LIVADHI BABËS HASHIMIT

Ka një anekdotë që flet për antenën e një kompanie telefonike, e cila duhej të vendosej diku në vendlindjen e ish kryeministrit të Kosovës. Fshati, thotë anekdota, ishte përplot invalidë të luftës, përplot fëmijë jetimë, gra të mbetura pa burra, nëna të mbetura pa më të dashurit e tyre, familje pa kulm mbi kokë, iftiaçlinj të mëdhenj për 2-300 EUR-ot e qerasë që operatori detyrimisht do të paguante për tokën ku do të vendosej antena, e cila, çuditërisht, nuk kapte sinjale askund tjetër, pos livadhit të babës Hashimit…

Kjo është anekdota që e kam dëgjuar prej miqve të mi nga Kosova. Natyrisht, ajo mund të jetë fare e pambështetur në të vërtetën, por gjithsesi reflekton njërin ndër sindromet më të dhimbshëm, ndër plagët më qelbkullonjëse të shtatit të hajthëm të Kosovës së çliruar nga hordhitë serbe, kur, siç shprehet poeti Xhevdet Bajraj, trimat nisën t’ia ngrenë fustanin lirisë, për ta dhier… tash së voni me fund mundin e mëhershëm (respekte për ata që ruajtën imazhin e luftëtarëve të lirisë, që gjithsesi janë më të shumtë se grushti i grosistëve në fjalë).

Për mendimin tim, pa prekur kësaj here vakinë e kushtueshme të mungesës së vijës së kuqe të politikës shqiptare, që s’do të guxonte ta shkelë asnjë jabllanoviq, në këtë plagë e ka folenë gjeneza e akumuluar e pakënaqësive të mëdha të rinisë kosovare, që ditëve të fundit manifestohet me gatishmëri vetëflijuese, të cilën, të paktën brezi im, nuk ka mundur ta mendojë përpara disa vitesh. Kjo sepse të rinjtë kanë humbur perspektivën e të jetuarit në vendin e të parëve të tyre, që derdhën lumenj gjaku e djerse, bënë mijëra vite burgje të rënda nëpër zëndanet sllave dhe u degdisën dhunshëm botës, pa e menduar se e njëjta gjë do t’u ndodhë dhe pasardhësve të tyre, për të cilët edhe Kosova e lirë rezulton të jetë më shumë mjerkë se sa nënë biologjike që mëkon plagët e bijve të saj.

Pra: shkaktar i kësaj derexheje, hiq faktorët objektivë dhe trashëgiminë e hidhur që nuk mund të konvertohet për 15 vjet në mirëqenie të përgjithshme, është klasa politike e Kosovës, është pasurimi maramendës i pakicës në kurriz të atyre që mezi ekzistojnë, është sfrutimi i pamëshirshëm i të mirave të vendit, i djersës dhe krahut të punës së atyre që konceptohen për rajë të dënuar me kësmetin e asgjësë, janë disbalancet në thellim të dy grupeve shoqërore të mbetura pa mes, është numri tejet i madh i politikanëve që u futën në politikë me statusin social të njerëzve të persekutuar gjithanshëm nga ish sistemi, për të graflluar vetëm pas disa vitesh në milionerë dhe në pronarë pasurishë që nuk fitohen ndryshe pos hajnive ordinere.

Këtij pasurimi të përnjëhershëm dhe pa asnjë mbulesë të besueshme, i shkon për shtati mentaliteti shqiptar që hajninë e ka ngritur në komponentë të rëndësishme morale. Sot në viset shqiptare gjithkush vlerëson më lart një hajdut të pasur dhe merrr për budallenj njerëzit jetëndershëm, që sigurojnë ekzistencën me djersën e ballit. Kohët e figurave të njëmendëta kombëtare, që shisnin çifliqet familjare për ta bërë Shqipërinë, janë konvertuar në kohët e atyre që shesin Shqipërinë për të bërë çifliqe.

Kjo shkakton pesimizëm të skajshëm, i bën njerëzit inferiorë dhe të dëshpëruar, indiferentë ndaj të gjitha vlerave dhe të mirave që trumbetohen 24 orë në ditë nga mediet në shërbim të konjunkturave shoqërore, sepse të gjithë flamujt shtizën e kanë në lukthe njerëzish, që problem kryesor kanë sigurimin e kafshatës së gojës.

Në këso rrethanash jënë demoralizuar të gjithë njësoj, që nga pensionistët që mezi mbijetojnë me të ardhurat mizerje e gjer tek të rinjtë e mbetur udhëkryqeve të jetës, pa mundësi rrugëdaljeje nga rrethi vicioz. Kjo gjeneron mërritë, prostitucionin, talebanizimin e qenies shqiptare, bjerrjen e tipareve racore, degradimin moral…, dhe gjithçka tjetër për të cilat kanë shkruar kahmot rilindësit tanë, veçmas brezi i krijuesve të angazhuar realistë.

Prandaj, më dhimbsen të rinjtë që gjuajnë me gurë dhe tërhiqen zhag udhëve të Prishtinës, që u japin ultimatume policëve të gjysëmshtetit të tyre të brishtë, të paaftë të kontrollojë e menaxhojë vetveten. Ata në fakt gjenden ndërmjet dy grupesh të politikanëve me pozita të ndryshme por me mendësi dhe shalla të njëjtë, të shtrenjtë sa 7-8 pensione të ish punëtorëve të Trepçës, për mbrojtjen e së cilës ngrihen fustanet për të cilët shkruan poeti i dhembjes shqiptare  – Xhevdet Bajraj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button