Qëndrime - Kolumna

Heshtja

Vite me radhë na vozitë ashtu si ka qef vet një Don Kihot, kurse ne në vend që t’i kundërpërgjigjemi me diçka madje qoftë që i gjason një lufte me mullijtë me erë, ne këthehemi andej kah fryen era

E. Z     ( lexuar 1212 herë )       11:08 16.06.2012
Mersel Bilalli

Mersel Bilalli

Një filozof budist mendon se ekzisojnë katër lloje heshtjesh: heshtja nga dinjiteti, heshtja nga mosdija, heshtja nga frika dhe heshtja nga faji. A ne sikur kemi talent mbi mesatar, madje të tepruar për heshtje, por akoma nuk e kemi kuptuar mirë veteveten se për çka heshtim?

Definitivisht realiteti hendikap i organizimit politik shqiptar është duke dalë mbi sipërfaqe, bashkë me një dozë goxha të madhe të deficitit moral. Më së shpeshti doza e moralit matet me ate se sa jemi të gatshëm që me ndërgjegje të pastër ta kuptojmë peshën e përgjegjësisë tonë. Vite me radhë është duke na vozitë ashtu si dëshiron vet një Don Kihot, kurse ne në vend që t’i kundërpërgjigjemi me diçka madje qoftë që i gjason luftës me mullijtë me erë, ne këthehemi andej kah fryen era. Një Gruevski me fuqi lilipute i lejohet me shumë komoditet që të tallë dinjitetin e një populli dhe orientimet e tija strategjike. Ai tani më ia ka tejkaluar retorikës së Millosheviqit kur sulmon përfaqësuesit e Unionit Evropian dhe të NATO-s, duke i fyer, ofenduar dhe nënçmuar ata. Edhe këtu brenda ka se cilin ta sulmon. Ata janë kundërshtarët politik të selekcionuar dhe shiptarët në përgjithsi, të cilët falë organizimit të vet janë humbur në hapsirë dhe kohë. Me paratë e tyre Gruevski tani ndërton antikën e fabrikuar dhe maqedonizmin e rejshëm. Pra, në qendër është duke ndërtuar piramida, kurse për rreth mbetet e gjithë shkretirë. Politikat mund të ndryshojnë dhe të evulojnë, por asnjëherë më në të ardhmen nuk do të ndodhë që sheshi i kryeqytetit të marrë fizionominë multietnike. Kush do ta mbajë përgjegjësinë mbi supet e veta për këto dështime epokale? Heshtë edhe opozita shqiptare sepse ka hesapet e veta. Heshtin edhe intelektualët sepse nuk janë të tillë. 

Injorohen projekte vitale zhvillimore, vazhdon ekzodusi i të rijve jashtë, shkelen të drejtat dhe liritë elementare njerëzore, shkelet dinjiteti kolektiv, fjala e lirë është shndëruar në një minut heshtje, mbyllen mediume dhe dënohen gazetarë, kurse ne vazhdojmë me kokëfortësi të heshtim. Opozitës shqiptare sikur i është zënë bishti derisa t’i legalizojë bizneset dhe keqpërdorimet. Prandaj duhet të heshtë. Po, edhe ashtu kompozicionet e partive opozitare mundohen t’i vënë në lëvizje lokomotiva të vjetërsuara ma avull, në kohën kur tjerët i afrohen shpejtësisë së zërit.

Por, ja heshtja u thye nga partia shqiptare në pushtet. Pasi heshtja nuk mundi të thehet në shpinën e Gruevskit ajo u thye në shpinën e disa intelektualëve shqiptarë për ate se kishin deklaruar se edhe shqiptarët kanë përgjegjësi për konfrontim me gjithë botën. Paskan qenë të paguar nga Crvenkovski i cili dashka t’ua prish idilën dhe romansën në ,,Ilindenska,,. A e vërteta është se edhe ky Crvenkovsk nuk paraqitka diç më tepër se një lokomotive me avull. 

Deklaratat boshe të përfaqësuesve shqiptar në qeveri për “euro-optimizmin” dhe “progresin për në UE” janë vetëm një tentim humoresk që me gjethe fiku të mbulohen pjesët e turpshme të trupit. Kurse gjithë e shofim kur një mediokritet si person kyç i shtetit në çdo paraqitje konzumon populizëm negative duke plotësuar në tërësi interesat e veta dhe të partisë së tij, madje duke u tallur me popujt tjerë dhe me bashkësinë ndërkombëtare në tërësi. Me siguri se një tolerancë kaq e madhe, nuk mund të vijë nga ndonjë ideal madhor, por nga dashuria e madhe ndaj tenderave. Qenka problem emri i shtetit dhe ne duhet t’i kuptojmë emocionet e Gruevskit edhe atëherë kur ai i shkelë tonat. Madje edhe disa sodazhe sikur treguakan se edhe një pjesë e shqiptarëve qenka e brengosur për emrin. Përse emri nuk ishte problem në kohën e Lubço Georgievskit, apo të Buçkovskit kur Maqedonia pat fituar statusin e kandidatit dhe partneritetin për paqë? Grekët atëherë jo vetëm që nuk penguan, por edhe ndihmuan. Po ajo qeveri e Buçkovskit u rrëzua me ndihmën e Crvenkovskit dhe Petkovskit.

