të theksoj se atje gjimnazi nuk është aspak si këtu.

Pse? Çfarë ndryshon?
Kur i shoh gjimnazistët këtu më duken më të afërt, më të lidhur me njëri-tjetrin. Atje janë më të ftohtë, secili sheh punët e veta. Nuk mblidhen si këtu, për të dalë pas shkollës. Kjo më ka munguar, sepse do kisha dashur edhe unë ta provoja, ta jetoja këtë në Shqipëri apo Kosovë.
Na trego pak për ditën e parë të shkollës…
Hyra në shkollë duke menduar se di të flas anglisht dhe shumë shpejt kuptova që nuk dija asgjë, sepse komunikimi ishte shumë i vështirë. E thashë dhe pak më lart, që shkolla më dukej gjigante dhe nuk i mbaja mend klasat.
Faktikisht, ajo është vërtetë një nga shkollat më të mëdha në Michigan, “Utika high school”. Por për fat të mirë nuk isha fare vetëm. Kisha kushëririn, djalin e tezes, që ishte më i madh se unë dhe e njihte shkollën. Më vonë u njoha edhe me shqiptarë të tjerë derisa u mësova.

Me mësimet si ke qenë? Ishin të vështira?
Kam qenë nxënëse shumë e mirë. Kam fituar atëherë një çmim me të cilin vlerësoheshin 20 nxënësit më të mirë të shkollës. Nuk është se mësoja shumë, po i kapja mësimet shpejt dhe i mbaja mend kollaj, e kjo gjë më ndihmonte. Pastaj mësimet nuk ishin shumë të vështira.

Cila ishte lënda më e vështirë për ty?
Ah, kimia ka qenë lënda më e vështirë. E vetmja gjë që marr vesh nga kjo lëndë është kimia që më lidh me Shpatin (qesh). Ato formulat e kimisë nuk i kam dashur kurrë.

Mbrëmja e maturës si bëhet atje?
Jo si këtu. E kishim dhe ne një sallë ku mund të festonim, por deri në orën 12 të natës, më vonë ishte e ndaluar. Pa pije alkoolike, sepse atje nuk lejohet alkooli pa mbushur 21 vjeç. Vetëm kërcyem dhe hëngrëm darkë të gjithë bashkë. Nuk them dot që s’u kënaqa sepse aty kisha shoqërinë time, po prapë mendoj që këtu bëhet më bukur. Këtu i japin më tepër rëndësi, dhe më ka mbetur peng që s’kam arritur ta festoj. Madje kam peng dhe do kisha dashur të kaloja sikur një vit të gjimnazit në Shqipëri, sepse jam e bindur që këtu kënaqen më shumë.

Të komplimentonin për pamjen tënde? Dalloje nga vajzat e tjera?
Po, dalloja, jo vetëm për pamjen time, por edhe për veshjen. Më kujtohet që në vitin e fundit u bë një konkurs dhe unë fitova dhe çmimin “Most stylish of the year”. Tani që e mendoj, më shumë se sa vishesha bukur, unë kujdesesha për veshjen. Në Amerikë çmendesh, sepse në shkollë sheh nga të gjitha llojet e veshjes, me tuta, me pizhama (qesh). Fiks siç i shohim edhe në filma. Unë kujdesesha pak më shumë për veshjen dhe stilin, edhe pse atje mësimi fillonte në orën 7 të mëngjesit.

Të ngacmonin djemtë?
Djemtë atje nuk ngacmojnë, janë të çuditshëm (qesh). Gjithmonë e kam thënë që nuk do kishte shanse që unë të krijoja një lidhje me një djalë amerikan. Atje edhe kur del në një takim me një djalë, qoftë ky edhe një shok, secili paguan kafen e vet. Ne jemi mësuar ndryshe, se djemtë tanë na respektojnë (qesh). Komplimente merrja, po nga amerikanët asnjëherë, vetëm nga ata që ishin të ardhur si p.sh italianë, ose evropianët në përgjithësi. Më komplimentonin shpesh për gjatësinë dhe më pyesnin nëse isha modele, por jo si këtu që ecën rrugës dhe dëgjon fjalë të bukura nga djemtë.

Po kohën e lirë si e kaloje?
Askund në Amerikë nuk mund të futesh nëpër diskoteka pa mbushur 21 vjeç. Më shumë fundjavave frekuentonim kinematë, teatrot ose në një festë që organizonte shkolla. Bëheshin shumë festa nëpër shtëpi, dhe aty të gjithë sillnin alkool. Grupi im i shoqërisë përbëhej nga 3-4 shoqe me të cilat mbajmë akoma lidhje. Nuk është se bëja pjesë në ndonjë grup të madh. Kjo për arsye se për çdo lëndë ne ndërronim klasën dhe nuk ishim i njëjti grup.

Me mësuesit si e kishe marrëdhënien? Si janë mësuesit atje?
Janë shumë të afërt dhe të dashur. Që në momentin e parë që njihesh me ta të japin kontaktet e veta, e-mail, numrin e telefonit. Janë gjithmonë të disponueshëm për të ndihmuar për çdo lloj problemi që nxënësi mund të ketë. Është teknikë e punës së tyre. Përpos kësaj, atje është e jashtëligjshme çdo lloj përuljeje, qortimi apo ngacmimi nga mësuesit. Gjithashtu ndalohet me ligj largimi i nxënësit nga godina e shkollës pa praninë e njërit prej prindërve.

Ti vetë ishe adoleshente rebele? Mami, të kërkonte llogari?
Kam qenë tip i hedhur po mami më kontrollonte shumë. Nuk më linte të mbaja celular dhe e kisha rreptësisht të ndaluar të vonohesha më shumë se ora 10. Por edhe pse e rreptë, në atë kohë më ka bërë surprizën më të bukur. Atje merret leja e qarkullimit që në moshën 16 vjeç dhe disa herë unë kisha shprehur dëshirën për të pasur një makinë. Mami më thoshte se nuk i kishim mundësitë. Kur një ditë të bukur më telefonon për të më thënë që të dilja jashtë shtëpisë e ta ndihmoja me pazarin. Kur dal, shoh dhuratë një makinë ‘Honda’ të cilën e kam edhe sot. Tani vëllai më ka dhuruar edhe një ‘X 5’ (qesh).

Po lidhje ke pasur gjatë kësaj kohe?
Po, jam njohur me Shpatin! (qesh)

O sa bukur! Na trego…
Një verë kthehem në Mal të Zi për pushime dhe një kushërirë e imja insiston që të shkojmë në një koncert ku këndonte Shpat Kasapi. Unë nuk desha dhe vendosa të shkoj vetëm për t’i plotësuar një dëshirë asaj. Nuk e njihja fare Shpatin dhe kur e shoh i them: “O sa i gjatë që qenka”. Më pas dikush ma prezanton dhe ai menjëherë më kërkon numrin e telefonit. Unë nuk pranova t’ia jap, por i dhashë një adresë e-maili. Shpati e shënoi në krah se nuk kishte letër e unë i thashë se aty do t’i fshihej. Ai më tha: “Jo, se do e mbaj mend…” Të nesërmen më shkruan: “Ku je o missi i Malit të Zi?” Prej asaj dite nisëm të flisnim bashkë në ‘chat’ për gati një vit rresht derisa ai erdhi atje, u njohëm më nga afër dhe nuk u ndamë./tiranachat

Komento

loading
loading
loading