I shëmtuari, i çuditshmi dhe qesharaku!

Në një pranim të rastit takohen Merlin Monro dhe Ajnshtajn. E impresionuar nga truri i shkencëtarit gjeni, artistja me famë i drejtohet Аjnshtajnit: – “Sa kisha dashur të kem një fëmijë i cili do të ishte i bukur si unë, kurse i mençur si ti”? Në atë shkencëtari gjenial përgjigjet duke buzëqeshur: – “Ajo do të ishte gjë fantastike, por çka nëse ndodh që të jetë i bukur si unë e i mençur si ti”?!

Neve mu ky kombinim famëkeq dhe i shëmtuar na ka ndodhur. Në vend të bukurisë e mendjethellësisë, na ka ndodhur shëmtimi e pamendësia. Na ka ndodhur ajo që ka emërues të përbashkët – shkatërrimin. U shkatërrua ardhmëria e pjesës dërmuese të popullatës këtu. U shkatërrua ardhmëria e gjysmë milion të rinjve (50 për qind të papunë, e 50 për qind të tjerë të dëshpëruar), kurse mbi 200 mijë kanë ikur nga ky ferr, i cili për struktura të kriminalizuara është shndërruar në parajsë. E shëmtuar, pasi tri burime ndërkombëtare me renome tani më kanë konstatuar se nga Maqedonia për dhjetë vite janë zhdukur rreth pesë miliardë dollarë (shih, Global Finacial Integrity)!
E shëmtuar pasi ministri videokirurg i shëndetësisë – gjer në qiell lëvdohet për reformat në shëndetësi, kurse organizata kyçe evropiane “Europe’s Health Care Services“, në rangimin e saj prej 1 gjer në 40, na ka ranguar të fundit për kushtet e shërbimeve shëndetësore. Kurse shtetet fqinje që dhjetë vite më parë ishin shumë pas, tani janë ranguar lartë – Shqipëria në vendin e 17, Bullgaria në vendin e 24, Serbia në vendin e 30, BeH në vendin e 33 (edhe pse këta dy të fundit përjetuan luftë shumëvjeçare). I shëmtuar, pasi çdo i treti banor në shtet jeton në mjerim e skamje, a pushteti lëvdohet se qenkemi ekonomi e tretë në Evropë me zhvillim të shpejtë, por që na munguaka tru që ta shijojmë atë!
E shëmtuar, pasi nga stresi dhe varfëria vdekshmëria dukshëm ka shënuar rritje. Në vitin 2013 kishin vdekur rreth dy mijë persona më shumë se në vitin 2004. Si duket lopatat e tyre shërbejnë për varrosje të njerëzve, por edhe të vërtetës dhe ardhmërisë sonë. E shëmtuar pasi na mashtrojnë për zhvillim të madh, kurse analizat tregojnë se jemi në mesin e dhjetë vendeve me ekonomi më të dobët në botë. Kështu ndodh kur të krijoni aso shoqërie ku ata që dinë nuk pyeten, kurse ata që pyeten asgjë nuk dinë. E ja katastrofën në 100 hapa! E shëmtuar, pasi lëvdohemi me të drejtat njerëzore, kurse “Freedom House” na ka vënë në fund të listës botërore për nga kualiteti i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave njerëzore dhe tani jemi në shoqëri me Mozambikun, Kolumbinë, Nigerin, dhe Papua Guinenë e Re.

