Intervista - Intervista

Refet Abazi dhe Salajdin Salihu zbulojnë sekretet e teatrit, dashurisë dhe marrëzive tjera..

Intervistë me autorët e komedisë së shumëpritur “DASHURI, TEATËR DHE MARRËZI TË TJERA”

Elida Zylbeari     ( lexuar 2366 herë )     Tetovë 03:43 06.04.2012
Abazi dhe Salihu premtojnë një kënaqësi estetike që secili dashamir i teatrit nuk duhet ta lëshojë! E premte, 6 prill , ora 20.00, Teatri i Tetovës

Abazi dhe Salihu premtojnë një kënaqësi estetike që secili dashamir i teatrit nuk duhet ta lëshojë! E premte, 6 prill , ora 20.00, Teatri i Tetovës

Lajme lidhur me temën

  • Nuk ka lajme lidhur me temën

Intervistoi: Elida Zylbeari

Sot Teatri i Tetovës do të gjallërohet. Regjisori Refet Abazi dhe bashkautori Salajdin Salihu premtojnë një kënaqësi estetike që secili dashamir i teatrit nuk duhet ta lëshojë. Në ora 20.00 fillon komedia e cila flet për Sulon, një personazh Tetovar i cili vuan për Dritën e tij, adhuron teatrin dhe njëkohësisht vuan për mungesën e teatrit si institucion, duke u përpëlitur mes marrëzive të një shoqërie që ende vazhdon të jetë në tranzicion...

PORTALB: Cili është elementi , përkatësisht karakteristika kryesore e "DASHURI, TEATER DHE MARREZI TE TJERA" e cila do ta lërë publikun gojëhapur?

R.ABAZI: Jemi munduar që në shfaqje të paraqesim atë që si krijues na shqetëson në shoqërinë tonë:  fillimisht mua dhe bashkautorin Salajdin Salihu dhe më pas edhe aktorët. Përditshmëria ishte materiali kryesor, shumë dukuri politiko - shoqërore të cilat, fatkeqësisht, kemi filluar t’i quajmë të domosdoshme, prandaj vendosem t’i përpunojmë në laboratorin e një shfaqjeje. Dhe si produkt kemi një kënaqësi estetike, të cilën shpresoj ta përjetoj edhe publiku. 

S.SALIHU: E morëm ketë përditshmëri, e herrëm dhe krijuam një shfaqje. Është njëkohësisht një kërkese e bërë nëpërmjet artit: kërkesa për të patur një teatër të mirëfillte. Dhe po, një kënaqësi estetike. Por, pa modesti, me duhet ta them, ketë kënaqësi estetike e reflektojnë aktorët dhe koncepti regjisorial i Refet Abazit. Si adhurues i teatrit dhe artit jam më pak meritori se gjithë te tjerët. 

PORTALB: Z. Salihu, është çështje modestie?

S.SALIHU:  Është ashtu siç e mendoj dhe e ndjej. Me pëlqen të shijoj diçka të bukur, pavarësisht se kush e krijon. Teatri është pune ekipore. Kërkon një harmonizim. Harmonia u krijua falë aktorëve dhe regjisorit, i cili është edhe dramaturgu.    

PORTALB: Z. Abazi, na përshkruani pak ngjarjen?

R.ABAZI:  Personazhi kryesor Sulo, paraqet një ndërlidhje emocionale të disa periudhave kohore, ai në vetvete i ndërlidh disa ngjarje të rëndësishme dhe karakteristike të Tetovës. Sulo vuan për dashurinë e parealizuar, Sulo e adhuron teatrin si tempull ku mund te ëndërrohet pafundësisht dhe vuan për mungesën e teatrit si institucion, duke u përpëlitur mes marrëzive më të ndryshme të një shoqërie që ende vazhdon të jetë në tranzicion dhe nuk ka ndërrim natyror të gjeneratave.  Sulo pret Dritë (Drita është dashuria e jetës se tij) dhe kur Drita e tij vjen, ai krijon hapësire për gjeneratat e ardhshme, pasi e di se të rinjtë janë e ardhmja dhe vetëm të rinjtë mund ta përmendin emrin e tij ne tjetër kohe, përtej kohës në të cilën ai jeton. 

PORTALB: Sinqerisht, si është të punohet me Salajdinin?

R.ABAZI:  Salajdini para se gjithash është një poet i rrallë, me një ndjeshmëri lasgushiane, njeri që përjeton thellë dhe çdo reflektim i tij është shumë-shtresor. Më kanë ndihmuar shumë reagimet e tij gjate provave, ndërsa gjatë përpilimit të tekstit kishim të njëjtin këndvështrim për çdo gjë që trajtonim. 
Do ta ilustroj me një ngjarje. Në një debat për çështjet e monumenteve dhe identitetit, ku kishte ambasadore, ekspertë dhe analistë vendor dhe të huaj, pjesëmarrës ishte edhe Salajdin Salihu. Një mik imi gjerman, pasi e dëgjoi ligjëratën e Salajdinit, me tha: “Duhet te jeni te lumtur qe e keni ketë krijues”. Kjo për mua nuk ishte diçka e re, pasi ashtu mendoj prej shumë kohësh, por në shoqërinë tone zakonisht kur ndonjë i huaj vlerëson dikë, atëherë atë fillojmë ta shikojmë mos ndoshta ai ka ndonjë vlere. Do të kisha dashur që Salajdini më shumë të qëndrojë mbyllur në laboratorin e tij krijues dhe të gërmojë në minierën e tij shpirtërore, që të na dhurojë ende perla.

PORTALB: Z.Abazi ka vetëm fjalë miradije për ju Z.Saliu! E ju ç ‘thoni, e kishit vështirë bashkërisht të krijoni art me të? 

