Liritë e mediave: Tomorrow will be better

 

Liria e të shprehurit (dhe e shtypit) në Maqedoni gjithmonë ka qenë temë problematike. Edhe në RFSJ, Maqedonia ishte e etiketuar si “vilajet i errët”. Asgjë nuk ndryshon, ajo edhe më tutje është vilajet i errët.

 

Shkruan: Аleksandar SHOLJAKOVSKI

 

Liria është si shëndeti, mendon për të atëherë kur nuk e ke. Këtë e ka thënë Mesha Selimoviq, e ne mund të huazojmë si mendim në këto momente tragjike kur liria e të shprehurit është rrezikuar seriozisht.

Thënë të vërtetën, liria e të shprehurit (dhe e shtypit) në Maqedoni gjithmonë ka qenë temë problematike. Edhe në RFSJ, Maqedonia ishte e etiketuar si “vilajet i errët”. Asgjë nuk ndryshon, ajo edhe më tutje është vilajet i errët.

Për fat, e vërteta na vinte nëpërmjet shtypit të Zabregit ose Beogradit. Ne vetëm lëvrinim dhe dëshironim të kemi së paku aq liri sa ka edhe atje. Tani edhe atje ndodh diçka e keq, mirëpo te ne ndodh më e keqja. Vilajeti i errët mbeti i errët. Pa marrë parasysh gjithë atë që e kaluam gjatë këtyre dy dekadave e gjysmë, përsëri jemi në fillim, kur në mënyrë epike duhet të përfundojmë se – për lirinë duhet të luftojmë!

Ata që anojnë kah idealizimi, se madje edhe në komunizëm liria e të shprehurit ka qenë më e madhe – nuk e thonë gjithë të vërtetën. Dallimet vërehen në momentin kur do të filloni të bëni krahasim. Edhe atëherë edhe tani nuk kishte liri edhe atëherë edhe tani gazetarët vuanin nga pushteti arbitrar i politikanëve arrogantë dhe i atyre që ishin besnikë të tyre. Kryesisht për çështje banale. Shembull, e gjithë redaksia e “Osten”-it në vitet e shtatëdhjeta ishte në hetim partiak për faqen e parë ku shkruante “Tomorrow will be better”. Komiteti partiak bëri një fushatë të madhe hetimore që ta konstatojë prapavijën armiqësore të kësaj porosie. E bëhej fjalë për një shpoti të mirë të një reviste satirike, e cila gjeti mënyrë që t’i shprehë rezervat e saj ndaj premtimeve të vazhdueshme për një të nesërme më të mirë.

 

PURGATORËT PARTIAKË

Оse: një komentator i një televizioni të Shkupit mbeti pa punë me vite të tëra për shkak të një fjalie е cila një spikereje i është dukur sikur bën nxitje për terrorizëm (a ka nevojë të themi se ajo spikere ishte bashkëshorte e një njeriu të atëhershëm të politikës). Redaksia e gazetës rinore të Shkupit, “Fokus”, u shkatërrua për shkak se në një artikull të shkurtër i kishte ofenduar luftëtarët e LNÇ-së.

Edhe atëherë edhe tani, në purgatorët partiakë sundonin tipat e njëjtë ligavecë, të cilët trillonin, konstruonin, gjenin prapavijë në tekstet (dhe mendimet) gazetareske, e pastaj, nëpërmjet gazetarëve “të tyre”, i ekzekutonin njerëzit të cilët ose nuk u pëlqenin ose thjesht ishin përcaktuar për likuidim.

Pluralizmi solli rregulla të reja dhe disa vitet e para mund të vlerësohen si më të ndritshmet në gazetarinë e Maqedonisë. Nuk kishte tema për të cilat nuk mund të shkruhej, theheshin të gjitha tabutë, nuk kishte represion mbi lirinë e të shprehurit, e ata që nuk pajtoheshin me politikat redaktuese, kishin mundësi të përcaktohen për ndonjë medie tjetër, të cilat vazhdimisht mbinin. Askujt as që i shkonte ndërmend t’i padisë gazetarët.

Gazetarët gjatë atyre disa viteve të para ishin shtresa më e mbrojtur profesionale e shoqërisë. Disa këtë e keqpërdorën për qëllime krejtësisht të tjera lukrative, bënin tregti me lirinë mediatike dhe në atë aspekt kalonin shumë mirë.

