Çfarë ndodh me zëvendësimin e mësimdhënësve që mbajnë grevë?

Të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Maqedoni kanë dorëzuar pranë sektorit për arsim në komunat përkatëse listat e mësimdhënësve të cilët mbajnë grevën për shkak të kërkesës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) për zëvendësimin e tyre.

Nga Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK), thonë se kanë informacione se në disa shkolla janë kryer zëvendësimet e disa mësimdhënësve, mirëpo që zëvendësuesit nuk janë kompetent për mësimdhënie.

“Kemi informacion që në disa shkollat kanë ardhur disa mësimdhënës që do të zëvendësojnë ata që mbajnë grevën, mirëpo gjithashtu bëhet e ditur se ata nuk janë fare kompetent për atë vend të punës. Kemi informacione që personat në fjalë kanë përfunduar shkollim tjetër dhe japin lëndë diçka që nuk kanë lidhje me të. Si për shembull ka përfunduar fakultetin e arteve dhe jep lënde si gjeografi apo histori. Andaj vlerësoj se tani inspektorët duhet të kryejnë punën e tyre dhe të vlerësojnë se çfarë po bëhet me arsimin në vend”, tha për Portalb, Jakim Nedelkov.

Ai po ashtu komentoi edhe deklaratën e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademit, që mësimdhënësit nga data 20 janar e deri në fund të muajit nuk do të paguhen nga MASH-i por nga SASHK-u.

“MASH-i nuk respekton ligjin dhe nuk ka të drejtë të bëjë një gjë të tillë. Gjithashtu me ligj thuhet se në rast të grevës, duhet të zhvillohen bisedime që të arrihet një zgjidhje, por ja që kjo nuk ndodh te ne. Greva do të vazhdojë ende, gjithashtu ju informojmë që numri i grevistëve shkon çdo ditë duke u rritur edhe përkundër presioneve të shumta”, shtoi Nedelkov.

Në gjimnazin “Ibrahim Temo” në Strugë greva po vazhdon të mbahet nga shumica e mësimdhënësve në përjashtim nga disa mësimdhënës maqedonas, mirëpo në këtë shkollë ende nuk është bërë ndonjë zëvendësim.

“Listat të mësimdhënësve grevist janë bërë dhe dorëzuar në komunë. Mirëpo vetë kryetari i Strugës nuk ka pranuar që të kërkohen zëvendësime pasi që të gjithë e përkrahin grevën dhe vlerësojmë se këto ligje dhe vendime janë absurde. Gjithashtu shtrohet pyetja se ku do t’i kërkojë MASH ata mësimdhënës rezervë kur nuk ka. Greva po vazhdon të mbahet dhe fatmirësisht nuk kemi presione”, tha për Portalb, drejtori i gjimnazit, Xheladin Muça.

Në komunën e Tetovës po ashtu janë dorëzuar listat nga shkollat, por ende nuk është bërë ndonjë zëvendësim.

“Drejtoria ka bë punën e tyre, ka dorëzuar listat mirëpo ende nuk kemi ndonjë informacion lidhur me zëvendësimet, ndërkohë që greva vazhdon”, tha për Portalb, Imerja Ademi, mësimdhënës në  shkollën fillore “Istikball”, në Tetovë.

Në Shkup po ashtu listat janë dorëzuar dhe janë në pritje të zëvendësimeve që do të sillen nga MASH.

“Listat janë dorëzuar, por nxënës nuk ka, nuk e di se me kë do mbajnë mësim ata profesorët që do të na zëvendësojnë. Sa i përket mos pagesës së pagës, jemi mësuar që MASH-i të shkel ligjet, pasi që po ashtu absurd është edhe vendimi për dënimin e mësimdhënësve për testimin ekstern, ku viti shkollor akademik zgjat 9 muaj, kurse mësimdhënësit paguajnë dënim 12 muaj. Nuk jam njohës i mirë i ligjeve vetëm po të bësh këtë krahasim e vëren që është diçka absurde. Të gjithë profesorët me peshë dhe me përvojë të gjatë pune janë duke mbajtur grevën. Ata që nuk e mbajnë janë mësimdhënësit e rinj, të cilët janë kryesisht me fakultete të juridiku dhe ekonomisë dhe sillen korridoreve duke shkaktuar presione”, tha për Portalb, profesori dhe përfaqësuesi i SASHK-ut në gjimnazin “Zef Lush Marku”, në Shkup, Ruzhdi Ibrahimi.

Në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Kumanovë, janë sjell mësimdhënësit për të zëvendësuar ata që bojkotojnë mësimin, por ky proces ka rezultuar i pa sukseshëm.

“Erdhën zëvendësimet që janë përcaktuar nga Byroja dhe MASH-i, mirëpo një vendim i tillë ishte i kotë, pasi që asnjë nga nxënësit nuk vinin në shkollë dhe zëvendësimet u detyruan që të largohen pasi që nuk kishin me kë të mbanin mësim. Sa i përket asaj se a ishin kompetent për atë që janë përcaktuar nuk kam informacion sepse nuk i njoh ata”, tha për Portalb, Samet Jahiji, kryetar i LASH-it të Kumanovës.

Bëhet e ditur se gjithashtu në shkollën fillore “Hristian Todorovski Karposht” janë sjellë disa mësimdhënës rezervë për të mbajtur mësimin në vend të atyre që e bojkotojnë atë. Ndërkaq nga MASH-i nuk përgjigjen lidhur me atë se në cilat shkolla janë bërë zëvendësimet, sa janë kompetent ata, si dhe si do të paguhen. /Portalb

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. E lusim MASH un per rezultatet e testimit ‘ekstrem’ qe u mbajt prej 26.01.2015 deri me 30.01.2015. Nerestese nuk eshte lehte per egzikutuesit e kuizeve per argetim, angazhoneli eksperta ‘rezerv’ te statistikes?

Back to top button