Mustafa dhe Thaçi: Opozita po dëshiron me dhunë ta marrë pushtetin

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke folur lidhur me ngjarjet e sotme, ka thënë se Qeveria ka ndjekur me shqetësim ngjarjet e dhunshme në protestën e organizuar nga partitë opozitare. Ai dhe zv/kryeministri Hashim Thaçi kanë fajësuar partitë opozitare për dhunën e përdorur në protestë, duke thënë se në këtë formë duan ta marrin pushtetin.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Qeveria e Kosovës shpreh keqardhje, dënon nxitjen politike dhe dhunën e ushtruar ndaj institucioneve të Kosovës.

“Pronat e qytetarëve janë shkatërruar, janë sulmuar hapësirat publike. Protestat e sotme të motivuara politikisht i kanë bërë dëm shtetit tonë të ri”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Ai ka shtuar se Qeveria respekton në plotni të drejtën e protestës por po ashtu vlerëson se ajo “nuk duhet përdorur për të përmbushur ambiciet për pushtet sepse pushteti fitohet me votën e qytetarëve dhe jo me dhunë”.

Ndërkaq, zv.kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se mbështetë plotësisht fuqishëm qëndrimin e kryeministrit Mustafa.

“Protestat e të shtunës nuk kanë pasur objektiva të vullnetit qytetar por të politikës ditore. Dialogu, komunikimi duhet të zhvillohet ndërmjet pozitës dhe opozitës në parlament dhe jo në sheshe.
Nuk do të dorëzohemi përballë dhunës”, ka thënë ndër tjerash Hashim Thaçi.

Ai ka vlerësuar se aktet e sotme janë akte të një grupi të vogël.

“Policia e Kosovës, sot kanë vepruar me shumë sakrificë, ata sot e shpëtuan Kosovën nga më e keqja. Dhuna e sotme nuk është e paplanifikuar. Disa protestues ushtruan dhunë ndaj vajzave dhe djemve të Kosovës. Përpjekjet e policisë ishin për çdo lavdatë dhe përmbajtja e tyre ishte për tu përshëndetur”, ka vlerësuar Thaçi.

Ai ka përmendur faktin se përveç objekteve publike, shumë lokaleve private, është sulmuar edhe një ambasadë e një shteti mik që ka njohur Kosovën.
“Një tentim i marrjes së pushtetit me dhunë. Pushteti fitohet me vota dhe jo me dhunë. Në këtë shtet vetëm vota e përcakton qeverinë, parlamenti është përfaqësues legjitim i qytetarëve”, ka thënë ndër tjerash Thaçi. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button