Qëndrime - Kolumna

Klithma prej shishes

Intrigat jodinjitoze për marioneta e patate tingëllojnë mjaft të mjera derisa qëndroni në prehrin e dikujt që ju shumëzon me zero

N. V.     ( lexuar 953 herë )     Shkup 09:26 07.06.2012
Arsim Zekolli

Arsim Zekolli

"Në një dhomë gjysmë të errët
i mbyllën sytë e vet
i shtrinë gishtat e bardhë
dhe e pëshpëritnin emrin e tij"
Atomsko sklonishte

Në numrin e kaluar e trajtuam intervistën e kryeministrit pas samitit në Çikago. Fatkeqësisht, nën hijen e saj kaloi intervista tjetër, ajo e partnerit të tij qeveritar e dhënë për kanalin MTV2, e cila mundësoi një vështrim mjaft të mirë e të thellë brenda raporteve në koalicion dhe gjendjes së partisë shqiptare në qeveri. 

Përshtypja e parë e rëndësishme prej kësaj interviste është që, për dallim prej intervistës së shkurtit në televizionin e njëjtë me dozë mjaft të lartë të vetëbesimit dhe euforisë, kësaj radhe z. Ahmeti u prezantua me një dozë të mirë realizmi, por megjithatë qartazi pamjaftueshëm i vetëdijshëm për ndryshimin drastik të raporteve në skenën politike pas protestave të paradokohshme të shqiptarëve. Porosia e parë e rëndësishme, sipas të gjitha indikacioneve e papërtypshme për udhëheqësinë në Reçicë të Vogël, është ajo që gjendja e sotme është mjaft e ngjashme me atë në vitin 2006, kur PDSH në mënyrë të ulët u fut në qeveri. Duke insistuar për qëndrimin kokëfortë për injorim të thirrjeve për lëshim të qeverisë, BDI arriti ta shkaktojë mllefin e njëjtë te populli që ekzistonte atëbotë kundër PDSH-së, e cila në verbërinë e dëshirës për kolltukë qeveritarë e humbi – thuajse përgjithmonë – besimin e votuesit shqiptar. 

Por ajo për çka gjithmonë do të mbahet mend kjo intervistë është deklarata e liderit të BDI-së që nuk dëshiron të nxjerrë patate të nxehta në favor të LSDM-së. Në shikim të parë, kjo deklaratë tingëllonte si paralajmërim për shfronëzim të shpejtë të Teuta Arifit, Xhevat Ademit e Fatmir Besimit si kinse ambasadorë të vetë-pranuar social-demokratë në Reçicë të Vogël. Por, fakti që qëndrimi i tillë i Ahmetit më vonë u pranua edhe prej anëtarëve tjerë të lartë të partisë së njëjtë flet për një dimension megjithatë më serioz të polit-intrigës më të re. Për ta kuptuar thellësinë dhe natyrën e vërtetë të qëndrimit të tillë të udhëheqësit të integristëve, duhet të merren parasysh disa momente të rëndësishme.

Para së gjithash, deklarata u dha pas debaklit në Çikago dhe pas vizitës së Fylesë, me çka përfundoi periudha e detantës ndaj LSDM-së nga ana e BDI-së me qëllim që të mbrohet dyshja Arifi-Besimi dhe të kapitalozhet gjoja preferenca e kësaj dysheje ndaj LSDM-së, që megjithatë është tepër e rrejshme. Kjo preferencë flet më pak për zotësinë e intrigës politike të BDI-së, e më shumë për gjendjen e shqisës së gjashtë politike në selinë e LSDM-së.

Së dyti, deklarata u dha paralelisht me rejting-raportin (edhe pse kontrovers) për gjoja rritjen e numrit të qytetarëve të cilët do të votonin për LSDM-në, që tërthorazi e sjell pyetjen – prej ku buron ky kontingjent i ri votuesve të rinj pro-LSDM? Dhe ajo që është më e rëndësishme – a po rezulton politika e BDI-së për shtrirje të dorës ndaj votuesve jo-shqiptarë me nus-efekt në drejtim të kundërt, përkatësisht të votuesve shqiptarë të cilët, të inspiruar prej politikës mbi-etnike të Ahmetit, janë të gatshëm t'ia japin besimin e tyre partive jo-shqiptare? Derisa z. Ahmeti dhe ideologët e tij palodhshëm trumeptojnë që kanë arritur ta kthejnë një (me numër: 1) maqedonas ortodoks në shqiptar ortodoks, do të ishte më shumë e udhës ta pyesin veten – posaçërisht "djelmoshat" e tyre prej Çairit – pse gjithnjë më shumë shqiptarë të rinj urbanë preferojnë ta kalojnë kohën në bistrotë e opozitës në rrugën "Maqedonia", se sa në kafenetë e tyre të rrethuara me automobila të egër, të blerë në mënyrë patriotike.

