Bota - Bota

Serbi, rikthehet koalicioni që shkaktoi luftën në Ish-Jugosllavi

Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliq, është takuar me liderin e socialistëve Ivica Daçiq dhe zyrtarisht ia ka ofruar atij mandatin për formimin qeverisë së re

J. Zh.     ( lexuar 508 herë )     Serbi 10:57 27.06.2012
Ivica Daçiç dhe Tomisllav Nikoliq

Ivica Daçiç dhe Tomisllav Nikoliq

Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliq, është takuar me liderin e socialistëve Ivica Daçiq dhe zyrtarisht ia ka ofruar atij mandatin për formimin qeverisë së re. Ivica Daçiq nuk i është përgjigjur Nikoliqit për këtë ofertë, por ka theksuar se vendimin për këtë duhet ta marrë kryesia e partisë së tij, SPS-ja, shkruan agjencia B92, të martën.  

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) nga radhët e së cilës u zgjodh kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se partia e Boris Tadiqit e ka të vështirë ta themelojë qeverinë dhe se ka mundësi që qeverinë ta themelojnë “përparimtarët” dhe “socialistët”. 

As SPS-ja e as shefi i kësaj partie, Ivica Daçiq nuk janë deklaruar lidhur me këto pohime. Konfirmohet vetëm se Daçiqi ka ftuar për të mërkurën kryesinë e partisë së tij, meqë  dëshiron që vendimin për të formuar qeverinë me SNS-në e Nikoliqit ta formalizojë nëpërmjet organeve të partisë. Vendimin për formimin e Qeverisë SPS-ja pritet ta marrë më së largu të premten.

“Po, koalicioni ynë ka marrë një ofertë nga SNS-ja për mandatarin e qeverisë, përkatësisht që Ivica Daçiq të jetë në krye të saj. Ne patëm një mbledhje, por nuk kemi folur për këtë. Mirëpo, nuk janë të rëndësishme funksionet. Ivica Daçiqi, Jovan Krkobabiq dhe unë do të vendosim për atë se çfarë është e pranueshme”, ka thënë në Jagodinë, Dragan Markoviq-Palma, kreu i “Serbisë së Bashkuar”, që është pjesë e bllokut të socialistëve. 

Nga zyrtarët e SPS-së, të martën ka folur vetëm kryetari i Këshillit socialist dhe kryetar i Kuvendit të qytetit të Beogradit, Aleksandër Antiq. Ai ka theksuar se procesi i formimit të qeverisë republikane është shumë më kompleks sesa formimi i qeverisë së qytetit. Ai shpreson se qeveria republikane do të formohet në një kohë optimale.

“Është e qartë se krijimi i qeverisë republikane është shumë më kompleks dhe ne jemi dëshmitarë se lyp shumë kohë, por besoj se në një të ardhme të afërt ky proces do të mbyllet”, tha Antiq.

Ndërkohë Partia Demokratike (DS) e Boris Tadiqit ka kërkuar sqarime nga partneri në koalicionin e fundit qeveritar, SPS-ja, se pse ka ngecur formimi i qeverisë dhe cilat janë pengesat. DS-ja ka kërkuar nga partia e Daçiqit të tregojë edhe nëse është në fuqi marrëveshja e arritur më 8 maj. 

“SPS-ja i ka dhënë mbështetje qeverisë së udhëhequr nga Boris Tadiqi, andaj opinioni duhet të jetë i njoftuar nëse kjo marrëveshje është në fuqi”, thuhet në komunikatën e DS-së. “DS-ja ka bërë gjithçka që të sigurohet shumica parlamentare dhe qytetarët e Serbisë të fitojnë një qeveri efikase. Me koalicionin rreth SPS-së, menjëherë pas zgjedhjeve kemi arritur pajtimin për programin dhe kemi siguruar shumicën e nevojshme pa kurrfarë kushtëzimesh kadrovike”. 

Nëse qeveria e re formohet nga SNS-ja e Nikoliqit dhe SPS-ja e Daçiqit, atëherë kjo do të jetë formulë e ngjashme me atë të viteve 90, përkatësisht periudhës kur shpërtheu lufta në Kosovë. Atëbotë Nikoliqi ishte pjesë e Partisë Radikale Serbe që kishte për lider Vojislav Sheshelin, e që tash akuzohet për krime lufte në Gjykatën e Hagës, kurse Partia Socialiste, por edhe vetë shteti serb kishte për president Slobodan Milosheviqin, që bëri vetëvrasje, ndërkohë që gjykohej po nga Tribunali i Hagës. Partia e Sheshelit ishte larguar nga qeveria në shenjë proteste për arritjen e Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, e cila u nënshkrua më 9 qershor 1999./Koha.net/Portalb

Komento

loading
loading
loading