Pse greva pengon qeverinë?

Dëgjoja sot një nënë teksa bisedonte me të birin, ma merr mendja në shkollë fillore. Ora 9 e mengjesit. Me siguri djali nga ana tjetër e linjës, i gëzuar i tregon që i kanë lëshuar nga mësimi sepse arsimtari i fizikës dhe ajo e kimisë mbajnë grevë. Me siguri edhe disa të tjerë, por për këtë të fizikës dhe atë të kimisë e morra vesh nga e ëma që ia kthen: Po ata të dy VMRO-ja i ka punësuar, si mundet ta lënë mësimin ashtu? Tani, nuk dij nga t’ia filloj për të përshkruar se çka është më e gabueshme në këtë bisedë! Duke lënë mënjanë gëzimin e djalit që sot është liruar nga shkolla (e mbaj mend vetë sa gëzohesha në të tilla raste), sepse e konsideroj normale. Edhe ne të rriturit, po na thanë që sot nuk ka nevojë të shkoni në punë, do të ishim gëzuar. Por ka sende të tjera që megjithëse më duken të kapshme – duke njohur mentalitetin dhe rrethanat në të cilat mbijetojmë – por nuk më duken normale.

Disa muaj më parë në shkrimet e mia përmenda terminin Brezi i karkalecave. Kjo bisedë ma vërteton përshtatshmërinë e këtij termini për brezin tonë dhe brezin e fëmijëve që ne rrisim. Me brezin e karkalecave – për ata që nuk më kanë lexuar atëherë – paraqitja gjeneratat të cilat vuajnë për të gjetur qëllimin e jetëve të tyre, pa qëllime të mëdha që do të definonin jetën e tyre shoqërore, me idealet e një gjenerate të kaluar të humbura nëpër luftërat, dilemat dhe paqartësitë e kohës tonë. Në fund të fundit, brezi i karkalecave jemi ne, sepse jemi dembela dhe presim dikush tjetër nga jashtë të na i zgjidhën problemet.

E dini, të organizohet grevë dhe e njejta të mbahet është për çdo uratë, në një diktaturë. E drejtë e secilit sindikalist e garantuar me kushtetutë, një formë shumë demokratike për të protestuar. Prandaj uroj këta arsimtarë që protestojnë të tregojnë durim dhe kohezion përballë sfidave që sapo kanë nisur. Paranteza në këtë, është që tek ne ekzistojnë sindikalistë të VMRO/BDI-së dhe sindikalistë që nuk janë të VMRO/BDI-së. Janë demokratike ndasitë përbrenda një grupi sindikalist kaq të madh, por që të ketë më shumë sindikate të ndara në ngjyra politike, kjo është absurde. Aq më shumë, është kundërproduktive. Dy momente janë të rëndësishme këtu: e para, krijohet konfuzitet dhe fillojnë dilemat karkaleciane tek nxënësit. Sepse disa lëndë do t’i mbajnë, disa të tjera jo. Aq konfuze do të jetë situata, saqë tek më të vegjlit do të krijohet bindja që matematika është SDSM, historia është VMRO. Pastaj varësisht nga bindjet politike të prindërve, njëra lëndë mund të konceptohet si e mirë, tjetra si e keqe. Shihni shembullin më lartë: në bazë të simpative të nënës së lartpërmendur, edhe fëmija do të krijojë bindje – të dëmshme – lidhur me njërën apo tjetrën shkencë. Rrjedhimisht krijohet averzion ndaj mësimit, ndaj shkollimit.

Momenti i dytë karkalecian është që ngjyrosja e më të shenjtës, arsimimit është e qortueshme dhe jashtë normales. Aq më shumë i qortueshëm është udhëzimi qeveritar i përveshjes së grevës me një negativitet, gjoja greva cungon procesin arsimor dhe nuk ju bën mirë nxënësve. Më falni, por kjo është hipokrite. Nëse format të cilat kjo qeveri i ka zgjedhur për të drejtuar arsimimin janë të gabueshme, atëherë jo vetëm arsimtarët, por edhe prindërit, edhe nxënësit duhet të çohen në këmbë për të kundërshtuar. Bile do ta shihja këtë si një revolucion pozitiv të brendshëm, i cili do të kishte efekte pozitive edhe në qeverisjen aktuale, sepse do t’i përmendte që disa reforma nuk janë në rregull, disa sende duhen lënë ashtu si duhet. Disa reforma nuk mund të realizohen përnjëherë, sepse janë procese që kërkojnë kohë. Sidomos reformat në arsimim. Tek të gjitha sferat tjera të zhvillimit të një shteti mund të gabohet, por në asnjë mënyrë tek arsimimi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button