Qëndrime - Kolumna

Thyerja në Beograd

Faktori politik shqiptar në Maqedoni duhet të kërkojë – dhe të japë përgjigje – për mbështetjen eventuale të Vuk Jeremiçit, i cili nuk lëshon mundësinë për ta nënvizuar faktin që zgjedhja e tij do të shfrytëzohet për bllokimin e Kosovës

N. V.     ( lexuar 784 herë )     Shkup 09:16 18.06.2012
Gjakush Kabashi

Gjakush Kabashi

Inaugurimi i Kryetarit të ri të Republikës së Serbisë gjatë javës së kaluar ishte ngjarje e jashtëzakonshme për disa arsye. Së pari dhe më domethënëse sipas rëndësisë, është fakti që shumica e shteteve-fqinje të Serbisë vepruan në mënyrë të njëjtë, pa koordinim ose shtytje nga vendet perëndimore. Në mesin e 1200 pjesëmarrësve nuk kishte Kryetarë tjerë, përveç atij të Malit të Zi dhe përfaqësuesit nga Republika serbe e Bosnjës, i cili për shkak të statusit, nuk shquhet për agjendë të ngjeshur ndërkombëtare – anash vizitave të rregullta në Beograd dhe pritjes nga nivelet më të larta në Shkup, që edhe më tej mbetet enigmatike. 

Mohimi i gjenocidit në Srebrenicë ishte arsyeja për mungesën e Kryesuesit të Bosnjë dhe Hercegovinës, ndonëse prania e përfaqësuesit serb të Kryesisë e shfaqi edhe një herë fragmentimin e Sarajevës zyrtare. Kryetari slloven dhe ai kroat e publikuan me kohë arsyen për mosardhjen e tyre në Beograd, duke kërkuar nga Tomisllav Nikoliqi të heq dorë nga idetë ekspansioniste, përfshirë edhe deklaratat e mëhershme të këtij të fundit për Vukovarin si qytet serb. Kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ishte i fundit sipas paralajmërimit të mungesës, që si pasojë e shkaktoi tërbimin e partive politike serbe në Maqedoni. Ajo që e dallon Shkupin zyrtar nga vendet tjera të cekura, është mos shpallja e arsyeve për mungesën e Kryetarit Ivanov, që mbase duhet të publikohen duke e pasur parasysh seriozitetin e ngjarjes. Me ironinë e krahasimit, tani u përsërit historia e pranimit të pavarësisë së Kosovës: Kroacia dhe Sllovenia vepruan bashkë, Bosnja mbetet ndarë për shkak të qëndrimeve të paharmonizuara, kurse Maqedonia e priti trenin e fundit – edhe atëherë duke mos qenë e sigurt se si duhet vepruar. 

Në ndërkohë, prania e Komisionarit të BE-së për zgjerim, Shtefan Fyle i dha një dimension të veçantë ceremonisë së inaugurimit, që detyrimisht ngrit edhe disa dilema tjera. Pa e mohuar rolin qenësor të Serbisë në rajon dhe pozitën që e ka kundrejt Brukselit, parashtrohet pyetja se çfarë porosie dërgon mbështetja e pakushtëzuar e BE-së për Serbinë. Një pyetje e këtillë mund të bazohet edhe në dallimin cilësor ndërmjet rezolutës së Parlamentit Evropian të vitit 2009, me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë, kundrejt votës së Tomisllav Nikoliqit dhe partisë së tij që e refuzoi votimin e një rezolute më të butë një vit më vonë, duke e kushtëzuar Parlamentin e Serbisë që së pari të pranohen krimet ndaj serbëve dhe pastaj të vetë-gjykohen serbët.

