Reformat dhe vetëdija kolektive

Nën thjerrëz 

Çdo hap i ndërmarrë për reforma në fushat më të ndjeshme të shoqërisë, si arsimi, administrata apo shëndetësia, duhet të merret parasysh kultura dhe tradita e një vendi, pasi që reformat janë ngusht të lidhura me mentalitetin, traditën dhe vetëdijen kolektive të një shoqërie

Republika e Maqedonisë, si një shtet në tranzicion të stërzgjatur, duhet të përpilojë strategji për reforma të përgjithshme, pa të cilat e ka të vështirë perspektivën europiane. Por, pa dyshim, që në start duhet kuptuar se këto reforma duhet të jenë në përputhje të plotë me vetëdijen kolektive të shoqërisë. Importimi i strategjive të gatshme për reforma nga shtetet e zhvilluara dhe insistimi me çdo kusht i implementimit të atyre reformave në një shoqëri me një vetëdije krejtësisht ndryshe nga shoqëria e vendeve prej nga importohen ato strategji për reforma, lë që është një gabim i madh por, gjithësesi që do të përcillet me pasoja të rënda për shoqërinë tonë. Prandaj, përveç ekspertëve reformistë në atë “klub” gjithësesi që duhet të përfshihen edhe ekspertë nga lëmenjtë e ndryshëm që tangojnë çështjet sociale, psikologjike, etnike etj! Në të kundërtën, reformat do të stërzgjaten, ose do të kryhen, por shpejt nisin të prodhojnë kundërefekt.

Përkundër shumë problemeve dhe vështirësive, Maqedonia që nga pavarësia e deri më tani, vazhdimisht ka qenë e gatshme për të kryer reforma në shumë sfera. Edhe ato reforma që janë ndërmarrë krijojnë përshtypjen se asnjëherë nuk zbatohen por që ngelin projekte në letër. Problemet e njëpasnjëshme politike dhe ekonomike të vendit, si p.sh., numri i lartë i papunësisë, korrupsioni, marrëdhëniet e acaruara ndëretnike dhe ndërfetare, media gjysmë të kontrolluara, administratë të partizuar, dhe pushtet gjyqësor selektiv, e bëjnë gjithnjë e më të pamundur në përmbushjen e kritereve dhe reformave drejtë anëtarësimit të plotë në Nato dhe BE.

Kohëve të fundit si më aktuale në opinion janë debatet mbi reformat në administratë dhe në sferën e arsimit (duke i përfshirë të tre nivelet e arsimit). Duke u bazuar nga përvojat e shteteve të zhvilluara demokratike, procesi i reformave është një nga sfidat më të rëndësishme të një vendi, me çka nevojitet vullnet dhe mobilizim gjithpërfshirës i shoqërisë në përgjithësi dhe elitave politike në veçanti. Gjithashtu, e kaluara na mëson se zbatimi i reformave të këtilla është proces i vështirë dhe i dhembshëm, që zakonisht has në rezistencë, sepse askush nuk ka dëshirë të prish rehatin!

Gjatë përpilimit të strategjive për reforma, autoritetet qeverisëse të vendit, “importojnë” strategji dhe plane në formën copy-paste nga vendet më të zhvilluara demokratike, si p.sh. Britania e Madhe, SHBA-ja, Gjermania dhe Sllovenia, pa e llogaritur fare se këto strategji janë të hartuara për vende të ndryshme, të cilat aspak nuk janë të ngjajshme me vendin tonë, duke filluar që nga tradita, kultura, madhësia e shtetit, numri i popullatës, zhvillimi socio-ekonomik, etj.

Asnjë qytetar i Maqedonisë nuk është kundër reformave të cilat shpijnë drejt përmirësimit të cilësisë, si në fushën e arsimit, po ashtu edhe në reformat e administratës. Dilemat e shtruara kanë të bëjnë me atë se si mundet strategjitë për reforma të “kopjuara” nga vendet më të zhvilluara të implementohen në Maqedoni! Të merren si model programe dhe strategji për reforma nga fusha e arsimit nga institucionet me renome botërore, si Sheffield, Oxford, Kembrixh dhe të njëjtat të implementohen në Maqedoni, është një paradoks i llojit të vet. Parashtrohet pyetja: si mund të implementohen këto programe dhe strategji, kur në vendin tonë kemi probleme bazike, përballemi me mungesë të infrastrukturës, objekte shkollore të vjetëruara, etj…

Andaj, çdo hap i ndërmarrë për reforma në fushat më të ndjeshme të shoqërisë, si arsimi, admimistrata apo shëndetësia, duhet të merret parasysh kultura dhe tradita e një vendi, pasi që reformat janë ngusht të lidhura me mentalitetin, traditën dhe vetëdijen kolektive të një shoqërie.

Prandaj, është immediate që të punohet në ngritjen e vetëdijës kolektive të shoqërisë dhe të bëhet departizimi i institucioneve, dhe gjatë zbatimit të reformave të merren parasysh më tepër faktorë, si historia, tradita, mentaliteti dhe vetëdija, madje edhe standardi jetësor, për arsye se të njëjtat mund të ngelin vetëm në letër dhe realizimi i tyre të mos ndodh kurrë. Emancipimi i shoqërisë dhe vetëdijësimi i saj për një kohë kur duhet ta përceptojë si vlerë të përgjithshme çdo përpjekje për reforma, për një kualitet më të avansuar të jetës, është parakusht i të gjitha tendencave reformatore. Ky është çelësi i sukseseve. Ndryshe, të gjitha përpjekjet do të jenë ecje në vendnumëro.

Lajme të ngjashme

Back to top button