Diku në fillim të vitit 1994, Kiro Gligorovi, në prani të një grupi gazetarësh, në mënyrë shumë energjike deklaroi se ai do të angazhohej për çdo gazetar që do ta pësonte për diçka që e ka shkruar, për shkak se kjo është e palejueshme në një ambient demokratik! Dhe me këtë rast, e potencoi vendosmërinë, i ra tavolinës me dorë, gjë që nuk  e bënte zakonisht. Mirëpo, pak më vonë, nuk i pengoi kur u ndryshua drejtori i televizionit nacional për një artikull kritik ndaj tij.

Pasi Brankoja dhe njerëzit e tij u etabluan në pushtet, pas vitit 1995, filloi përsëri me “ngulfatjen” e mediave. Largoheshin gazetarë të cilët nuk i pëlqenin pushtetit për shkak të qëndrimeve kritike, largoheshin nga pozitat redaktuese dhe përsëri në skenë dolën ata tipa ligavecë, tani në formë të redaktorëve dhe të udhëheqësve, u paraqitën edhe pronarë të televizioneve të cilët bënin tregti dhe i këmbenin shërbimet e mediave të tyre për përfitime nga pushteti. Këtu më nuk bëhej fjalë për liritë e mediave.

Qeveria e Ljubços e shtrëngoi gjendjen edhe më shumë, dënonte financiarisht redaksi të papërshtatshme (inspeksionet e atëhershme financiare ishin nën kompetenca të ministrit për financa, Nikolla Gruevski). Ljubçoja ishte i pari i cili arriti që nga shërbimi televiziv publik të bëjë strofull të tij propaganduese… Pastaj erdhi kthimi i Brankos – i cili nuk bëri asgjë dhe kjo iu thye për kokë.

 

MARRJA ME DHUNË, SHUARJA OSE SHTANTAZHI

Vilajet i errët u etablua me marrjen me dhunë, shuarjen ose shantazhin e të gjitha mediave relevante, në mënyrë tepër të fuqishme që të mos shihet se paraqet plan për vënie nën kontroll të çdo gjëje që mund t’i ngjajë lirisë së të shprehurit. Në fund, e gjithë kjo paketohet ligjërisht, u futën edhe dënime drakonike me para. Tani e kemi situatën që e kemi.

Nëse menduam se liria në shoqëritë demokratike është diçka që nënkuptohet, diçka që është dhënë vetëvetiu, jemi mashtruar keq. Kur nuk ka demokraci, nuk ka as liri. Në përputhje me këtë, nëse nuk ka liri të shprehjes, nuk ka as demokraci. Tregimi për vilajetin e errët në lirinë e të shprehurit zgjerohet prej shtypit kah të gjitha liritë dhe domenet e tjera të jetës: sindikatet, sektori civil, kultura, arkitektura, historia…

Vijmë deri te një njohuri humbëse se liria e të shprehurit dhe të menduarit nuk është diçka që është e dhënë vetëvetiu, se kjo, para së gjithash, është gjendje e vetëdijes, nivel i vetëdijes, kulturës politike, virtytit intelektual, qëllimit të mirë… Deri atëherë do të mbetemi në vilajetin e errët mediatik.

 

proverka na fakti fotosNë dritën e mbrojtjes aktuale planetare të lirisë së të shprehurit pas masakrit në “Charlie Hebdo” të përkujtojmë se gazeta e njëjtë, para pothuajse një viti, e me rastin e aferave të dashurisë të kryetarit Holland, në faqen e parë publikoi karikaturë të kryetarit me të cilën implikohet se ai në vend të kokës mendon me penisin (organin).
Pas masakrit në redaksi, po i njëjti Holland e ngriti gjysmën e botës në mbrojtje të lirisë së të shprehurit  për po të njëjtën gazetë “Charlie Hebdo”. Se nuk është vetëm manifestim “pas vdekjes” i virtytit liridashës, dëshmon edhe një emision dokumentar i inçizuar para atentatit në redaksi, e në të cilin Holland, i pyetur për aë se çka mendon për atë që e bën “Charlie Hebdo”, përgjigjet se ndonjëherë konteston, shpreh pakënaqësi, ndonjëherë mendon se ka teprime, mirëpo konsideron se kjo është hokatare, qesharake dhe se është pjesë e debatit publik.
A mundeni, për shembull, që në këtë dritë ta paramendoni Gruevskin dhe gjithë garniturën politike në pushtet në radhët e para të protestës kundër dënimit me burg të Kezharovskit!?

Lajme të ngjashme

Back to top button