Brezi im

Kohë e trubullt, njerëz të trazuar, koka të nxehta me stomakun bosh që shëtisin rrugëve me xhepa të shqyer dhe me ëndrra të thyera. Ëndrra të trashëguara brez pas brezi, çdo brez me hallin e vet dhe me pushtuesin e vet, por të gjithë brezat me të njejtën shpresë, se mos një ditë prej ditëve – do të bëhet mirë!

Edhe brezi im si brezat para tij pati një rrjedhë interesante, lindi në përfundimin e monizmit jugosllav, bëri hapat e parë në demokracinë gjysmake të tranzicionit, filloi pubertetin me imazhe rrefugjatësh, tinguj predhash dhe erë baroti. Shkollën e mesme e ndjeki në koçak të pulave, sepse shkollat e mirëfillta ishin të zëna nga moshatarët e një etniciteti tjetër,i maturuar pa vënë kurrë syrin nën një mikroskop, kurrë pa dëshmuar përzierjen e dy elementeve kimike, kurrë pa e ditur çfarë domethënie ka fjala “kabinet”. Brez i destinuar të mbush kuazi-fakultetet, të vlerësohet nga kuazi-profesorë, të doktrinohet nga kuazi-patriotët që t`i shërbejnë kuazi-politikës së kuazi-partive, dhe parpë i ngarkuar nga fati që t`i japë fund diktaturës së mendimit dhe veprimit. Si të ndërmerret ky hap me ushtarë të papërgatitur, të paguximshëm, të rritur dhe zhvilluar në një mentalitet garues në të cilin “kampioni” është ai që urinon më larg?! Po sikur ky brez të zhvillohej normalisht, po sikur në vend të refugjatëve nga Kosova t`i vinin miq të veshur e të krehur, e që të garonin se cili është më i shkathët në vend se të garonin se cili është më i shtypur nga pushtuesi? E sikur pubertetin të fillonin me pyetje rreth ndryshimeve trupore në vend se të pytnin “Çfarë është armëpushimi?”.

Edhe një brez përplot me mllef të shtresuar brez-pas-brezi, vetëm se ky brez nuk është i durueshëm sikur të tjerët, nuk mund të ikë “jashtë” sikur të tjerët dhe nuk është i dëgjueshëm sikur të tjerët. Ky brez e ka për detyrë të krijojë kushte që brezi pas tij të mos ketë problemin e identitetit, ekzistencës, mbijetesës, e problemeve të tjera që I përkasin shekullit të kaluar. Ky brez ka për detyrë , o të përgatitet për betejën e fundit që do I krijonte hapsirën e nevojshme jetike për zhvillim, o të krijojë urë me brezin e ri tek fqinjët, e të tejkalojë historinë e dhimbshme për hir të të ardhmes më të ndritshme! Pse hesht ky brez? Nga çfarë frigohet? Sa breza do i mbajë në supe ky brez? Brezi i mëparshëm a e çliroi apo e robëroi edhe më shumë këtë brez? Mos ndoshta AI brez e mashtroi KËTË brez se u arrit liria përfundimtare që të gjithë brezat e ëndërronin? Mos ndoshta “lufta çlirimtare” e prolongoi luftën e vërtetë? Luftën e lapsit dhe disiplinës, e artit, sportit, kulturës? Sot falë kuazi-patriotëve mbetëm pa sport, pa art dhe pa kulturë, sepse paratë e taksapaguesit “shkruhen” për artistët ndërsa përfundojnë në xhepat e injorantëve kokëbosh.

A u bë më mirë? Do të thoja se është shumë më mirë se ç`ishte në brezin e kaluar, por nëse është më mire,a është siç duhet të jetë? A duhet që kjo rini të bredhë rrugëve, me dëgjuese në veshë dhe “cigare majmuni” në dorë?  Të humbet në vorbullën e gënjeshtrave dhe intrigave që i sjell lufta për mbijetesë, sepse jetesa është një koncept që ky brez vetëm mund ta ëndërrojë. Problemi ndonjëherë nuk është mungesë e zgjidhjes sa është mungesë e ideve të reja, që kërkojnë shkolla të reja dhe qasje të re ndaj problemeve. Kur nuk kishim lirinë kishim dashurinë ndaj rrethit, ndaj familjes dhe farefisit, ndaj Zotit dhe Atdheut…tani që na erdhi liria, na humbi dashuria që kishim, gjithçka u bë politikë dhe interes, edhe Atdheu, dhe familja, madje edhe Zoti!

Andaj ky brez matanë kufirit po vjellë flakë, dhunë dhe mllef. Po i tregon botës se është lodhur nga pritja e një dite të mirë, është lodhur nga gënjeshtrat e brezit të mëparshëm dhe ka filluar të krijojë gënjeshtrën e vet, se mos me anarki totale do të çrrënjoset pema gati e tharë që prodhon vetëm ca frute që mund të arrijnë në vetëm ca dhëmbë të këtij populli dhëmbë-mpirë.

Një puhi e tillë fryen gjatë kohë, flladit ballin e shqiptarit dhe i jep shpresë se një ditë do të vijë si uragan dhe së bashku do të shkulin rrënjët që thithin ushqimin e të gjithëve, për të rritur degët që i privojnë të gjithë të tjerët në shijimin e rrezeve të diellit. Po deshët që të shkoni me lavdi, mos mendoni se jeni TRUNGU që mban degët, sepse e ardhmja, aty ku shihni trung do e bëjë cung, e për degë mos të flasim!

Nuk është mësuar ky brez të kërcënojë, është brez i qendrave tregtare dhe i bastoreve, brez i pijetoreve me këngëtare e vallëtare, brez i humbur me hartën në dorë. Andaj fli i qetë, ti që po shqetësohesh se mos do zgjohet ky brez, fli i qetë dhe zgërdhihu secilën herë që e sheh këtë brez në shtabin tënd partiak, me poster dhe ngjitës në dorë dhe sy të uritur për një vendim pune…

Lajme të ngjashme

Back to top button