Pikërisht për simbolikën e pajtimit dhe ndërtimit të ardhmërisë evropiane, është absurde të pritet që Ballkani duhet ta arrijë atë që e ka arritur Evropa pas Luftës së dytë botërore, ndërkohë që Serbia vazhdon të tregojë sjellje diametralisht të kundërt duke i mohuar ose minimizuar aktet që tashmë janë dënuar në nivel botëror.Së këndejmi, mbështetja e premtuar nga Brukseli për ardhmërinë e Serbisë nuk duhet të ndërtohet mbi kufomat për të cilat Beogradi zyrtar ka treguar injorim të vazhdueshëm. Për më tepër, këtu ngrihet pyetja se çfarë porosie i dërgohet viktimave – atyre në Bosnjë dhe Kosovë, por edhe ndaj ringjalljes së fashizmit në Greqinë e Bashkimit Evropian.

Thyerja tjetër ishte në drejtim të kundërt, kësaj radhe me zgjedhjen e Ministrit të jashtëm serb, Vuk Jeremiç si Kryetar i Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sipas fjalëve të tij, kjo zgjedhje vjen si rezultat i 100 kryeqyteteve të vizituara si pjesë e fushatës,  drejt arritjes së qëllimit për promovimin e ‘fytyrës së re’ të Serbisë. Në vend që ta shohim suksesin e tij nga prizmi kombëtar, duhet të jemi shumë më pragmatik dhe të mendohemi për shkallën e evolucionit të pozicionit serb, krahas gjendjes mbarë-shqiptare të ngujuar në intrigat politike ditore, korrupsionin e institucionalizuar dhe folklorin e oxhakut. Prej këtij këndvështrimi, vlen të parashtrohet pyetja se si votoi Republika e Maqedonisë në Asamblenë Gjenerale? Sipas mediave maqedonase, delegacioni i Shkupit zyrtar mbajti pozicion neutral.

Nga ana tjetër, tashmë Kryetari i Asamblesë Gjenerale, Vuk Jeremiç i falënderoi Maqedonisë dhe Malit të Zi për mbështetjen gjatë votimit. Duke e ditur sasinë e informatave që në Shkup arrijnë nga Beogradi dhe duke mbajtur llogari për fshehtësinë e votimit që nuk zbulohet nga Kombet e Bashkuara, është e radhës të kuptohet pozita e Ministrisë tonë të jashtme. Nëse jo për diçka tjetër, votimi kundër kandidatit lituanez të BE-së tregon një qëndrim të ndryshëm nga orientimi i proklamuar ndaj Brukselit. Në të njëjtën kohë dhe të paktën për kontributin e dhënë gjatë 30 pranverave të dinjitetit dhe pranimit të pavarësisë së Kosovës, faktori politik shqiptar në Maqedoni duhet të kërkojë – dhe të japë përgjigje – për mbështetjen eventuale të Vuk Jeremiçit, i cili nuk lëshon mundësinë për ta nënvizuar faktin që zgjedhja e tij do të shfrytëzohet për bllokimin e Kosovës.   

Për fund, analiza e ngjarjeve javore nga Beogradi do të ishte gjysmake pa njohjen e revolucionit në pozitën e Tiranës ndaj bashkëpunimit rajonal. Bllokimi i deklaratës përfundimtare të Procesit të bashkëpunimit në Evropën juglindore është një hap i natyrshëm, ndonëse shumë i vonuar. Realiteti i ri pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk mund të injorohet, aq më pak kur 7 prej 12 shteteve të këtij procesi tashmë e kanë pranuar atë. Duke e njohur ndryshimin e realitetit dhe qëndrimit të Tiranës zyrtare, mbetet të kuptohet që biseda për bashkëpunim rajonal pa pjesëmarrjen e të gjitha shteteve është një hipokrizi e veçantë. Shqipëria e bëri hapin që pritej me kohë dhe kjo duhet përshëndetur - aq më tepër kur mbeti e vetme në veprimin e këtillë, pa mbështetjen e shteteve shumë më të fuqishme të këtij procesi, si që është Turqia, që kishte mundësi ta dëshmojë përkrahjen e saj.


Komento

loading
loading
loading