Qëndrime - Na shkruani

Kambana e 10 Qershorit të Prizrenit

Jemi ngopur me koncerte, darka e përvjetorë që organizohen me paratë tona për të mbushur barkun e politikanëve , jemi ngopur me premtime e fotografitë e tyre duke qeshur plot ironi

E. Z     ( lexuar 837 herë )       10:20 10.06.2012
Sefer Selimi

Sefer Selimi

Lajme lidhur me temën

Në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, krijimit të atij shteti amë që do mbante gjallë deri në ditët e sotme shpresën dhe idealin për bashkim nga ndarja e padrejtë që i`u bë shqiptarëve nga fuqitë e mëdha, çdo datë e shënuar për tu përkujtuar në historinë tonë ka një peshë më të madhe si për nderime ashtu edhe për të reflektuar dhe mësuar nga e kaluara.

Zakoni i keq politikanëve shqiptarë është shndërruar në një kokëfortësi sa që u`a ka mbyllur sytë e veshët për të shikuar e mësuar nga e kaluara. 10 Qershori 1878 është ndoshta data më e rëndësishme e historisë sonë kombëtare, është një datë që unë edhe të gjithë shqiptarët e tjerë të zakonshëm do të donim që të ishte një pikë reference dhe një shembull që duhet ndjekur nga politikanët tanë.

Do të doja shënimi i këtij përvjetori të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mos të bëhet sa për sy e faqe dhe të mblidhen politikanët e të gjitha trojeve shqiptare sa për të bërë një fotografi së bashku dhe për të ngrënë një dreke në kurriz të popullit që vuan për bukë. Nevoja për mësim dhe reflektim të shëndoshë nga  historia, veçanërisht nga 10 Qershori i Prizrenit është urgjente, është e domosdoshme dhe mbi të gjitha është detyrim i politikanëve tanë, e këtu nuk përjashtohet asnjëri. Rëndësia e kësaj date përveç misionit dhe rolit në afirmimin e çështjes shqiptare ka një simbolikë të veçantë e të fuqishme.

Në këtë ditë të Qershorit të 1878, në qytetin e Prizrenit, të parët dhe mendjen e ndritura të të gjithë shqiptarëve u ngritën mbi veten, u ngritën mbi interesat personale, fetare, krahinore dhe u bashkuan, u bashkuan rreth një shtylle të fuqishme, rreth idealit kombëtar, rreth interesit të të gjithë shqiptarëve duke braktisur dallimet, zënkat e interesat personale. 
Sot shqiptarët sërish kanë nevojë për një 10 Qershor i cili tani do ti largojë, por do ti largojë  nga përçarja në të cilën janë katandisur. Do ti largojë nga ajo rrugë e cila nuk i bashkon askund, do ti largojë nga ajo humnerë në të cilën janë duke dërguar popullin e prangosur me libreza partiake, popullin e zënë rob me bukën e gojës, popullin që dita ditës i braktis me një strajcë në krah rrugës së kamotshme të kurbetit.

Sot ata që rrahin gjoks e kanë marrë mbi vete përgjegjësinë për ti dalë zot këtij populli (e për këtë paguhen si askush tjetër me para e privilegje që populli barkuritur as mund ti ëndërroj) duhet të reflektojnë nga 10 Qershori i Prizrenit. Politikanët në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni apo Presheve a Mal të Zi duhet të zgjohen, duhet të dalin nga ajo ëndërr e bukur tenderësh e parash të pista që u kanë humbur snensin për të dalluar të mirën nga e keqja, popullin nga paraja, vëllanë nga armiku. Jemi ngopur me koncerte, darka e përvjetorë që organizohen me paratë tona për të mbushur barkun e politikanëve , jemi ngopur me premtime e fotografitë e tyre duke qeshur plot ironi dhe që të krijojnë idenë se të quajnë për budalla për besimin që u ke dhënë.

Është kambana e fundit që bie në veshët e shurdhër të politikanëve, por kjo është e fuqishme dhe shpresoj që ta dëgjojnë e kuptojnë drejtë, ta kuptojnë që kjo kambanë nuk i ndanë ato ne pozitë apo opozitë, nuk i ndanë në këtë apo atë parti, në këtë apo atë lider por bie njëjtë për të gjithë. Kjo kambanë e 10 Qershorit të Prizrenit bie njëjtë për të gjithë politikanët shqiptarë, nga që është kambana e interesit kombëtare dhe interesi kombëtarë është i njëjtë për të gjithë popullin. Asnjë politikan nuk është më i mençur apo më budalla se tjetri para këtij interesi, nga që atë nuk e shkruajnë apo shpikin ato, ai buron nga nevoja, nga vuajtja, nga uria dhe gjendja e popullit tonë dhe nuk u duhen aftësi mbinjerëzore për ta kuptuar ç`është ky interes por u duhet vullneti, çiltërsia dhe sinqeriteti, u duhet dashuria për popullin e tyre, u duhet dashuria për vendin e tyre. Kambana nuk do të ndalet dhe zëri i saj do vijë e do bëhet edhe më i fuqishëm në qoftë se nuk dëgjohet. Zëri i sajë do jehojë fuqishëm dhe do të shurdhojë një nga një të gjithë popullin derisa i tëri të bëhet i shurdhër dhe atëherë nuk do dëgjojë më premtimet që vinë nga tubime e mitingje.

Kjo kambanë nuk do ndaloj së rrahuri dhe jehona e sajë do të shndërrohet në makth për çdo qyqarë që ka përfituar në të keqen e këtij populli, do të shndërrohet në një zhurmë të bezdisshme për çdo zemërlig që ka punuar në të keqen e këtij populli dhe popullin do ta bashkoj rreth vetes, do ta bëj më të fuqishëm dhe do shndërrohet në kënge e valle që do kërcehet mbi faqet e zeza të historisë, atje ku do ti dërgoj të gjithë ata që nuk deshën ta dëgjojnë Kambanën e 10 Qershorit të Prizrenit !

Komento

loading
loading
loading