A i siguroi Verushevski informatat për “bombat” e Zaevit?
Është hedhur teoria se arrestimi i ish-drejtorit të DSK-së, Zoran Verushevski, ka lidhje me “bombat” të cilat i ka paralajmëruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Gazeta Slloboden Peçat ka komentuar pretendimet se informatat e supozuara për skandale, Verushevski i ka siguruar me ndihmën e një ambasadori të huaj në Maqedoni.
Duke u thirrur në një “burim të besueshëm”, Slloboden Peçat shkruan se kjo nuk është e saktë, pasi që Verushevski konsiderohet njeri i Cërvenkovskit, e jo i Zaevit.
Zoran Verushevski u arrestua nën akuzën për posedim të materialeve pornografike me fëmijë dhe për posedim të armëve pa leje.
Avokati i tij ka deklaruar se gjatë arrestimit janë shkelur procedurat, për shkak se policia ka pasur fletë-arrest për arrest nën akuzën për “spiunazh”.
Avokati i Verushevskit po ashtu ka deklaruar se armët i ka poseduar me leje, kurse materiali pornografik i është montuar.
Edhe rasti i arrestimit të Verushevskit po hyn në radhën e rasteve të dyshuara për ndërhyrje politike.