Reformimi mendor, nevojë imediate!

Fundi i shekullit njëzet dhe fillimi i shekullit njëzet e një jo vetëm që do të mbahen mend si një moment i përfundimit të luftërave dhe konflikteve që lidhen me shqiptarët, por, këto vite do të kujtohen edhe për përshpejtimin dhe intensifikimin e realizueshmërisë së projektit global, të quajtur “globalizim dhe (ose) amerikanizim”, një sfidë kjo, e vështirë për të gjithë kombet, por edhe për shqiptarët. Në këtë lojë botërore padiskutim edhe ne ballafaqohemi me mundësitë dhe kërcënimet,  por kuptohet,  jo si protagonistë të ngjarjeve. Me fjalë të tjera, me dashje apo pa dashje ne ndikohemi vazhdimisht nga rrjedhat ekonomike, politike dhe kulturore që ndodhin në këtë “fshat global” apo në këtë “anije” që në vazhdimësi po zhytet si pasojë e zullumit kronik. Tani më,  gjithçka duket sheshit se kush janë përfituesit dhe humbësit nga kjo platformë.

Në këtë kuptim,  po të bëjmë një retrospektivë dhe të shohim se si ka evoluar shoqëria jonë shqiptare në fazën më intensive të globalizimit, përballë na dalin episode të shumta negative dhe shumë pak pozitive. Ndryshimet janë nga më të thjeshtat deri tek ato më radikalet, siç janë ndryshimi i stilit të të jetuarit, mënyra e të menduarit etj. Në këtë pikë, suksesi dhe dështimet tona shoqërore varen direkt nga ne, nga mënyra se si ne i bëjm dhe i shohim gjërat… Se sa ne jemi të zotë që mundësitë apo kërcënimet që lindin nga ky projekt global, t’i konvertojmë në përfitime tona shoqërore, varet pikërisht nga ne.

Ndaj përshtypjen se, në përgjithësi, si individ por edhe si shoqëri, jemi të prirur të çmojmë më shumë vlerat e huaja se sa tonat. Që ironia të jetë më e madhe, jemi të prirur që nga të huajt të zgjedhim dobësitë dhe jo përparësitë e tyre. Ndoshta verbëria jonë politike ka bërë që të mos mbështetemi tek arsyeja dhe gjykimi i shëndoshë. Me pak fjalë, në shumëçka jemi të prirur nga e keqja dhe e huaja…

Për fatin tonë të mbrapshtë ne sot dukemi më global (amerikan dhe evropjan), se vetë protagonistët e globalizimit,  kur janë në pyetje kullerat, reperat, pederat, laperat… Ne jemi të përpiktë në imitimin e verbër të vlerave globale, madje edhe më shumë, kur është në pyetje përmbushja e epsheve tona shtazarake.  Mjafton të hapësh internetin apo televizorin dhe të shohësh “arritjet shekullore” të shqiptarëve. Sot në mediat tona vizuele por edhe ato të shkruara dominon, zbavitja, seksi dhe dhuna. Nga ana tjetër, kur është në pyetje puna, angazhimi, përgjegjësia,  shkenca dhe studimi jemi me vite drite larg amerikanëve dhe evropjanëve. Me fjalë të tjera, jo vetëm që nuk i shfrytëzuam/ojmë mundësitë globale, por jemi bërë ndjekës fanatikë të vlerave globale negative. Për këtë po paguajmë dhe do të paguajmë çmim shumë të lartë…

Për fund, mendoj se  nëse duam të jemi më të fortë, më të “shëndoshë” dhe më të plotë dhe unik përballë të tjerëve, duhet të jemi më syçelë dhe më të vetëdijshëm në absorbimin e “vlerave” që  na servohen nga ky projekt global, sepse rrezikojmë të humbim gjuhën dhe vlerat tona kulturore. Gjithashtu, shfrytëzimi i mundësive që sjell globalizimi dhe përvetësimi apo “vjedhja” e vlerave më kualitative që kanë të tjerët dhe flakja kategorike e çdo gjëje tjetër që na dëmton neve si shoqëri, është parakusht për mbijetesën tonë në këtë botë me diversitet shumë të larmishëm kulturor. Andaj, sa më parë që të reformojmë mënyrën tonë të perceptimit, pranimit dhe vlerësimit të gjërave, pamvarësisht se nga cila anë vijnë ato, aq më “jetëgjatë” do të jemi…

Lajme të ngjashme

Back to top button