Qëndrime - Kolumna

Bravo, maestro!

Maqedonia do t’ia dalë me gjithë ne në të, sepse ajo ka kapacitet dhe ka shumë gjëra dhe kualitete të cilat së shpejti do të dalin në pah

R. P.     ( lexuar 777 herë )     Shkup 23:01 10.05.2012
Ramadan Ramadani

Ramadan Ramadani

Disa tituj nevojitet që të shpjegohen. Madje edhe kur janë kështu të thjeshtë dhe përbëhen nga thënie të qarta. Duhet të shpjegohet konteksti në të cilin ato përdoren. Kështu ky aferim në titull nuk është thënë nga ndonjë adhurues i muzikës serioze, por nga një automekanik nga Shkupi. Edhe atë jo nga mahnitja, por nga halli.

Gjegjësisht, një shok i imi në vitet e hershme të jetës së tij disi ka marrë veturën e familjes dhe së bashku me shokët e tij kanë filluar të vozisin rreth mëhallës. Por, në ndërkohë kanë goditur një shtyllë elektrike dhe, të gjallë e të shëndoshë, kanë vendosur që vetë ta rregullojnë e ta kamuflojnë veturën që të mos vërehet. Kështu, duke goditur me çekan e duke tërhequr me mengene, disi kanë arritur ta rregullojnë veturën dhe e kanë kthyer atë në shtëpi. Megjithatë, pas një kohe, i ka treguar babait të tij se çfarë ka ndodhur dhe së bashku kanë shkuar te automekaniku që ta rregullojnë veturën. Automekaniku ka analizuar mirë veturën dhe në fund ka pyetur se kush e ka vozitur atë dhe kush është munduar ta rregullojë atë. Kur babai tregoi drejt djalit të tij, ky bërtiti: Bravo, maestro! Mjeshtri kishte hall të sqarojë se pse ndreqja e veturës, e cila ndryshe mirë dukej, do të kushtojë aq shtrenjtë.

Kështu duhet të bërtasë çdokush që duhet të llogarisë se çfarë dëmi është shkaktuar për shtetin tonë nga ngjarjet e fundit. Edhe atë pas aq shumë mirëbesimi dhe konstruktiviteti të treguar nga të gjitha anët. Nevojitet aftësi e madhe për të shkatërruar kaq shumë me një kapacitet të tillë, ashtu si bënë institucionet e shtetit. Gjegjësisht, i tërë publiku përmbahej të mos bëjë presion, madje edhe mediumet dhe opozita. Qartësia e veprës së shëmtuar të vrasjes së pesëfishtë solli deri te ajo që të gjithë ta gjykojnë atë dhe të jenë të gatshëm për të bashkëpunuar në gjetjen e autorëve të vërtetë. Në rajon, të gjithë fqinjët, përveç Serbisë, ndihmuan në zgjidhjen e rasteve. Në aspekt ndërkombëtar, gjithashtu, kishim përkrahje. Edhe krahas gjithë kësaj, rezultati i deritanishëm është ky: komprometohet serioziteti ynë në luftën kundër terrorizmit, protestohet para ambasadave tona në shtetet fqinje, shtete anëtare të NATO-s dhe BE-së, Bullgaria dhe Shqipëria, ende më shumë dyshim bie mbi MPB-në dhe mbi gjyqësinë dhe krijohen çarje shtesë në kohezionin e popullatës. Për ta arritur këtë, me të  vërtetë, është e nevojshme mjeshtëri!

Por, kështu ndodh gjithnjë kur bëhet politikë me shtetin dhe qeveriset me ndihmën e partisë. Ndërsa, në rregull është krejtësisht e kundërta: partitë shërbejnë për të bërë politikë, ndërsa shteti për të qeverisur. Është i kotë konstruktiviteti nga të gjitha anët kur vetë aparati është destruktiv. Ashtu edhe pse kemi shtet, të gjithë qytetarët jemi bërë si amvise të cilat duhet  t’i pastrojnë shtëpitë me fshesë rryme të prishur dhe u duhet që pastaj të njëjtën ta bëjnë me fshesë dore dhe të mbledhin pluhur shtesë.

Sigurisht që kjo nuk është ajo kënga e dhimbshme e dashurisë e „Bjelo dugme” në të cilën këndohet: Mundeshte më mirë... Maqedonia do t’ia dalë me gjithë ne në të, sepse ajo ka kapacitet dhe ka shumë gjëra dhe kualitete të cilat së shpejti do të dalin në pah. Njëlloj sikurse pikturat origjinale të Pikasos të cilat ishin harruar në një galeri.

Këto nuk janë fjalë optimiste të shkruara kuturu, por me të vërtetë janë vijëmsi e një realiteti në Maqedoni. Gjegjësisht, Maqedonia historikisht është aq e zvogëluar dhe e grimcuar që nuk është i qëndrueshëm asnjë shkurtim shtesë. Me qëllim që të kuptohemi, do ta krahasoj me buxhetin tonë familjar. Ky buxhet ka arritur në kufirin më të ulët që ja, nuk lejon as edhe të blihen dhe mblidhen fotografi të EURO 2012! Poashtu, Maqedonia historikisht është mjaft e zhvendosur dhe tani, në rajonin e definuar nuk ka më hapësirë për t’u zhvendosur.

Përveç kësaj, Maqedonia është edhe një vend me numër të madh të ardhacakëve: nga Maqedonia e Egjeut dhe Pirinit, nga Bosnja, nga Serbia e mesme dhe jugore, nga Kosova dhe Sanxhaku. Kjo bën që popullata në përgjithësi të jetë e ndarë dhe jo mjaftueshëm koherente si popullatë dhe me këtë shpjegohet edhe mungesa e aktivizmit tek ne. Por, ajo që jep shpresë dhe që ka qenë e vërtetë edhe për vendet si Amerika dhe Turqia, është se pikërisht këta njerëz të shpërngulur ndërtojnë sistem të qëndrueshëm shtetëror: njerëzit që kanë humbur një shtëpi edhe më shumë e ruajnë shtëpinë e tyre të dytë! Vetëm ai që e kupton këtë dhe që punon me të, do të jetë në kohë në anën e vërtetë. Megjithatë, ne meritojmë edhe kështu, me një ditë vonesë, ta urojmë 9 majin, Ditën e Evropës dhe Ditën e fitores ndaj fashizmit!

Ramdan Ramadani

(Fokus 10.05.2012)

©për shqip: Portalb

Komento

loading
loading
loading