Të çuditshëm jemi, pasi qëndrojmë indiferent përderisa pushteti na mashtron se kemi liri të plotë të informimit, kurse shtëpia elite botërore “Reporterët pa kufij” sivjet na kanë ranguar në vendin e 123 së bashku me Angolën, Guatemalën dhe Afganistanin! Kurse në vitin 2009 qëndronim lartë në vendin e 34 në shoqëri me Britaninë e Madhe, Slloveninë dhe Spanjën. E si të jetë ndryshe kur mediume të pushtetit shkruajnë mirë për gjëra qesharake, kurse shkruajnë në mënyrë qesharake për gjëra të mira?! Madje sikur njësi matjeje për mashtrim të ishte grimca e rërës, e gjithë Sahara s’mund të ketë aq rërë. Jemi të çuditshëm pasi në mënyrë rapide shtohet numri i personave dhe kompanive me llogari të bllokuara. Përfunduar me muajin dhjetor të vitit që shkoi, numri i llogarive të bllokuara është rreth 217 mijë (41 mijë më shumë se një vit më parë)! Të çuditshëm jemi pasi me arrogancë të paparë pranojmë të miratohen ligje. Pushteti 15 herë e ndërroi Ligjin për arsim të lartë për qëllime të ulëta. Por, njëkohësisht dukemi edhe qesharak kur themi se në universitete ka vend për tu regjistruar 97 për qind të maturantëve! E këtu duhet shërim kolektiv për gjithë Qeverinë. Të çuditshëm jemi pasi rrënuam mbarë sistemin mësimor, a faji t’u mbetet arsimtarëve! Të çuditshëm pasi jemi vendi i vetëm në botë që në arsim kemi paraparë zëvendësim për grevistë! Edhe kjo lyp tretman serioz medicinal. Nga Konfederata evropiane sindikale e arsimit na thanë se jemi inovatorë të çuditshëm.

Nga ana tjetër, qesharak jemi pasi që pushteti ka shpërlarë rreth gjysmë miliardë euro te “Shkupi 2014”, a nuk kishte paguar shumën simbolike prej 12.000 dollarë si obligim që rrjedh nga anëtarësia në OKB, me çka shtetin e nivelizuan me Somalinë, Ruandën, Jemenin dhe Sao Tome e Principe! Ndoshta tani do të kemi fluks të turistëve, jo për të parë “Shkupin 2014”, por për të na parë neve se si dukemi si qenie, të cilët mund të durojmë këso pushteti të çuditshëm. Pushteti i cili gjithë kohën thotë se është duke punuar dyfish më shumë, por për çudi edhe standardi neve na ka rënë po ashtu dyfish më shumë! Thonë – ne ndërtojmë, por nuk tregojnë se për dhjetë vite e kanë dyfishuar borxhin e jashtëm, kurse kanë ndërtuar vetëm një improvizim qesharak në qendër të kryeqytetit, për të cilën njohësit thonë se nuk kushton më shumë se 150 milion euro, kurse në evidencë si duket është tri herë më shumë.

Pas këtij pushteti qëndrojnë mijëra vepra penale – për katastrofën zgjedhore, për falsifikim, për kriminalitet, për suspendim të institucioneve, për korruptim të mediumeve, për shkatërrim të bizneseve dhe jetëve njerëzore, për asgjësim të arsimit, të shëndetësisë etj. Pushteti ka realizuar grusht-shtet të heshtur, andaj të gjitha mjetet për rrëzimin e tij janë legjitime. Duhet të kuptojmë se nëse nuk dallojmë të mirën nga e keqja, atëherë gjithmonë do të na shoqërojë vetëm e keqja. Pushteti që koalicionin me djallin, nuk ofron asgjë të mirë. Ai lyp robër të nënshtruar. Përderisa e përmbyllja këtë shkrim, eksplodoi një “bombë” e Gruevskit. Tani më nuk bëhet fjalë vetëm për të shëmtuar, të çuditshëm dhe qesharak, por edhe për të çmendur. Tani më është e qartë se regjimit i afrohet fundi. Çdokush e di se nuk bënë “puç” ai që zbulon vepra të kriminalitetit, por ai që pengon zbulimin e tyre. Poqese edhe kësaj radhe partitë shqiptare solidarizohen ne koza-nostrën nacionaliste të VMRO-së, atëherë edhe ato janë pjesë e komplotit antidemokratik, antinjerëzor dhe antishqiptar.

Lajme të ngjashme

Back to top button