Qëndrime - Kolumna

Diell ose shkujë, pyetja është tani?

Saktë, si një analist kimik, mund t’i ndash fjalët sipas intensitetit të ndikimit të vapës mbi njerëzit që i shqiptojnë këto fjalë

N. A.     ( lexuar 592 herë )       23:58 19.07.2012
Ramadan Ramadani

Ramadan Ramadani

Lajme lidhur me temën

  • Nuk ka lajme lidhur me temën

Njëra nga mënyrat efikase për përballje me vapën në këto ditë të nxehta verore është edhe refuzimi për të menduar shumë mbi vapën. Por, pasi vapa është e pashmangshme edhe si ide edhe si mendim, rrallë herë arrijmë ta përjashtojmë nga të folurit, si dhe mendimin rreth saj.

Megjithatë, mbetet një mënyrë tjetër e eskapizmit. Ajo është njëfarë ikjeje, por jo për jashtë por një ikje për brenda. E ajo mënyrë është që duke menduar rreth të nxehtit, me të drejtë, thellohesh aq shumë në të, ashtu që fillon të mos e hetosh vapën. Kështu për shembull mund të analizohen efektet e motit të ngrohtë mbi reagimet e njerëzve dhe fjalëve të thëna nga ata.

Saktë, si një analist kimik, mund t’i ndash fjalët sipas intensitetit të ndikimit të vapës mbi njerëzit që i shqiptojnë këto fjalë. Vetëm pas klasifikimit të atyre që i ka goditur dielli dhe të përmbajturve, ata fatlumët me ajër-kondicioner apo ata që ndodhen në ndonjë hije të trashë, mund të gjykohen apo të justifikohen fjalët dhe njerëzit që i thonë ato fjalë.

Në Maqedoni ka shumë ligje, akte dhe vepra, madje edhe institucione të tëra, të cilat janë si të goditura nga dielli. Madje, pasi tek ne shumë pak punohet në dekontaminimin e fjalës publike, mendoj se një analizë e shkurtër e disa deklaratave të këtyre ditëve do të vlerësohej si një kontribut modest për atë se çka janë ato që mund të arsyetohen me diellin dhe vapën, dhe çka nga ajo është shqiptuar me gjakftohtësi.

E para në radhë sigurisht është deklarata e kryetarit të qytetit Koce Trajanovski. Mund të ketë kontestime rreth asaj se nëse fjala e inçizuar gjatë neglizhencës së atij që e shqipton konsiderohet si deklaratë, porse sharja është deklaratë, ajo është më se e qartë nga të qenurit e sharjes gjë kategorike, vetvetiu. Të vetëdijshëm për vendndodhjen e shqiptuesit të fjalëve (asfalti i nxehtë) dhe çastin e pasigurisë për ardhmërinë e vet të afërt (mundësi reale për t’u kthyer në fshat pas postit të kryetarit të qytetit) çdo analizë këto fjali do t’i justifikonte me atë se janë shqiptuar nën ndikimin e të nxehtit, nga ana e një njeriu të goditur nga dielli.

Por kjo vlen vetëm për njerëzit. Çka bëjmë me atë shenjë komunikacioni në një rrugë të Shkupit ku bashkë me numrin 50, janë shkruajtur disa shkronja:.. Koce! A thua vallë ka goditur dielli edhe në shenjën, kështu që pesëdhjetëfish ia kthen përshëndetjen kryetarit të qytetit? Apo edhe këtu ka dikush që drejtpërdrejt, me gjakftohtësi, ka gisht duke i ndihmuar shenjës që të përshëndes? Siç ka qenë rasti, thonë, me zbardhjen e fytyrës së përmendores së Todor Aleksandrovit, ku drejtpërdrejt kishte gishtërinj, të bukur e të gjatë, me gjithë thonjë, të një këshilltareje nga radhët e opozitës.

Deklarata e dytë është ajo e Ali Ahmetit, ende, një lider në pozitë. Ai deklaron se tek opozita shqiptare ka pasur frikë, ndonëse frika për nga definicioni është tek ai që ka çka humb. Çka të frikësohet opozita, se do të mbetet në opozitë? Por, ta evidentojmë vendndodhien e liderit të BDI-së dhe dëshmitarët e kësaj deklarate – ambasadori indian, biznesmenë, ministra apo investitorë. Çka do qofshin ata indianë, ata janë të mësuar me diellin dhe vapën ashtu që për sqarimin e kësaj deklarate duhet të përkujtojmë një dukuri tjetër natyrore. Ajo dukuri nuk ka term ndërkombëtar të etabluar, nuk është e regjistruar nëpër internet - enciklopeditë në anglisht, dhe si pasojë e kësaj nuk ndodhet as në enciklopedinë, prej brenda të ndaluar, të AMSHA-së. Po ajo dukuri ekziston dhe ne i ndjejmë pasojat, edhe në verë edhe në dimër.

Mu në stinën e verës, atëherë kur më së shpeshti në të harrojmë, duke shikuar se si të freskohemi dhe si të ajrosemi, na kap shkuja! Duke ndjekur ngërdheshjen e fjalëve dhe të gjestikulacioneve të fytyrës, disa deklarata mund të sqarohen vetëm me shkujë! Në fakt, atë pak që bënë dy partitë opozitare është se hapën një dritare e cila kurrë më herët nuk ishte hapur kështu publikisht. Me të vërtetë, ato ishin do qepenë palidhje të një pompe karburanti afër Grupçinit, dhe tani për tani janë të hapura vetëm pak, por megjithatë prej tyre fryen! Në të vërtetë, fryn furishëm, gjykuar sipas numrit të komenteve, thurjeve dhe deklaratave nga dyja partitë në pushtet! Por ka një dallim në atë se si sillen këto dy parti. Kryeministri, një fatlum me ajër-kondicioner, ende nuk bën shumë hesap, a është diell apo shkujë, ashtu që i vonohet agait turk me rrokaqiejt, i cili e fillon ceremoninë pa të, dhe madje në fjalim e përkujton se sot je kryeministër, e nesër mund të mos jesh.

Njeriu i parë i BDI-së megjithatë edhe në këtë rast dëshmoi se është më dinak se kryeministri. Ai, me siguri nga ajo se nuk ka jetuar nën ajër-kondicioner, jeta e kaluar ose në bodrume ose në mal, e mësoi më shumë edhe për diellin edhe për shkujën. Ashtu ai u nis për në hijen e madhe të shqiptarisë që aty të strehohet. Por e keqja kur mbështetesh vetëm në fat dhe dinakëri, pa patur dije dhe aftësi, është në atë se edhe fati mbaron. Kjo në fakt edhe do ndodhë për shkak se në atë hije të shqiptarisë, të cilën ai e zgjodhi, tashmë veç e presin Marrëveshja kornizë e Ohrit, gjuha shqipe, integrimet evroatlantike, rasti gjyqësor i MPB-së për Smillkovcin, ambasadori Elenovski dhe nja dyqind e kusur çështje tjera konkrete të cilat këtyre ditëve ia parashtroi një bashkëpunëtor i afërt i tij shumëvjeçarë!


Komento

loading
loading
loading