Bushati-Poposki: Shqipëria mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO (VIDEO)

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikola Poposki, po  zhvillon sot një vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, me ftesë të homologut të tij, Ditmir Bushati, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati priti sot në një takim zyrtar homologun e tij maqedonas, Nikola Poposki, ku pas përfundimit të takimit, të dy ministrat mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat. Në fjalën e tij para gazetareve ministri Ditmir Bushati u shpreh se dialogu politik me Maqedoninë është në rrugë të mbarë duke patur parasysh dhe vizitat në nivel të lartë si vizita e kryeministrit Edi Rama, e kryetari të Kuvendit, Ilir Meta, e ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe disa ministra të tjerë në Maqedoni.

Bushati shtoi ndër të tjera në fjalën e tij se:“Gjatë bashkëbisedimit ndamë pikëpamjet që bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve tona nuk i përgjigjet bashkëpunimit politik, kjo jo për mungesë të vullnetit të dy qeverive apo të dy shteteve se sa për mungesë të instrumenteve të duhur financiar që do ti ndërlidhnin më mirë ekonomitë tona, do ti bënin realitet dëshirat për projektet në infrastrukturë, ku dhe do të ndihmonin në përparimin e rajonit drejt BE”.

Bushati ka theksuar se me homologun e tij maqedonas, Nikola Poposki  kanë rënë dakord për një qasje të përbashkët përsa i përket menaxhimit të rezervave ujore dhe monitorimin e integruar të liqenit të Prespës, Ohrit dhe lumit Drin, ku për këtë ka dhe një kuadër të plotë ndërkombëtar ligjor që detyron si Maqedoninë ashtu edhe Shqipërinë që ta respektojë.

“Shqipëria e konsideron Maqedoninë një vend fqinjë mik dhe gjithashtu Shqipëria është mbështetëse e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO në frymën e konkluzioneve të samitit të Uellsit, gjithashtu do të dëshironim që nga Berlini në konferencën e Vjenës vendet e rajonit të paraqiten me projekte të përbashkëta për perspektivën tonë të përbashkët Europiane” ka deklaruar ministri Bushati.  Ministri Bushati përfundoi se është rënë dakord për një bashkëpunim më të ngushtë sidomos në disa sfida të cilat janë globale, por prekin në mënyrë të qartë dhe rajoni e Ballkanit si për bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër terrorizmit dhe fenomenit të ekstremizmit.

Ndërsa Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikola Poposki ka shprehur falënderime për homologun Bushati për mikpritjen e bërë dhe se kjo mikpritje sipas tij është në kuadër të marrëdhënieve të shkëlqyera politike mes dy vendeve. “Gjithashtu diskutuan për realizimin e projekteve të ndryshme si ato politike dhe ato ekonomike, nëpërmjet takimeve të përbashkëta. Më vjen keq që marrëdhëniet ekonomike nuk janë në të njëjtin niveli me marrëdhëniet politike pasi nuk i përkasim atyre 20 vendeve që janë më të fuqishëm nga ana tregtare, por do të punojmë në të ardhmen që ta rrisim këtë në nivel në infrastrukturën energjetike, rrugore, etj” ka deklaruar Poposki.

Lajme të ngjashme

Back to top button