URBANFILOZOFIA NË ÇARSHI

Dekarti dikur tha thënien e tij të mirënjohur se njeriu ekziston përderisa mendon, e unë them se njeriu ekziston përderisa mëson. E mësimi nuk është një kategori fikse, njëdrejtimëshe, monopoliste, lineare. Njerëzit mësojnë nga më i dituri, nga më horizont-hapuri, nga dritëruesi, iluministi, fëmija, më pak i dituri, axha, pazarxhiu,  nga letrari, nga gjithkush. Koha në të cilën jetojmë nuk është ajo e vjetra, dituri, informacione ka shumë, burime gjithashtu shumë.

Dikur duhej patur libra për të ditur, radio për t’u njoftuar me lajmet, sot ke një entitet që të deprimon lidhur me dimensionin e dijes, që të mëson për një filozofi të re të dijes, shenjtori i kohës virtuale google. Katër ikona me nam njeh njerëzimi: Mësuesi, gazeta dhe TV-ja, interneti dhe rrjetet sociale. Megjithatë, libraria apo biblioteka mbetet një mësonjtore e pashuar, eternale në hapësirën tonë planetare. Biblioteka në çarshi, edhe më shumë ka hir e bukuri. Qytetet e mëdha e me traditë kanë strehimore kulturore të quajtura kafelibrari, si “The Signet Library Gran Caffe” në Edinburg, “Caffetteria delle Oblate” në Firencë, “Page Cafe Gallery” në Stamboll, “e Për7shme” në Tiranë etj. Një e tillë, ka një kohë që i jep një ngjyrë ndryshe mjedisit të quajtur çarshi e Shkupit.

Natën e 28 janarit, në Librarinë e Çarshisë, ndodhi një promovim apo thënë më mirë një debat autor-lexues. Albatros Rexhaj, autori i Filozofisë urbane, ia elaboroi publikut librin e tij të tretë, Zonja Z. Dhe ta them të vërtetën, u befasova pozitivisht nga diskursi i një njeriu relativisht të ri, me fjalor të pasur e mbresëlënës, me ide që kapërcejnë ato të përditshmërisë tonë shqiptare. Rexhaj në fjalimin e tij rroku në fillim temën e artit si provokues, si një njësi që nuk ofron zgjidhje por që nxit, që të shtyn të mendosh, në veçanti arti shkrimor, që është më i komplikuar se artet tjera. Muzikën mund ta bësh sa herë të duash, si të duash. Ka këngëtarë që sipas tij kurrë një këngë s’e këndojnë njëjtë. Drama mund të luhet disa herë. Nga ana tjetër, arti i shkrimit ka të bëjë me idetë që përcillen në fjalë, që mbeten, që provokojnë individë, grupe e grigja, që lexohen edhe kur s’je më.

Autori përmendi se nuk shkruan për askënd, se është qefshkrues e jo shkrimtar. Shkrimtar që graviton në botën e komplekseve, të njerëzve që zihen në të njëjtin kazan. Ai për shqiptarin dhe ballkanoidin tha se është një qenie që nuk i gëzohet të mirës apo suksesit të tjetrit, por të keqes, dështimit të tij. Vërtet a është kështu? Një pjesë e mirë e bashkëkohanikëve tanë vërtet janë të tillë. Një mijë të mira t’i bësh s’i shohin. Një të keqe dhe menjëherë e publikojnë dhe mediatizojnë qoftë katundarisht qoftë metropolitanisht! Të shajnë sa je gjallë e të qajnë kur vdes. O kurrë lë të mos më vijnë kur të vdes mbi varr a në kryetshnosh ata që më kanë sharë sa isha me frymë! – mes tjerash gufoi filozofi urban.

Si filozofi të jetës, ndonëse i rritur në një mjedis shumë konservator e lançon pikëpamjen liberale. Askush askë s’ka të drejtë ta vë në gjyqin moral. Mos ta vrasim shpirtin e lirë! Kusuret ndaj Zoti sipas tij lahen, kurse ato ndaj të tjerëve e ndaj vetes rëndë. Mos e deifiko veten sikur do të thotë. Mëkatet tona para Perëndisë, sado të mëdha qofshin janë një grimcë e imtë- shtoi. Duhet që ta gjejmë aftësinë për përmirësim permanent të vetëvetes, për të thënë diçka të re. E thënia e diçkasë që është e re në kohën tonë bëhet përmes rrjeteve sociale, që janë mjete rebelimi, ku njeri thotë “Jo”, s’ka mundësi që ti manjat mediatik, ti pronar gazete, portali të më kryposësh mendjen. Unë e bëj vetë kozmosin tim, pikëpamjen time. Vetë jam mendar, ideator, vetë publikues! Nuk lexoj narracione të huaja, dua të lançoj timin, sepse çdo njeri ka diçka të jashtëzakonshme në vetëvete. Duhet zbuluar atë.”

“Të jesh vetvetja, do të thotë të jesh ndryshe nga të tjerët. Secili nga ne është vetëm një në këtë botë.”

Dhe më në fund preku subjektin kyç: Zonjën Z, të cilën e kishte profilizuar jashtë një ndjenje maskiliste, ndonëse vetë Rexhaj theksoi se s’është feminist, se nuk besonte në barazinë mes mashkullit dhe femrës, sepse këto dy kategori janë krijuar të ndryshme, me dallime. Nëse do të parafrazonim autori tha se kishte dashur të paraqiste një figurë femërore që nuk do ta përshkruante me ndjenjat e veta (mashkullore), por si një femër në elementin femëror, që di të vetërealizohet, që është femër me frymë, fjalë, veprim e reagim. Një femër që nuk është feministe, por humaniste, që takohet me dashurinë e vet dhe që të dy përballen me stereotipat dhe paprekshmëritë shqiptare, me hipokrizinë e individt dhe peudovlerat e turmës. Pse e vratë Zonjën Z, pyeti dikush nga auditori. Ndoshta kjo pyetje kapte thelbin e gjithë problemeve me të cilat përballet femëria, në këtë kontekst edhe ajo shqiptare.

Një përjetim i mirë ishte takimi me shkrimtarin Rexhaj… Një ndjenjë fantastike, një atmosferë ku të ngjallen shpresat se ende kemi koka që mendojnë, që prodhojnë artistikisht e që frymojnë filozofisht, që ftojnë lexues të atdheut tonë të quajtur “gjuhë”, që na bëjnë udhëtarë të detit të letërsisë e “krijimtarisë”.

Vërtet punë e madhe kjo e librarisë, në mes të çarshisë! Do kisha dashur të arrijmë statusin apo një gjendjen kur pa hezituar do shkruanim një ese të titulluar: “Çarshia e librarisë”. Kështu në fillim e pagëzova këtë shkrim, por më pas bëra një ndryshim se m’u duk ca si ekzagjerim. Shkupi im shqiptar edhe më tej do frymë, libra dhe kulturizim!

Lajme të ngjashme

Back to top button