Qëndrime - Na shkruani

Më qaj nënë se s'jam djalë

Sa për reçetën...mendja te gjinia më shkon vetëm atëherë kur mësohemi të përdorim toaletin, të blejmë çizme për dimër dhe kur duhet prerë flokët

J. Zh.     ( lexuar 4374 herë )       13:30 24.04.2012
Rrezearta Reka

Rrezearta Reka

Lajme lidhur me temën

“Alo? Alo? A po më nin qëtash?”
“Unë jom…po”, qetësi.
“Po po qe tu u kthy jom”, prapë qetësi.
“Vetë kesh po”, dhe ndalet sikur mendon se çfarë do të duhej të thoshte për të zbutur fjalët e ardhshme.
“Po çikë m’tha oj teze”, pushon së foluri dhe merr frymën thellë.
“Po tybe… çka me bo”. Ofshan, ndërkaq në anën tjetër të telefonit duke sikur tezja e ngushëllon.
“Po po qashtu, çka me bo…”.
Përgjigjet me zërin që i dilte i ngjirur nga mjekrra që dridhej. E dëshpëruar deri në asht, përfundon bisedën madje pa u përshëndetur fare. Emocionet e kishin përpirë të tërën të shkretën. Pa vëmendje e fut telefonin në xhepin e majtë të setrës që rri gjysmë hapur nga barku i rrumbullakët nën këmishë. Me shuplakë të dorës, të enjtur nga barra, largon e shkujdesur perden e dritares dhe vështron në hapësirë, pa ndonjë qëllim, koti. E kthen me qëllim paksa shpinën, dhe zë të qajë. Shpejtë për të mos e parë njeri, fshin lotët me gishtërinjë e duarve që i dridheshin. Kishte manykirin rozë sa për të vërtetuar faktin se po mbante vajzë.

Fshiu lotët edhe një copë herë, dhe me nervozizëm nxorri nga çanta një copë letre. Ishte raporti i gjinekologut. Po lexonte me vëmendje gjetjen sikur dëshironte të verifikonte mos rastësisht ishte ndryshe. Derisa lëvizte sytë në shkronjat e raportit, lotët kokërr i binin mbi raportin që kishte në prehër. Të njomur e bëri palë palë me kujdes- sikur një fshehtësi që nuk flitet e përflitet. Tani po shikonte pamjet e ultratingullit dhe me butësinë që vetëm një nënë mund t’a ketë, përvijonte lehtazi siluetën e së bijës. E qante akoma pa e bërë e parë!

Autobusi u ndal midis tollovisë së orës 5 pasdite. Që të dyja ndanim të njëjtin stacion. Ajo u ngrit e rrumbullakësuar, duke hapëruar shkallëve pa kujdes.  Ishte më e re se unë përkundër pamjes së dërrmuar që kishte marrë tani. Po luftoja me kurreshtjen time për t’a ndalur dhe për t’a pyetur: “Sa vajza ke te shpija?” dhe më shumë se gjithçka, t’a përqafoja si një grua një grua tjetër e t’i thoja se do bëheshte mirë. Që jo shumë kohë nga kjo ditë, ajo siluetë e ultra-tingullit do të jetë bija jote, që do t’a mbash në përqafim dhe përherë sa të jetë jeta, në zemër.

Se do të bëhet mishi kokërr sa herë që ajo do të të qajë në netët e vona, kur ti palodhshëm do t’a marrësh në gji dhe ky do të jetë momenti më kulminant i jetës sate. Se do të vije të qash nga gëzimi sa herë që do t’i krehësh kaçurrelat e buta të saj. Se do t’a duash dhe t’a mbrosh me të njëjtin përkushtim dhe vetë-mohim si kur e linde…

Por, para se të zgjasja dorën e t’a prekja në shpatull, ajo hyri në një nga ndërtesat e lagjes. Unë vazhdova rrugën me buzën në vaj, e tronditur krejtësisht. Po paragjykoja fatin e asaj vajze akoma të pa-lindur, e cila nuk kishte zgjedhur për të qenë aty ku ishte. Çfarë do të ishte jeta e saj, kur e qajnë akoma pa lindur?! Në atë çast me keqardhje dhe me një hidhërim në lukth, e kuptova se koha e Besnikut dhe Sikur të Isha Djalë akoma s’ka mbaruar.

Mu kujtua shtatëzania ime e parë. Në kontrollin e muajit të 5-të të barrës sime, krejt rastësisht dhe pa interesim kishim kuptuar gjininë  e fëmijës tonë. Disi e kisha ndjerë që në fillim se mbaja vajzë. Memzi prisja rrobet rozë, flokët me karfica dhe dramat që vetëm princezat e vogla dijnë t’i krijojnë. E doja tani edhe më tepër se ishte vajzë. Memzi prisja ta takoja, t’a ledhatoja dhe t’a siguroja se gjithçka do të shkonte për së mbari. E falemnderueshme për bekimin e parë! E sidomos kur gratë dhe vajzat, me kurreshtje herë herë të frikshme, me duartë mbi bark, më pyetnin në e kisha djalë, shkaku i barrës së lartë. Ndërkaq që kur u thoja që po prisja vajzë, vërrenjteshin në fytyrë dhe më ngushëllonin se isha e re dhe se do t’a gjeja edhe djalin. Më mirë të më kishin rënë shuplakë fytyrës! Ndjehesha sikur duhej në në turp të kaloja shtatzaninë e të prisja në heshtje dhe pa senzacion, lindjen solemne të vajzës sime të parë. Thjeshtë, më vinte për të vjellur!

Pastaj, në shtatëzaninë time të dytë, krejtësisht të befasishme e të pa-ditur deri në muajin e tretë, pasi kisha kaluar fazën e shokut dhe pajtimit, që prapë do të flija nga 5 në 2 orë të pandërprera gjumë, kisha dëshiruar prapë vajzë. Tani, për t’i bërë Borës një motër- të mos ma zëjë për të madhe Mali! Barku edhe këtë herë më qëndronte më lartë. Por tani nuk guxonin të predikonin se kishin gabuar herën e parë. Këtë herë ishte djalë. Meqë ishte fëmija e dytë, nuk kisha hamendje më për ndjenjat ndaj tij. E dija se do t’a doja poaq sa Borën, pa kusht, pa kufij dhe pa u ndalur deri në frymën e fundit. Por tani grave u interesonte reçeta për të bërë djalë, menjëherë pas vajzës. Prapë më vinte për të vjellur me injorancën dhe mungesën e kulturës së njerëzve, derisa në kokë më silleshin përgjigjet e pa-dinjitetshme që doja t’u jepja, në ndonjë rast tjetër…

E tronditur, arrita në shtëpi, madje kisha harruar të blija vezë dhe bukë. Në derë më pritnin dy fëmijët e mijë të shëndoshë, të hareshëm, të mrekullueshëm! Thjeshtë, më të mirët se janë të mijtë! E sa për reçetën...mendja te gjinia më shkon vetëm atëherë kur mësohemi të përdorim toaletin, të blejmë çizme për dimër dhe kur duhet prerë flokët!

Komento

loading
loading
loading