Për qejf - Shëndet & Bukuri

Pikat e zeza, ja si t’i heqim nga fytyra

Edhe pse efekti i produkteve kimike është më i shpejtë, këshillohet përdorimi i produkteve natyrale, të cilat nuk kanë efekte anësore dhe kanë rezultate më afatgjata.

A. Xh.     ( lexuar 4828 herë )     Shkup 11:06 18.02.2013
Pikat e zeza, si t’i hiqni nga fytyra përgjithmonë

Pikat e zeza, si t’i hiqni nga fytyra përgjithmonë

Ka raste kur ju ushtroni presion mbi to duke përftuar efekt të kundërt dhe duke i infektuar apo lënë shenja. Nëse ju shtrydhni një pikë të zezë, ajo kthehet në një shenjë të dukshme

Pikat e zeza në fytyrë janë sa të bezdisshme aq edhe të shëmtuara. Më tepër ato krijohen te personat që kanë fytyrë të yndyrshme. Në krijimin e tyre ndikojnë një sërë faktorësh, duke filluar që nga ata gjenetikë, por edhe nga stili i jetesës, nga gjërat e konsideruara “të këqija” për shëndetin si: alkooli, duhani, kafeina, produktet e përpunuara, ushqim me shumë karbohidrate apo yndyrë. Por mos u çudisni nëse shkak i tyre mund të jetë edhe stresi. Kjo, sepse stresi ndikon në prodhimin e hormoneve dhe në veçanti testosteroni e bën lëkurën më të predispozuar për krijimin e pikave të zeza. Sa më shumë ato të rrinë pa u trajtuar, aq më shumë zmadhohen poret. Por nëse dilni para pasqyrës e filloni t’i shtypni, më mirë lexoni këta hapa dhe këshilla për të shpëtuar nga pikat e zeza pa i shtypur ato:

Pastrimi

Pastroni rregullisht fytyrën, këshillohet një pastrues me acid salicilik, i cili ndihmon në trajtimin dhe parandalimin e pikave të zeza. Ky pastrues vepron si antibakterial dhe antiinflamator njëkohësisht.

Tonifikimi

Tonifikimi i lëkurës është i rëndësishëm, sepse toniku mbyll poret dhe rregullon pehashin e lëkurës. Zgjidhni një tonik pa alkool që përmban totarol (me veti antibakteriale).

Trajtoni zonat me probleme

Lëkurat janë të tipave të ndryshme, mund të jenë të thata, të yndyrshme apo mikse. Përgjithësisht zona më me shumë yndyrë në fytyrë është zona-T (hunda, mjekra, balli) dhe pikërisht këto zona janë edhe më të prirura për pikat e zeza. Atëherë duhet t’i trajtoni specifikisht me një serum që përmban vitaminë B3, nyacinamide, e cila kuron zonat e prirura për akne dhe ul yndyrën dhe enzimën. Por në trajtim nuk duhet të mungojë edhe papaja që shërben si eksfoliues, duke larguar qelizat e vdekura që bllokojnë poret.

Hidratoni

Mbajeni lëkurën të hidratuar, duke përdorur një krem pa yndyrë (oil-free), preferohet një krem që përmban edhe acid hialuronik. Gjatë ditës përdorni gjithmonë krem me faktor mbrojtës SPF.

Skrab (Scrub)

Bëjini skrab lëkurës dy herë në javë. Mund të zgjidhni skrab të gatshëm apo ta përgatisni vetë në kushtet e shtëpisë. Pastrimi i lëkurës është çelësi për parandalimin e pikave të zeza.

Bëni maskë

Aplikoni dy herë në javë maskë për fytyrën dhe zgjidhni një specifikë për lëkurë të yndyrshme ose përgatisni maska natyrale, të cilat i gjeni këtu. Maskat ndihmojnë në absorbimin e yndyrës dhe mbylljen e poreve.

Po nëse i ndiqni rregullisht këto hapa dhe përsëri nuk keni rezultat?

Mos u trembni. Bëni një konsultim me estetisten tuaj. Ka raste kur ju ushtroni presion mbi to duke përftuar efekt të kundërt, duke i infektuar apo lënë shenja. Nëse ju shtrydhni një pikë të zezë, ajo kthehet në një shenjë të dukshme, e cila do kohë të zhduket. Më mirë drejtohuni estetistes dhe kërkoni një pastrim fytyre. Ato dinë si ta përgatisin fytyrën, ta pastrojnë në mënyrë korrekte dhe ta trajtojnë pas pastrimit, për të parandaluar inflamacionin apo daljen e tyre përsëri. Avulli është i domosdoshëm për hapjen e poreve për një pastrim të thellë, i cili i kombinuar me produkte profesionale dhe efektive, jep rezultatet që dëshironi.

Alternativë tjetër për heqjen e pikave të zeza

Ka strisha që mund t’i gjeni shumë lehtë në farmaci apo dyqane kozmetike. Por a funksionojnë vërtet? Disa njerëz pohojnë po, ndërsa për disa të tjerë nuk funksionon. Por ato nuk janë të përshtatshme për një lëkurë të ndjeshme, sepse gjithsesi mbetet një adeziv që ngjit në fytyrë. Absolutisht nuk duhet përdorur nëse njëkohësisht përdorni edhe trajtim për aknet si p.sh.: accutane, differine, epiduo, tetraciklinë apo retin-A. Efekti i tyre eksfoliues për lëkurën e bën akoma edhe më të ndjeshme.

Këshillë: Edhe pse efekti i produkteve kimike është më i shpejtë, këshillohet përdorimi i produkteve natyrale, të cilat nuk kanë efekte anësore dhe kanë rezultate më afatgjata.

Komento

loading
loading
loading