Stadiumi ku legjenda e futbollit, Pele, u bë i njohur në arenën
ndërkombëtare do t'i dhurohet Kosovës. Stadiumi "Rasunda", që gjendet në
Solna të Suedisë, do t'i bëhet dhuratë Federatës së Futbollit të
Kosovës nga Federata e Futbollit të Suedisë. Në të vërtetë stadiumi ku u
zhvillua finalja e kampionatit botëror të vitit 1958 do të rrënohet në
fund të këtij viti, ndërsa të gjitha pajisjet e tij që mund të çmontohen
e të shfrytëzohen prapë do të vijnë në Kosovë. Kjo është bërë e ditur
të enjten në një konferencë për shtyp të përzgjedhësit të Kosovës në
futboll, Albert Bunjaki, dhe drejtuesve të FFK-së.
Stadiumi ku u
luajt finalja e botërorit të vitit 1958 "Rasunda", ndërmjet Suedisë dhe
Brazilit, do të rrënohet në periudhën 10 nëntor - 10 dhjetor të këtij
viti. Atë finale e fitoi Brazili me rezultatin 5:2. Pele, atëbotë
17-vjeçar, në këtë botëror u bë i njohur në tërë botën. Në finale shënoi
dy gola.
Stadiumi i përfaqësueses së Suedisë dhe klubit AIK do
të rrënohet për t'u zëvendësuar me stadiumin e ri, "Friends Arena -
Svedbank", që është duke u ndërtuar po ashtu në Solna të Stockholmit.
"Komplet
stadiumi 'Rasunda" do t'i bëhet dhuratë Federatës së Futbollit të
Kosovës. Vlera financiare e kësaj dhurate është shumë e madhe. Dhurata
përmban 37 mijë ulëset e stadiumit, shumë cilësore, pastaj sistemi i
ndriçimit me standarde të FIFA-s, sistemi i dëgjimit, rrethojat speciale
të aluminit për siguri, katër porta lëvizëse, 30 metra tunel lëvizës,
ulëset VIP, 12 kioska për shitje të biletave, salla e konferencave e
tetë zhveshtore", ka thënë përzgjedhësi Bunjaki.
Sipas tij,
vendimi për rrënim të stadiumit u mor që në vitin 2006. Ai thotë se
dhurata është rrjedhojë e marrëdhënieve të mira që ka FFK-ja me
Federatën e Futbollit të Suedisë. Sipas Bunjakit, transportin e
pajisjeve për në Kosovë duhet ta bëjë FFK-ja.
Më 15 gusht në
këtë stadium do të zhvillohet ndeshja miqësore në mes Suedisë e
Brazilit, në të cilën prezent do të jetë edhe një delegacion i FFK-së.
Ndërsa ndeshja e fundit në "Rasunda" do të zhvillohet më 6 nëntor mes
AIK-ut e Malmos.
Nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se
Federata ende nuk ka vendosur se në cilin stadium do t'i dërgojë
pajisjet. Sipas tij, transportimi i pajisjeve nga Suedia nuk do të jetë
problem.
Komento