Qëndrime - Kolumna

Tkurrja e numrave

Heshtja e numrave nuk e zgjidh problemin se Maqedonia po tretet, me pak dyshim që kjo ndodh tek të gjitha grupet etnike dhe pa përjashtim. Makiato-analizat që bazohen mbi pritjet për ribalanset e mundshme etnike janë plotësisht të gabueshme

E. Z     ( lexuar 680 herë )       11:56 14.08.2012
Gjakush Kabashi

Gjakush Kabashi

Është ndjenjë interesante kur dëgjohen vlerësimet për gjendjen në Maqedoni nga raportuesit e huaj. Pak befasi, shumë zhgënjim dhe një dozë e caktuar e mazokizmit se po, keq jemi dhe shyqyr që kjo të paktën regjistrohet. Zhvillimet gjatë dy dhjetëvjeçarëve të pavarësisë, të përforcuara me dështimet e fundit pasqyrohen edhe në morinë e vlerësimeve negative që i adresohen Maqedonisë. Pak ditë para Vitit të Ri, nisi zanafilla me artikullin nga The Washington Post, ku Kryeministri Nikolla Gruevski ishte i radhitur në krye të listës së udhëheqësve sipas moshës së marrjes së pushtetit. Duke qenë në shoqëri me udhëheqësit e vendeve si Suazilandi ose Korea e Veriut, kuptohet që kategorizimet e këtilla nuk janë aspak prestigjioze, pa dallim faktit që vlerësohet vetëm mosha e pushtet-marrjes, duke mos i përjashtuar edhe interpretimet tjera që mund të ndërlidhen. 

Kaluan dy javë dhe Maqedonia kryesoi një listë tjetër, kësaj rradhe të bazuar në shifra konkrete të revistës The Economist, që na shpalli fitimtarë sipas Indeksit të mizeries. Me kombinimin e nivelit të papunësisë dhe inflacionit, Maqedonia rezultoi në krye të listës, e pasuar nga Venezuela dhe Irani. Në ndërkohë erdhën vlerësimet nga Amnesty International dhe Raportuesit pa kufij, së bashku me raportet e rregullta nga Departamenti i Shtetit, duke na lënë në ankth të vlerësimit nga Brukseli. 

Raportet e këtilla u kurorëzuan në goditjen më serioze dhe po aq konkrete të gushtit: sipas Bankës Botërore, 22% e popullatës së vendit tashmë ka emigruar – 30% prej të cilëve janë me arsim universitar! Kjo na rangon në krye të grupit Evropë/Azi qëndrore, dukshëm më keq se vendet me popullatë të krahasueshme, si që janë Moldavia ose Armenia. Domethënia e këtyre numrave kuptohet më së miri nëse i krahasojmë ato me të dhënat e fundit nga Enti statistikor i Maqedonisë. Sipas të dhënave zyrtare dhe duke i anashkaluar mangësitë që rrjedhin nga regjistrimi dhe kalkulimet vijuese, rreth 60% e popullatës në Maqedoni ka arsim universitar dhe këtu llogariten të gjithë qytetarët, përfshirë edhe pensionistët. Në mungesë të të dhënave zyrtare, supozohet që largohet kuadri me përgatitje më të mirë dhe potencial më të lartë për zhvillimin e shoqërisë. 

Ajo që është më habitëse dhe që i tejkalon pritjet optimiste është raporti mes dëshirës për largim dhe besimit në forcën e votës. Indeksi i mizeries i pasqyruar në gjendjen e mjerueshme ekonomike dhe mundësitë e zhvillimit supozohen lehtë si arsye për emigrim. Por, kjo nuk është motivi i vetëm. Në fakt, një hulumtim i vitit 2010 mbi ‘Pjesëmarrjen qytetare, përfshirjen sociale dhe problemet e nxënësve të shkollave të mesme” nga Forumi rinor arsimor zbuloi që 45% e gjimnazistëve nuk e shohin veten në këtë vend pas dhjetë viteve, kurse 70% e të anketuarve besojnë se nuk kanë ndikim mbi vendimet që merren nga pushteti dhe andaj nuk mund të ndryshojnë asgjë. Thënë ndryshe, momenti ekonomik duket se nuk është shkaku i vetëm, por kërkohet një perspektivë dhe dinjitet për jetën në të cilën ata mund të ndikojnë. 

