Jabllanoviq shkarkohet këtë javë?

Ministri për Kthim dhe Komunitete i Republikës së Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, do të shkarkohet nga pozita brenda kësaj jave, ka bërë të ditur për lajmi.net një zyrtarë i lartë i Qeverisë.
Arsyeja e shkarkimit të ministrit Jabllanoviq nuk janë protestat e djeshme që eskaluan në dhunë, por rreziku nga prishja dhe tensionimi i marrëdhënieve ndëretnike, për çka është investuar aq shumë që prej përfundimit të luftës në Kosovë.

“Shkarkimi i ministrit Jabllanoviq nuk do të bëhet për shkak të protestave të djeshme të opozitës, porse Qeveri e Kosovës dëshiron që të evitojë tensionimin e raporteve ndëretnike, e i cili po nxitet nga grupe dhe parti të caktuara”, ka thënë me kusht anonimiteti një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës.

“Ky vendim është marrë pas konsultave që Qeveria e Kosovës ka pasur me përfaqësuesit e shteteve anëtare të Quint-it (SHBA, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe), dhe se zbatimi i tij do të bëhet brenda pak ditësh”, ka thënë ky burim.

Qëllimi i koalicionit qeveritar PDK-LDK, sipas këtij burimi është që Lista Serbe të mbetet brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, me qellim që të vazhdohet me integrimin e serbëve, sidomos të atyre që jetojnë në veri të vendit.

Ministri Jabllanoviq, duke i quajtur egërsira i fyeu familjarët e të zhdukurve gjatë luftës, pasi ditë më parë penguan vizitën e disa zyrtarëve serbë në Gjakovë. Kjo deklaratë e tij nxiti protesta në të gjithë vendin, ndërsa opozita u përpoq ta shfrytëzojë me kërkesat e saj politike.

“Thirrjet e Nënanve”, që organizoi protesta paqësore në të gjithë vendin, nuk e mbështeti protestën e djeshme në Prishtinë, pasi as në protestën paraprake, demonstruesit nuk ishin paqësorë, por të nxitur nga partitë opozitare, thyen xhamat e ndërtesës së Qeverisë. /lajmi.net/

Lajme të ngjashme

Back to top button