Dashuria apo Karriera

Kur në të njëjtën fjali i gjejmë fjalët “dashuria” dhe “karriera” në mëndje njëherësh na sillen qindra pyetje e konkludime, raste e kuota, kalkulime e zgjidhje potenciale; e po t’i dëgjojmë karrieristët (të të dyja gjinive) të përbetuar, jo vetëm që të thonë ta zgjedhës karrierën, por edhe u duket qesharake “dilema” në të cilën gjendeni. E përsa u përket romantikëve, po t’i dëgjoni ata, romantikët e papërmirësueshëm, ata ju tregojnë dhe dëshmojnë se përse ta zgjidhni dashurinë mbi karrierën, ata flasin me emocion për të.

TË GJITHË GJENDEMI NË DILEMA TË KËTILLA

E kur edhe veten e kam gjetur në mes të këtyre dyjave, më ka ndihmuar një këshillë e nënës sime e që është “LOGJIKA MBI NDJENJËN”. E di që tingëllon klishe; e di që është diçka që do të duhej të më shkonte vetë në mendje; po, po të gjitha i kam parasysh, mirëpo më besoni se tingëllon shumë me e fuqishme kur të thuhet nga dikush që i ka të dyja të vendosura në vijë, si dashurinë, pra ne familjen e saj, ashtu edhe karrierën, ku për të gjithë ata që e njohin nuk kam pse të flas më shumë, e për ata që nuk e njohin do të mundohem ta përmbledhë me fjalën SUPERGRUA! Fillimisht thënien e mora në vija të trasha, por duke e menduar, duke u munduar që vërtetë ta vendosi logjikën mbi ndjenjën, e që më mori goxha kohë, e kuptova që me ndjenjë do të veproj në afekt, ndërsa me logjikë do të veproj si duhet.

E unë këto dyja si logjikën e ndjenjën, ashtu edhe dashurinë apo karrierën, i shoh si dy zjarre, në të cilat nuk shpëtojmë pa u djegur së paku një herë! Pra, ajo apo kjo?

DASHURIA vs KARRIERA

Kemi dëgjuar shpesh se si një familje apo dashuri “sikur në përralla” është prishur shkaku i problemeve financiare, e gjithsesi kemi dëgjuar edhe raste kur dashuria është shitur për para. E nga këto gjithmonë kam përfunduar me të njëjtën pyetje; a vërtetë është kaq e vështirë të gjendet “mesi i artë”?

Dy gjërat që do i them duke u nisur nga përvoja personale, mua më kanë ndihmuar ta gjej mesin:

  1. a) Dashuria e vërtetë vjen një herë në jetë. E atëherë kur vjen ne e dimë se ajo është ajo dashuria për të cilën shkruhen novela e bëhen filma.
  2. b) Sa më shumë karrierë që bëjmë, sa më shumë të arritura që kemi, dëshira për sukses do të rritet; e për ta kompletuar suksesin gjithmonë duhet pasur përkrah suportuesin; e kur dashuria përkrahë karrierën, atëherë ky është suksesi i vërtetë.

MË MIRË ‘PSE E BËRA’, SE SA ‘PSE S’E BËRA’

Edhe pse kjo thënie i shkon më shumë për shtati dilemave më pak të ngushta në garën mes arsyes dhe ndjenjës, përsëri nuk do të ketë mundësi që një ditë gjatë jetës sonë të ndalemi dhe të mendojmë se a e kemi marrë vendimin e duhur, dhe të reflektojmë mbi atë se “Si do të ishte sikur të vendosja ndryshe?”

Për të marrë një vendim të këtillë, të vendosësh logjikën mbi ndjenjën, në fillim duhet ta njohim veten, personin që jemi. E Bukovski e ka thënë më së bukuri: Gjej çfarë dashuron, dhe lëre të të vrasë”! Pra, kur njëherë kemi vendosur që diçka mund të na “vrasë” atëherë padyshim se nëse ia ka vlejtur atëbotë, ia vlen përsëri, e përsëri, e përsëri…

Ndërsa në tabelën imagjinare me PRO dhe KUNDËR, në kuptimin afatgjatë zakonisht besohet të fitojë dashuria, pra edhe kur i zgjedhim të dyja e që është gjëja më e mençur për të bërë, vjen një moment në jetë kur karriera do të “pauzojë” tek femrat, për shkak të bebes, por siç dihet asgjë nuk krahasohet me këtë dashuri, pra të nënës për fëmijën. Andaj nuk duhet tërhequr paralele mes këtyre dyjave, në këtë kontekst!

DASHURIA dhe KARRIERA

Ky është paragrafi që e preferoj më shumë, që mendoj që në fakt duhet të jetë kështu. Të jetë lidhëza “DHE” mes këtyre të dyjave, jo “apo” ose “vs”. Unë njoh shumë persona që i kanë të dyja, madje guxoj ta fus edhe veten në këtë mes. “I duhuri” gjithmonë do i përkrahë vendimet tona, qoftë edhe nëse duhet sakrifikuar për to. Tek e fundit çiftet gjithmonë duhet ta takojnë njëri-tjetrin në mes të rrugës… pra është reciproke!

Kur në çift prioriteti i njërit nuk bëhet prioritet i tjetrit, dhe anasjelltas, kjo lidhje lë për të dëshiruar; andaj t’i njohim prioritetet tona dhe t’i bëjmë të qarta në fillim.

Dhe duke shkruar erdha në një përfundim timin: “Dashuria nuk na e siguron jetesen, por as karriera nuk zgjohet në mëngjes të na puthë, apo me mbishkrimin “të dua” pranë kafesë së mëngjesit, aq më tepër kur një ditë pas shumë vitesh do të zgjohemi pa fuqi për të “karrierizuar” e me shumë nevojë për të dashur e për t’u dashur.”

E nëse vërtetë mendoni që duhet të zgjidhni mes njërës apo tjetrës, vendosni sikur ky të jetë vendimi i fundit që merrni dhe sikur nuk do të ketë kthim prapa.

Por nga gjithë thëniet që i kam lexuar kur mendoja se patjetër duhej të gjeja një zgjidhje një e kam gjetur nga një autor anonim që më ka rrëmbyer shumë “Nëse vendimi bëhet aq i vështirë kur vjen të zgjedhni mes dashurisë dhe karrierës, zgjedh dashurinë: Më mirë një romantik i pashpresë me kujtime të lumtura, se sa një i varur nga puna, por pa jetë sociale e me shumë para.”

E një thënie qesharake nga ato të internetit ma kujtoi vëllai im 13 vjeçar “Më me dëshirë do të vuaja për dashuri në Ferrari, se sa të dashuroja në biçikletë”. Eh po vëllai im si duket s’do të ketë dilema (ha-ha-ha).

Unë i kam zgjedhur të dyja, guxoj të them përsëri, dhe për këtë nuk e falënderoj veten por Robertin që ma ka bërë të mundur, që më ka mbështetur e shtyrë ndoshta edhe më shumë se unë veten, e vërtetë shpresoj që veproj njëjtë në këtë aspekt në raport me te!

E ju sido që të vendosni, dyjat apo vetëm njërën, mos e ktheni kokën prapa. Mendojeni si të pa zhbëshme, të bërën! Nuk kemi kohë për pendesa – kohën e “pendesave” ta shpenzojmë duke arsyetuar se përse një herë kemi vendosur që punët të jenë kështu! /Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button