Bota - Kosova

Integrim i veriut apo federalizim i Kosovës?!

Serbët e veriut të vendit tashmë e kanë bërë të ditur vullnetin e tyre se janë kundër këtij integrimi

N. V.     ( lexuar 200 herë )     Prishtinë 18:21 17.06.2012
Integrim i veriut apo federalizim i Kosovës?!

Integrim i veriut apo federalizim i Kosovës?!

Lajme lidhur me temën

  • Nuk ka lajme lidhur me temën

Institucionet e Kosovës do ta kenë tepër të vështirë ose të pamundur që ta integrojnë veriun e vendit, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë, shqiptarë dhe serbë. Sipas tyre, përderisa në njërën anë Qeveria e Kosovës ka deklaruar se nuk do ta përdorë dhunën për këtë qëllim, në anën tjetër, serbët e veriut të vendit tashmë e kanë bërë të ditur vullnetin e tyre se janë kundër këtij integrimi.

Këta të fundit, kohë më parë, përmes referendumit, për të cilin është thënë se nuk do të prodhojë efekte juridike, kanë shprehur vullnetin kundër integrimit në institucionet e Kosovës.

Dragisa Kërstovic, politikan serb nga veriu i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzistojnë forma, siç janë investimet në ekonomi, infrastrukturë dhe të tjera, që do ta përmirësonin jetesën e serbëve të veriut dhe përmes të cilave Qeveria e Kosovës mund ta ndryshojë mendimin e tyre dhe të paktën të përafrojë mundësinë e një komunikimi me ta.

Por, megjithatë, sipas Kërstovicit, kjo nuk nënkupton mundësinë e sigurt se serbët do të pranojnë integrimin në institucionet e Kosovës, sepse, siç thotë ai, ata nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga ajo që ata e quajnë interes nacional.

“Për statusin e Kosovës më nuk mund të ketë ndonjë diskutim tjetër, por mund të ketë eventualisht diskutim për ndonjë ‘Ahtisari plus’ për veriun e Kosovës. Megjithatë, kjo është vetëm si mundësi, për të cilën ndoshta mund të bisedohet.
Se çfarë do të nënkuptonte ajo në esencë dhe në përmbajtje, kjo është çështje tjetër, por është pikëpyetje edhe nëse është e mundshme. Kështu që, tash për tash, në këto rrethana, unë nuk mendoj se shumica e serbëve do të pranonin që veriut të integrohet në Republikën e Kosovës”, thotë Kërstovic.

Ndërkaq, politologu Behlul Beqaj, vlerëson se faktorizimi i serbëve për të biseduar me Prishtinën zyrtare, nuk do të varet nga Qeveria e Kosovës, por nga pushteti i Beogradit, përkatësisht nga përgjegjësia që e ka marrë kryetari i ri serb, Tomislav Nikolic, për zgjidhjen edhe të problemit të veriut.

“Kjo do të thotë se serbët nuk do të jenë objekt, mbi të cilët do të bëhet përdorimi i forcës nga pushteti i Kosovës. Por, ky i fundit, nuk do të jetë pengesë për faktorizimin e tyre në kuadër të një sistemi të ri, i cili, në një mënyrë ose në një tjetër, paraqet një lloj të diskontinuitetit me sistemin normativ të Kosovës apo nënkupton mundësinë e faktorizimit, duke federalizuar tërësinë territoriale të Kosovës”.

“Pra, zgjidhja gjithsesi nuk do të jetë fizike, por zgjidhja politike, përkatësisht, faktorizimi i serbëve në kuadër të një ristrukturimi administrativ dhe normativ gjithsesi se do të jetë, sepse alternativë të tretë nuk ka”, vlerëson Beqaj për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, Kërstovic thotë se serbët e veriut të Kosovës janë të dëgjueshëm ndaj Beogradit, sidomos tash, kur skena politike në Serbi ka pësuar ndryshime. Por, sipas tij, ende është mjaft e pasigurt se si do t’i udhëzojë Beogradi zyrtarë serbët e veriut.

Por, politologu Beqaj thotë se Qeveria e Kosovës do të jetë e dëgjueshme ndaj faktorit ndërkombëtarë, për t’i dhënë një status të veçantë veriut të Kosovës dhe më pas, një gjë të tillë, ta paraqesë si një sukses të pushtetit dhe politikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës, muajin e kaluar, ka miratuar vendimin për themelimin e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës. Kjo zyrë, është thënë se do të ofrojë të gjitha shërbimet për qytetarët e kësaj pjese të Republikës së Kosovës, si dhe do të koordinojë angazhimet dhe investimet qeveritare në këtë pjesë të vendit. Marre nga TELEGRAFI

Komento

loading
loading
loading