I rrezikuari
Është dashuria.
Duhet të fshihem ose t’ia mbath diku.
Lartohen muret e burgut të saj, si në një ëndërr të ligë.
Maska e bukur ka ndryshuar, edhe pse gjithmonë e njëjta mbetet.
E për çfarë me duhen hajmalitë, ushtrimet letrare, dija e mjegullt,
fjalët që tha Veriu i rreptë kur u këndoi detrave dhe armëve te tij,
miqësia e ëmbël, galeritë e bibliotekave, gjërat e përbashkëta, zakonet,
dashuria e hareshme e sime mëje, hija ushtarake e të vdekurve të mi,
nata e pakohe, shija e ëndrrës?
Të jesh a të mos jesh me ty është masa e kohës time.
Tashmë shtamba thyhet mbi burim,
dhe njeriu ngrihet në këmbë nga kënga e zogjve,
tashmë u mjegulluan ata që vështrojnë nga dritaret,
por muzgu nuk e solli paqen.
Dhe, e di, është dashuria: ankthi dhe çlirimi kur dëgjoj zërin tënd,
pritja dhe kujtimi, tmerri i të jetuarit për çdo çast
Është dashuria me mitin e saj, me magjitë e saj të vogla
të padobishme.
Është një qoshe rruge ku nuk guxoj të shkel.
Tashmë po më rrethojnë ushtritë, hordhitë.
(Kjo dhome është e trilluar, ajo nuk e ka parë)
Emri i një gruaje më tradhton.
Ne të gjithë trupin një grua më dhemb.
Komento