Unë jam populli

‘Unë jam i shkretë dhe xhepzbrazur sepse punoj dhe nga të gjithë të ardhurat e punës sime më grabisin pjesën më të madhe.’ Nga unë shteti merr shumë dhe unë detyrohem t’i jap,se unë jam populli e ai është ‘streha ime’.
Sigurisht,unë jam populli dhe jam duarlidhur gjithmonë.

Unë kam familje,ne luftojmë të mbijetojmë por me çfarë?

Meqë shteti gjithmonë e më tepër po na zhvesh më tepër ,po na rrjep më tepër,ç’më mbetet të bëj?
Nuk dua por detyrohem të vjedh,e ca më keq,detyrohem dhe të vras,për bukë,për ujë,për rrymë madje dhe për frymën që marr.

Por në këtë lojë të pamëshirshme sidoqoftë i humburi jam unë,dergjem pas hekurave dhe bijtë e mi vdesin të pangopur rrugëve.

Unë s’di nga të rend,vrapoj pas një lideri,zhgënjehem,vrapoj pas një tjetri,zhgënjehem sërisht,bie pre e propagandave,agjitacioneve,manipulimeve që t’i shtyj ca ditë më të mira vetëm që të ushqej veten dhe familjen.

Unë jam populli,unë jam masë pavarësisht se kam arsye e logjikë,pavarësisht se kam potencial.

E mbi të gjitha unë kam durim,duroj në mjerim,duroj se s’vlen gjë tjetër,duroj tek shtypem,duroj tek zhvishem,duroj tek skllavërohem e duroj kur mundin tim e djersën time e shoh luan,e shoh një formësim që s’di se ç’është.
Unë jam populli dhe ashtu lakuriq e i pangopur duhet të duartrokasë,për arritjet e udhëheqësve ,për xhepat e tyre të mbushur,për makinat e tyre të reja,për pallatet,për paratë e panumërta,duhet të përplas duart për varfërinë time dhe injorancën e tyre.
Çfarë spektakli !
Dhe unë duartrokas,e ç’më mbetet të bëj gjë tjetër pos të servilosem?!
Sepse unë jam populli dhe populli është si skllavja në haremin e sulltanit dhe plastelina në duart e tij.
Unë jam populli dhe po vdes për bukën e gojës pavarësisht se punoj skllavërisht sepse atë që e fitoj ,atë që ma japin ma zhvasin sërisht.
Unë jam populli,ai është shteti,jemi diametralisht larg sepse unë përtyp skamje ndërkaq ai tepri e luks.

Lajme të ngjashme

Back to top button