S.SALIHU:  Është vështirë dhe privilegj. Si nuk është vështire kur punon me profesionist të skajshëm dhe perfeksionit. Është kënaqësi, njëkohësisht, sepse njeriu pasurohet gjatë kohës sa është në zonat influencuese të një projekti artistik. Mendja punon pak më ndryshe. Refeti e adhuron skajshmërisht teatrin. Është aktor përmasash të mëdha. Është njohës i thellë i teatrit dhe letërsisë në përgjithësi. Është i përkushtuar deri në atomin e fundit të energjisë dhe çuditërisht i palodhshëm. Të punosh me Refetin vetëm mund te mësosh. Ai gjithçka e projekton në mendjen e tij. Kam mësuar për teatrin shumëçka falë Refetit dhe i jam mirënjohës. Për këtë shfaqje çdo meritë i takon atij, kurse mua më mbetet kënaqësia e krijuar. Refet Abazi ka mijëra referenca në kokë që i shkreptijnë në çdo çast. E dëshiron të mirën. Ky është “vesi” i tij, që ja ka parë sherrin shpesh në jetë. Ne miqtë nuk e kemi keqkuptuar, por shpesh ka qenë i keqkuptuar me pa të drejtë. Refeti është vlerë e madhe për kulturën shqiptare. Njerëzit e teatrit duhet ta shfrytëzojnë vazhdimisht. Ai ka mijëra ide. Ka vullnet. Ka përkushtim në punë. Gjithçka që i duhet një profesionisti. 

PORTALB: Flisni me shumë pasion për të?

S.SALIHU:  Unë fola shumë pak për Artistin që e çmoj shumë.  Mund të flas edhe për Mikun dhe Njeriun, por jo në ketë intervistë.

PORTALB: Po koordinimi, kimia mes aktorëve si ju duket?

R.ABAZI:  Një nga prioritetet e mia në këtë shfaqje ishte pikërisht konsolidimi i energjisë së aktorëve në shfaqje, pra kimia mes tyre. Jam i kënaqur pasi kemi arritur të ndërtojmë një ansambël në shfaqje. Ardiani Aziri, si aktor kalibri, gjatë gjithë kësaj kohe ka frymuar vetëm si artist, ashtu sikurse edhe: Muzafer Etemi, Tristan Halilaj, Ermal Çanga, Petrit Neziri, Armenis Nokshiqi, Petrit Neziri, Hasim Memishi-Sopi dhe Arsim Kaleci.

S.SALIHU:  Të gjithë janë aktorë profesionistë, miq të mirë, shpirtra kërkimtar. Kanë punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe janë më meritorët për gjithçka. Per mua ata janë një kastë aktorësh që meritojnë më shumë se sa kanë. Ne këtë atmosfere miqësore ndjeva një gjallërim brenda meje. 

PORTALB:  Duhet të ketë pasur një shkas?

S.SALIHU:  Sigurisht. Ka një kohë të gjatë që merrem me punë përtej artistike. Shpesh në jetë të vjen të klithësh, të arratisesh, të jesh larg të gjithëve, krejtësisht i harruar. I lodhur nga përditshmëria, arratisesha dhe strehohesha ne teatër. Një vend i shenjte. Një arratisje që të jep shumëçka që mendon se e ke humbur përgjithmonë. Një njeri që atdhe e ka artin, çdo punë tjetër e konsideron si sakrilegj, si privim, si diçka të përkohshme. 

PORTALB:  Të kthehemi te problemi i hidhur i Teatrit të Tetovës, kushtet jo të mira. Ka ndryshuar gjë?

R.ABAZI:   Kjo çështje është përpunuar në shfaqjen tonë. Teatri i Tetovës është i themeluar si institucion nacional, por në kuadër të Pallatit të Kulturës. Për mua kjo është çështje e zgjidhur përgjysmë, pasi kemi dy institucione në një hapësire. Nuk mund të funksionojë teatri mirëfilli nëse nuk e ka godinën e vet dhe nëse veprimtari kryesore nuk e ka repertorin artistik. Vlen të theksohet që drejtori Valmir Aziri ka merita të veçanta, pasi ai bëri një kapërcim të klishesë së të qenit drejtor në kohët e sotme. Kishim përkrahjen e plotë të tij. Pres me padurim hapat e ardhshëm për ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës ne Tetove. 

S.SALIHU: Pajtohem me Refetin dhe dua ta falënderoj Valmir Azirin për respektin e treguar ndaj nesh. Duke punuar e zhvishte mantelin e drejtorit, sepse i rebelohej përbrenda artisti. Ai nuk ka paragjykime ndonëse drejtorllëku tek ne merret me paragjykim. 

PORTALB: Në fund, parashikimet e juaja, çfarë prisni të premten dhe në shfaqjet në vijim?

R.ABAZI:  Nuk mund të bëj parashikime, pasi shfaqjet në teatër janë prodhime të gjalla, dhe ato jetojnë duke u furnizuar me energji nga publiku. Shpresoj që publiku do e përjetojë shfaqjen dhe nga salla do e rikthej energjinë që është investuar në skenë.

S.SALIHU: Personalisht do të jem nën ankth, sepse do të jem shikues, si gjithë të tjerët. Do të tentoj të krijoj distancë dhe ta shoh pa ngarkesën e të qenit pjesë e këtij projekti. E di se nuk do të mund t’ia dal, por do të provoj. Pres që publiku të kënaqet, të qesh, të mendojë, të reflektojë. T’i kthehet diçka që i ka munguar për një kohë të gjatë, pra shfaqja teatrore. Pres  të kap edhe shtresat më të fshehta kuptimore të komedisë. 

Skena gjatë provave 

Skena gjatë provave 

Komento

loading
loading
loading