Së treti, ajo që z. Ahmeti përfundimisht nuk e ka të qartë është që, në sytë e shqiptarëve, raporti i BDI-së ndaj imputimeve nga ana e ministres Jankullovska e ka efektin e njëjtë si edhe ngjarjet e Gostivarit. Me atë që, për dallim nga reaksioni i atëhershëm nga ana e Abdurrahman Halitit të urtë, partia e sotme udhëheqëse shqiptare vrapoi ta relativizojë gishtin e ngritur lart të triumfit nacionalist të partnerit të vet të koalicionit. Shikuar nga kjo prizëm, intrigat jodinjitoze për marioneta e patate tingëllojnë mjaft të mjera derisa qëndroni në prehrin e dikujt që ju shumëzon me zero. 

Së katërti, nëse merret parasysh ajo që protestat në Shkup dhe Tetovë ishin referendum nacional i llojit të vet ku u votua më këmbë për "impeachment" si të Ali Ahmetit, ashtu edhe të Menduh Thaçit, parashtrohet pyetja se a flet kjo përqindje e rritjes për një zë të revoltit social të shqiptarëve dhe të shumicës së heshtur të qytetarëve të papërcaktuar? Nëse merret parasysh opsioni i tillë, ky do të ishte vetëm treguesi i parë i qartë i ndryshimeve të ardhshme në disponimin e qytetarëve si rezultat i varfërisë së tyre dhe mos-shikimit të perspektivës në ofertën e tanishme të koalicionit qeveritar.

Përrallat për numrin e funksioneve qeveritare të marra në këtë dhe në qeveritë e kaluara nuk japin përgjigje për pyetjen esenciale – çfarë dobie ka parë qytetari i zakonshëm nga dy zëvendës-kryeministra, një grusht ministra dhe një bylyk funksionarë? Këto pozita megjithatë janë vetëm profit i partive politike që nuk përkthehet në dobi të qytetarit shqiptar. Porosia e majit është tepër e qartë – derisa politika shqiptare kërkon funksione për një grusht të politikanëve të vet, shqiptari kërkon jetë më të mirë për vete dhe familjen e tij dhe respekt ndaj dinjitetit të tij.

Prandaj, në vend të kukatjes dhe përhapjes së intrigave për marionetat shqiptare dhe të kopjimit të politikës së DPMNE-së të patriotëve dhe tradhtarëve, BDI do të duhet ta kuptojë atë që partneri i saj qeveritar e ka kuptuar deri tash. Atë që përralla për shqiptarët e futur në shishe nga ana e Gruevskit në të vërtetë ka të bëjë vetëm me një grup të vogël të notuesve nga Reçica e Vogël e tharë, bashkë me biznesmenët e Partisë Demokratike të Tetovarëve si qiraxhinj të parë legjitimë të shishes së njëjtë. 

Edhe pse krejt kjo që u tha më lart është megjithatë në sferën e analizës post-festum, nuk duhet të anashkalohet fakti i pamohueshëm që preferenca eventuale e re ndaj partisë së Branko Cërvenkovskit është më shumë çështje e revoltit ndaj përfaqësuesve shqiptarë se sa e përcaktimit të sinqertë ndaj socialdemokratëve. Thjesht, vota e cilitdo shqiptar në favor të LSDM-së megjithatë më shumë do të mund të shpjegohet si "na sollët deri në këtë derexhe!", se sa që do të ishte matëse për ndonjë frymë të re dhe tërheqëse në partinë më të madhe opozitare maqedonase. Duke e parafrazuar Sasho Ordanovskin, fjalët dhe grimi i bukur i trëndafilit të verdhë nuk mjaftojnë që të fshihet kundërmimi i shqiptarofobisë  i cili është ende gjallë e shëndosh në segmente të caktuara të së majtës. 

Para nesh është një verë e shkurtër dhe e vakët. Mësimi prej pranverës së gjatë dhe tepër të nxehtë është kthjellues për secilin që do të mbledhë guxim t'i lexojë shkrimet në mur që t'i vrasin sytë. Në vend të shikimit nëpër vrima të çelësit, do të ishte më shumë e udhës që dy liderët shqiptarë, prej të cilëve njëri e paramendon veten si Helmut Koli e gazetarët veç më i parashtrojnë pyetje si Riçard Niksonit ("I am not a crook!"), kurse tjetri sillet dhe pshtellet ne shpresë që ai do të vendosë së paku kur do të ketë zgjedhje (aq sa vendosi edhe për pavarësinë e Kosovës), ta pyesin veten – e pse do t'ju votonin shqiptarët? 

Komento

loading
loading
loading