Qëndrime - Editorial

Njëmbëdhjetë vite nga tradhtia e Telit, kush dhe pse ?!

Njollën më të madhe dhe grushtin më të madh veprimtaria e UÇK-së e morri sot njëmbëdhjetë vite, mëngjesin famëkeq të 7 gushtit 2001

Benjamin Arifi     ( lexuar 5195 herë )       00:46 07.08.2012
Shkruan: Benjamin Arifi  Foto: Komandant Teli

Shkruan: Benjamin Arifi Foto: Komandant Teli

Lajme lidhur me temën

  • Nuk ka lajme lidhur me temën

Njëmbëdhjetë vite pas konfliktit të armatosur në Maqedoni, misteret e luftës dhe pasluftës mbeten barrë për të gjithë ata, të cilët nuk dëshirojnë që të varrosen tradhtitë bashkë me të tradhtuarit. Barrë për të gjithë ata që dëshirojnë të ç’ njollosin luftën çlirimtare të bijve të këtij vendi, dhe ta ndajnë atë nga tradhtitë e kopilëve të shërbimeve sekrete rajonale e të huaja, që shitën idealet për interesa te ngushta personale dhe përfitime materiale.

Njollën më të madhe dhe grushtin më të madh veprimtaria e UÇK-së e morri sot njëmbëdhjetë vite, mëngjesin famëkeq të 7 gushtit 2001, kur në njërën prej rrugicave të Gazi Babës, në kundërshtim me normat fundamentale morale, në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare të luftës, në gjumë vritet komandanti më legjendar i UÇK-së, Lefter Koxhaj – Komandant Teli, dhe shoqëruesit e tij.

Masakra e Gazi Babës, e njohur me emrin "tradhtia e madhe" vazhdon të jetë një enigmë që nuk është zbardhur as sot, plot 11 vite nga mesnata e 7 gushtit 2001, kur forcat speciale maqedonase të famëkeqit Lube Boshkovski, masakruan Lefter Koxhajn, Pajtim Rocin, Ndriçim Koxhajn, Adem Hasanin, Arben Bajramin dhe Abaz Beqirin.

Teli, heroi i madh i rrethit të Kumanovës dhe betejës së Haraçinës, ra në duart e forcave maqedonase tre ditë pasi ishte firmosur armëpushimi i 4 gushtit dhe 6 ditë përpara se të firmosej marrëveshja e Ohrit, e cila do të ishte themeli i shtetit të ardhshëm të Maqedonisë. Autoritetet maqedonase e cilësuan vrasjen e tij si suksesin më të madh të gjithë luftës me gueriljet shqiptare, madje nuk ngurruan ta etiketonin si një terrorist që kishte hyrë në Shkup për të sabotuar nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit një javë më pas.

Shokët e tij të luftës dëshmojnë për kujdesin e Komandantit legjendar nga bashkëluftëtarët e tij. Komandant Teli asnjëherë nuk u zgjonte në vendin ku ishte ndalur për të pushuar, nga frika që të mos vdes nga dora apo goja e shqiptarit. Ai i kishte besuar vetëm disa prej ushtarëve që ai komandonte. Si shkas për kujdesin e tij kishin qenë edhe mosmarrëveshjet me disa prej strukturave të UÇK-së, të cilat sipas të dhënave kishin eskaluar në Sllupçan.

Rrjedh pyetja se si Komandanti aq i kujdesshëm lejoi që së bashku me ushtarët e tij të ekzekutohet në gjumë, në mesin e Shkupit? Kush e dërgoi atë në Shkup, në shtëpinë e Muzafer dhe Muhamer Halimit? Kush e solli bukën mbrëmjen e 6 gushtit, me të cilën dyshohet që të jenë droguar ose helmuar ushtarët? Të gjitha këto janë pyetje minore para pyetjes Kush dhe pse kërkoi ekzekutimin e tij?

Një prej versioneve të cilat qarkullojnë nëpër opinion, thekson si arsye për ekzekutimin e Telit, faktin që ai luftonte për idealet e UÇK-së të shprehura në komunikatat e para të saja, para ndërhyrjes së shërbimeve sekrete perëndimore. Ushtria Çlirimtare Kombëtare në fillim u shfaq me kërkesë për shkëputje të rajoneve shqiptare nga Maqedonia dhe bashkëngjitje të tyre në shtetin shqiptar. Këto kërkesa, siç dyshohet si pasojë e intervenimit të shërbimit sekret amerikan dhe britanik, u transformuan në kërkesa për përmirësimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, në kuadër të shtetit maqedonas. Por pavarësisht të ndryshimit të komunikatave, idealet e disa prej komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së mbetën të njëjta – bashkim i viseve shqiptare të Iliridës më shtetin amë shqiptar. Një ndër ta ishte edhe Komandant Teli.

A ishte kjo arsyeja e ekzekutimit të tij, këtë e dinë më së miri ata që e tradhtuan. Një ditë toka do ta nxjerr në sipërfaqen e saj emrat që mban brenda, ata që shitën Telin. Deri atëherë, ju ftoj që në njëmbëdhjetë vjetorin e tij, të lexojmë bashkë një fragment, një pjesë nga letra e tij shkruar bijës së tij nga fronti i luftës.

“Të lutem bija ime! Mos ma kërko varrin se nuk do të ma gjeshë. Dije edhe mbaje mend se varri im është në Sllupcan, në Tanushë, në Kalanë e Tetovës. Këtu prehen eshtrat e mia. Të lutem mos ngurro, dhe thuaju të gjithëve që mos të ngurrojnë që të më ngrisin përmendore, sepse nuk dhashë jetën për përmendore e për strofa këngësh, por vetëm e vetëm që të fitoj kënaqësinë e Zotit që e falënderoj shumë që më gatoi aq mirë…”

 

Komento

loading
loading
loading