Kulturë & art - Lajme

Muzika që ju ka munguar,së shpejti para jush Skena e muzikës serioze shqiptare

Hapja solemne e manifestimit “Skena e muzikës serioze shqiptare” do të bëhet më 1 qershor në ora 19.30, në Qendrën e Kulturës në Tetovë me një koncert grandioz

Elida Zylbeari     ( lexuar 656 herë )     Tetovë 17:58 29.05.2012
Muzika që ju ka munguar, së shpejti para jush “Skena e muzikës serioze shqiptare”

Muzika që ju ka munguar, së shpejti para jush “Skena e muzikës serioze shqiptare”

Lajme lidhur me temën

  • Nuk ka lajme lidhur me temën

Manifestimi “Skena e muzikës serioze shqiptare” i cili do të mbahet nga 1 deri më 8 qershor në Tetovë, është i pari i këtij lloji që organizohet nga shqiptarët e Maqedonisë. Me anë të koncerteve do të promovohet muzika profesionale klasike. 

“Manifestimet e tilla janë të nevojshme në hapësirat tona, pasi ato jo vetëm që e pasurojnë jetën muzikore të qytetit të Tetovës, por njëkohësisht me to bëhet edhe edukimi muzikor i popullatës lidhur me muzikën serioze” thotë muzikologia Lejla Halimi Lumani.

Hapja solemne e manifestimit “Skena e muzikës serioze shqiptare” do të bëhet më 1 qershor
në ora 19.30, në Qendrën e Kulturës në Tetovë me një koncert grandioz ku pjesëmarrës do të jenë instrumentistë të njohur të hapësirës muzikore shqiptare dhe më gjërë: violinistja Sihana Badivuku-Hoxha, violisti Blerim Gubi, violonçelisti Pjetër Guralumi, Kori I USHT me dirigjent Arifikmet Xhemaili, sopranoja Nita Zenuni dhe pianisti Shkëlzen Baftiari. 

Më tej, me datë 6 qershor, ditën e mërkurë, në ora 19.30, në sallën koncertale të shkollës së muzikës “Todor Skallovski-Tetoec” në Tetovë, Ansambli për Muzikë Moderne “Sonoris”, do shfaqë para publikut vepra të kompozitorëve të shekullit XX, si të Pulenk, Zhorzh Orik, Zhak Ibert dhe Einem. Formacioni instrumental është i krijuar me duo dhe trio, me pjesëmarrës: flautisti Vanço Arevski, klarinetisti Igor Bakrevski dhe fagotisti Marjan Miloshevski.

Po në të njëjtën sallë koncertale, me datë 7 qershor, në ora 19.30 do të mbahet koncert nga studentët, instrumentist të Fakultetit të Muzikës të USHT, ku do të ketë pika solistike dhe formacione kamertale.

Data 8 qershor mban në vete dy manifestime në kuadër të festivalit “Skena e muzikës serioze shqiptare”, ku në ora 13.30, në hapësirat e Fakultetit të Muzikës, do të mbahet tribunë muzikologjike dhe etnomuzikologjike nga studentët e këtyre lëmive. Kurse, në mbrëmje, në ora 19.30, në sallën koncertale të shkollës së muzikës, bëhet mbyllja e manifestimit me koncertin e nxënësve të shkollës së muzikës.

“Tani, kur më u hodhën bazat e një manifestimi të këtillë, është shumë e nevojshme që të sigurohen disi kushtet për jetëgjatësinë e këtij festivali. Nëse shohim zhvillimin e festivaleve në përgjithësi që janë mbajtur nga shqiptarët e Maqedonisë, shumë lehtë mund të vërehet fakti që ato, për arsye nga më të ndryshmet, nuk kanë vazhdimësi në realizim. Të shpresojmë që mbështetja nga institucionet shtetërore dhe mbështetja nga publiku dhe dashamirët e artit muzikor nuk do të shuhet për këtë manifestim, i cili do të mbetet si një fakt historik për zhvillimin e jetës muzikore të shqiptarëve të Maqedonisë” thotë Halimi Lumani.

Kjo muzikologe sqaron se derisa shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë kanë arritur të krijojnë manifestime shumëvjeçare, në të cilat bëhet promovimi i artistëve shqiptar në përgjithësi, shqiptarët e Maqedonisë, si duket sapo kanë filluar të hedhin hapat e parë drejt krijimit të organizimeve të tilla. 

“Në koncertet e organizuara deri më tani në Maqedoni, e veçanërisht në Tetovë, numri i koncerteve të muzikës profesioniste ka qenë shumë i vogël dhe fatkeqësisht në jetën muzikore ka mbisunduar amaterizmi. Kështu, kjo gjë krijon edhe karakterizimin e pamjes së përgjithshme të atmosferës muzikore për shqiptarët e Maqedonisë. i kemi pasur të paktë muzikantët dhe instrumentistët profesionist, por është për tu përshëndetur fakti që nëpërmjet institucioneve arsimore që kemi, krijohen gjenerata të reja të krijuesve dhe interpretuesve muzikor shqiptar. Duke u rritur numri i muzikantëve profesionist, në fakt, është ndjerë nevoja për organizimin e koncerteve të muzikës serioze, ku njëherit nxënësit, studentët dhe dashamirët e artit muzikor do të njihen me vepra, krijues dhe interpretues, por nga ana tjetër, nëpërmjet këtyre koncerteve do të bëhet edhe promovimi i muzikantëve që kemi” përfundon Lejla Halimi Lumani. /Portalb /

Komento

loading
loading
loading