Më puth!

Puthmë mua, puthmë fort,

Të më dhembë, me tërbim.

Gjaku im përvëlon,

Kurse shpirti akull ngrin.

Kup’ e derdhur, e përmbysur

Mes gëzimit nuk na shkon.

E kuptoj, moj mik’e ngrysur:

Veç një jet’njeriu rron.

Shiko rrotull qetë-qetë

Hapësirën qull të lagur,

Hëna si një korb i verdhë

Sillet rrotull prej së largu.

Puthmë, po të them, më puth!

Fundi psallmin tim ma tha,

Hën’e verdhë si kukudh

Vdekjen time po nuhat.

Afshi im fle i venitur!

Vdekja erdh, mirësevjen!

Buz’më buzë puthitur

Fundi im, mbase, më gjen.

Nëpër ëndërra që nuk prishen

Pa lektisje e pa drojtje,

Nën kurorën e një vishnje

Të më thuash “Jam e jotja”.

Që me shkumbën e një kupe

Mos na ikë drit’e shtrenjtë,

Më këndo, o mike, puthmë.

Veç një jetë, s’kemi tjetër.

***

Mos më shih kështu me qortim

Nuk e fsheh jo, përbuzjen për ty,

Por edhe s’ngopem me tëndin vështrim,

Me dredhinë që fsheh n’ata sy.

Ti më dukesh e çiltër, e drojtur

Dhe me gëzim më mbush kur të shoh,

Porsi dhelpra kur shtihet e ngordhur

Dhe gallofët i kap ashtu osh.

E po, kapmë, nuk trembem aspak.

Zjarri yt veç mos shuhet, platitet.

S’je e para dhe nuk janë pak,

Që mbi akullin tim përpëliten.

Nuk të dua, e dashur, ty, jo,

Je jehonë dhe hije e largët,

Përmbi sytë e tu po shikoj

Sy të tjerë, dy sy të kaltër.

Le të mos jetë ajo kaq e urtë,

Le të duket e ftohtë mermer,

Por me hapin e saj aq të nurtë

Shpirtin tim si tufan ma rrëmben.

Një të tillë s’e fut dot në kurth,

S’do ta ndjekësh dhe prapa i shkon.

Kurse ti me genjështrën shurup

Zemrën time aspak s’e helmon.

Po të hapem i drojtur pa masë,

Të përbuz ty, kjo ësht’e vërtet:

Po mos kishte skëterrë e parajsë,

Do t’i shpikte njeriu patjetër.

 

Poezi nga Sergei Yesenin

Lajme të ngjashme

Back to top button