Shtrenjtohen mallrat që blihen me dollarë

Dollari amerikan ka shënuar një forcim të ndjeshëm në tregun vendor kundrejt denarit dhe nga muaji korrik i vitit të kaluar deri në muajin janar të këtij viti është shtrenjtuar mbi 5 për qind. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës Popullore të Maqedonisë, në korrik të vitit të kaluar kursi mesatar i dollarit ishte 45.51 denarë , ndërsa aktualisht kursi mesatar i dollarit është 51.60 denarë. Sipas ekspertëve të financave, ky trend i forcimit të dollarit lidhet me efektet e forcimit të ekonomisë amerikane dhe ndryshimit të krahut të politikës monetare të Bankës Qendrore Amerikane si edhe me kursin e ri të Bankës Qendrore Evropiane, shkruan Koha.

Kjo tendencë e forcimit të dollarit pritet të reflektohet në shtrenjtimin e caktuar të mallrave që paguhen jashtë me valutën amerikane duke përjashtuar naftën, ndërsa nuk pritet të pasqyrohet më shumë te qytetarët për shkak të dominimit të valutës së euros në transaksionet devizore në Maqedoni. “Forcimi i dollarit do të ketë ndikim më zhvillimin e biznesit në Maqedoni, ku kjo ndoshta nuk do të pasqyrohet menjëherë por gjithsesi se pas një kohe do të reflektohet deri në stabilizimin e dollarit në treg. Me fjalë të tjera, rritja e vlerës së dollarit kundrejt euros do të shtrenjtojë çmimet e produkteve që blihen me dollarë dhe do të ndikojë në uljen e fitimit të kompanive nga Maqedonia që tregtojnë me dollarë”, thotë Xhemali Dauti, pronar i kompanisë “Dauti Komerc”. Ekspertët financiar thonë se nëse vazhdon forcimi i dollarit kjo të ndikojë edhe në shtrenjtimin e mallrave të caktuara që paguhen me valutë amerikane.

Lajme të ngjashme

Back to top button