Të dhënat statistikore shpesh krahasohen me bikinit – çdo herë e fshehin pjesën esenciale të fakteve. Por, çka fsheh statistika e Maqedonisë dhe numrat e cekur? Për dallim prej Kinës, e cila e përfundoi regjistrimin e popullatës më të madhe në botë për vetëm 11 ditë, në Maqedoni askush nuk e di se sa banorë jetojnë - si që nuk dihen as arsyet për dështimin e përpjekjes së fundit për regjistrim. Të humbur në allësh-verëshet ditore që mbulohen me mbrojtjen e interesit kombëtar – në pronësi ekskluzive partiake – mbetet fakti që Maqedonia si shtet-kandidat për BE nuk ka ide mbi të dhënat themelore për veten, përveç bindjeve paralele që secili grup etnik i ka krijuar për arsyet e regjistrimit të dështuar. E në ndërkohë, numrat po tkurren. 

Heshtja e numrave nuk e zgjidh problemin se Maqedonia po tretet, me pak dyshim që kjo ndodh tek të gjitha grupet etnike dhe pa përjashtim. Makiato-analizat që bazohen mbi pritjet për ribalanset e mundshme etnike janë plotësisht të gabueshme, meqë vendi tashmë ka mungesë serioze të kapitalit njerëzor cilësor. Iluzioni se rritja e numrit të shqiptarëve një ditë do t’i zgjidh problemet ekzistuese janë sa të pabaza, aq edhe të dëmshme. Mjafton të shihet raporti i popullatës izraelite në rajonin e dominuar nga arabët që të kuptohet se numrat nuk e nënkuptojnë cilësinë e jetesës ose mundësisë për prosperitet. Po aq absurde dhe qesharake janë pritjet në drejtim të kundërt, se zvogëlimi i numrit të shqiptarëve do ta abrogon aplikimin e përfitimeve skajshërisht të manipuluara të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo është një rast tjetër kur gjendja e mjerueshme merr interpretime të ndryshme përgjatë vijave etnike, duke u ballafaquar me një shtet pa perspektivë dhe udhëheqësi ultra-populiste.   

Me një sistem të këtillë të rrënuar, arsim jokonkurrent dhe vërshim nga universitete që lirisht mund të shndërrohen në bursa për shitblerjen e diplomave, jo vetëm që është e palogjikshme të priten përmirësime, por madje duhet të jemi të kënaqur që nuk jemi edhe më keq. Ironikisht, nuk duhet të brengosemi për ardhmërinë, meqë ardhmëria duket tejet e zymtë. Mjafton të shihen arsyet e largimit – njerëzit kërkojnë perspektivë dhe dinjitet për vete, si shpërblim për qenien e tyre të shprehur përmes votës. Fushatat mediatike ofrojnë shpëtim momental nga realiteti, administrata e stërngarkuar jep pak shpresë për ikje minimale nga deti i pafund i papunësisë dhe premtimet për ardhmëri me ngyra nuk vjetërohen. Por, duket qartë që kjo nuk jep rezultate deri tani dhe ka pak gjasa të jep në të ardhmen.  

Fakti që shumë të rinjë arrijnë suksese të jashtëzakonshme dhe karriera lakmuese jashtë vendlindjes tregon që ka potencial dhe vullnet për punë dhe rezultate. Por, si edhe çdo energji tjetër, në qoftë se ky potencial nuk shfrytëzohet këtu, do të realizohet dikund tjetër dhe nuk ka folklor patriotik që mund ta ndalojë këtë. Heshtja e këtij problemi nuk zgjidh asgjë, përveç që e tregon arrogancën institucionale se puna dhe investimet virtuale janë vetëm një hap larg – njëjta sa edhe pika e parë kufitare. Mbi të gjitha, në qoftë se në të kaluarën arsyet e largimit kanë rrjedhur nga diskriminimi etnik dhe politik i shprehur përmes izolimit ekonomik, emigracioni bashkëkohor ndodh në rrethana plotësisht tjera, që e nënkupton edhe ndarjen e fajësisë për ikje. Fajësi për mungesën e perspektivës, që nuk fshihet as nga mbjellja e qindëra monumenteve e as nga premtimet e  pafund për integrime.      

Komento

loading
loading
loading