Në fakt, pas njohjes së emrit “Maqedoni” nga SHBA, Greqia ishte në nokdaun dhe nuk përmendej më çështje e emrit. Erdhi në pushtet Gruevski dhe me provokimet e tija nacionaliste ua forcojë pozicionet Grekëve. Me antikën e tij të gjithë neve na këtheu në kohën antike. Tani, problemi me emrin duhet të mbetet vetëm çështje e tij dhe çdo flijim i interesave të popullit për ruajten e rejtingjeve dhe bizneseve të tija dhe të njerëzve për rreth qeverisë paraqet përgjegjësi historike.  
Tani pozita e popullatës shqiptare në Maqedoni është edhe më e mjeruar, por koshienca dhe ndërgjegja e elitës politike shqiptare gjithnjë e më pak kafshon, pasi ajo që moti ose është humbur diku ose është këmbyer për krim-profitin. Jemi zënë në rrjetin e një marimange ku çdo gjë tjetër funksionon përveç asaj që është normale, logjike dhe morale. Jeta e njerëzve të rëndomtë shkatërohet proporcionalisht degjenerimit të moralit të udhëheqësve jo të rëndomtë. Njerëzit e zakonshëm duhet të jetojnë në mjerim pasi ata të pazakonshmit duhet të jetojnë në begati. As që mund të pritet ndryshe kur statusin e drejtuesve të fatit njerëzor e përcakton patriotizmi i rejshëm dhe demagogjia, në vend të idealit dhe punës. Pra, fatin na e përcakton patriotizmi që permanent konvertohet në para. E njohur është se çfar fuqie magjike ka paraja. Ajo kohën, hapsirën dhe fjalët i shndërron në vlera jo funksionale, kurse moralin, parimet dhe ligjet i bënë jo ekzistentë. Në fakt, kur flet paraja heshtin gojërat, hesht morali, vdes patriotizmi. 

Kundërvënia pushtetit është çështje fare e lehtë për ata që kanë moral. Protestat masovike janë e drejtë legjitime e të paknaqurve. Vetëm ashtu pushteti do të bjenë në gjunj. Ska gjë më efektive dhe më demokratike. Lufta, atje ku qoftë (për politikan analfabet). Por, problemi qëndron aty se pjesa dërmuese e elitave shqiptare “patriotike” lokale e qendrore, të fundit e kanë interesin e popullit. Popullatës i nevojitet vetëorganizim demokratik në formë të një sindikalizmi qytetar. Vetëm kushtu shqiptarët mund të zgjohen dhe do të mund t’i ndihmojnë vetes, familjes dhe shoqërisë së tyre. Qëndrimi indiferent vetëm se do ta shtojë agoninë dhe ekzodusin nga vendlindja. 

Përndryshe njerëzve do tu mbeten vetëm lutjet boshe derjtuar Perëndisë: Zot i Madhë, na ruaj nga qeveria e cila ngrit përmendore dhe rrëzon njerëz; na shpëto nga patriotë lokalë e qendrorë që në emër të Zotit punojnë për demonin; na ruaj nga profetët që besojnë në çfardo zoti përveç atij të vërtetit; na ruaj nga ata që fjalën e lirë e shëndëruan në një minut heshtje; nga ata të cilët reklamojnë diturinë duke proklamuar injorancën; nga ata të cilët me veprime të ulta ndërtojnë rejtingje të lartë; na shpëto nga liderë ofendues, etiketues, që mbjellin urejtje, të përkrahur nga klerikë e fanatikë; na kurse nga poet që shkruajnë vargje të satanës; na ruaj nga udhëheqës lokal e qendrorë, të cilët po të humbin zgjedhjet humbin edhe mendjen. Por, para se gjithash, na shpëto nga vetvetja, pasi të njëjtit i zgjedhim vet.

Por, t’i lejmë anësh lutjet, pasi nuk ka shumë shpresë nga to. Ne duhet të kuptojmë se ata liderë gjinden atje pasi ne jemi këtu. Se ne jemi të varfër pasi ata duhet të jenë të pasur. Ne duhet të mësohemi që më shumë t’i vlersojmë ata që bëjnë qoftë edhe një punë më të vogël, se sa ate që flasin vetëm fjalë të mëdha. Duhet të mësohemi që njerëzit t’i vlerësojmë në bazë të idealeve dhe punës, e jo në bazë të plakateve dhe aplauzëve. Duhet të kuptojmë se ata që premtojnë shumë nuk ofrojnë as të pakën. Duhet të dijmë se dikend ndërgjegja aspak nuk e kafshon, pasi ate nuk e ka fare. Dhe së fundi duhet të kuptojmë se arsya se pse ndeshemi me shumë kriza (krizë organizimi, krizë përgjegjësie, krizë morali dhe krizë ekzitence), është se vet kemi krizë mentale. Ndoshta nuk heshtim nga dinjiteti.

Komento

loading
loading
loading