Teuta Krasniqi: Me punë arrihet gjithçka (Intervistë)

Teuta flet për pasionin që ka për baletin, për shkollimin e saj, për ëndrrat dhe për realizimin e tyre. Ajo gjithashtu  zbulon titullin e librit që e do shumë dhe se cilat filma i ka përzemër. Më kryesore është se ajo flet edhe për atë se si duhet të veprojnë të rinjtë dhe si të motivohen për të vepruar. Lexojeni dhe shpërndajeni këtë intervistë për të motivuar edhe të tjerët!

Intervistoi: Venhar Ramadani

Teuta, në Tetovë ju keni performuar me shfaqen Dasma. Përgëzimet e mia për atë performancë. Si ju duk publiku i Tetovës?

T. KRASNIQI: Është hera e parë që kemi performuar në Tetovë, vërtetë ka qenë një publik entuziast dhe kemi pas një pritje jashtëzakonisht të mirë.

Si përfunduat me këtë profesion?

T. KRASNIQI: Unë pas shkollës fillore vendosa të shkoja në shkollën e muzikës drejtimin teorik, por kur shkova e pash që ishte një drejtim i i baletit gjë që më bëri shumë kurioze të shoh se si ushtrohet, u interesova për ushtrimet dhe fatmirësisht u pranova. Ka qenë shumë rastësi, por jam shumë e lumutur që zgjodha baletin.

Ju keni pasur shfaqje nëpër vende të ndryshme si për shembull në Itali, Shqipëri , Maqedoni , Zvicër dhe Turqi. Cili është dallimi i publikut atje dhe te ne?

T. KRASNIQI: Duke pasur parasysh që në botë baleti është shumë i avancuar dhe publiku ka mundësi të shoh shfaqje nga më të ndryshmet, pjesëmarrja jonë në këto vende të Evropës ka bërë që ne të kuptojmë se në çfarë niveli jemi, gjithashtu edhe vlerësimi si nga ana artistike, ashtu edhe teknike ka qenë shumë i lartë. Ndërkaq, sa i përket publikut tonë ata kanë mundësinë që në teatër të shohin shfaqje klasike dhe moderne-kontemporane, vlerësimi i tyre është shumë i rëndësishëm për ne, disa janë për klasike disa janë për moderne, shija është relative.

Keni marrë pjesë në 24 shfaqje dhe tani dua të më tregosh ku qëndron magjia e profesionit?

T. KRASNIQI: Kam marrë pjesë në 24 shfaqje të ndryshme klasike, neoklasike, moderne, kontemporane dhe mund të them që magjia e profesionit qëndron tek puna e pandalshme dhe vullneti për të patur sukses, kur them sukses nuk mendoj vetëm suksesin personal, mirëpo suksesin e gjithë trupës, në mënyrë  që edhe shteti të mburret me ne.

 

Çfarë gjërash keni mësuar në jetë për këto vite në këtë profesion?

T. KRASNIQI:Kam mësuar se me punë arrihet gjithçka dhe pa marrë parasysh vështirësitë që do të hasësh në profesion, asnjëherë  nuk duhet dorëzuar.

 

 

Si e përshkruani punën tuaj? A jeni i dhënë pas punës?

T. KRASNIQI: Baleti është ndër artet më të vëshitra që kërkon shumë koncentrim, qetësi, vetëbesim, gjë që duhet patur shumë durim që të arrish atë që dëshiron, prandaj të mirresh me balet duhet 100 % përkushtim mbi 8 orë punë sepse kohën e kemi shumë të kufizuar, siç dihet baleti nuk është jetëgjatë  prandaj duhet shfrytëzuar rininë.

 

Çfarë ju motivon?

T. KRASNIQI: Magjia që të jep skena, duartrokitjet e publikut në fund të shfaqjes janë motivimi më i mirë për një artist.

 

A keni vetëbesim? A është vetëbesimi sekreti juaj? Si të arrihet vetëbesimi?

T. KRASNIQI: Baleti njihet që është ndër artet e vështira fizike, një memorie të fortë për gjithë shfaqjen dhe emocioni nuk duhet të mungoj prandaj vetëbesimi është arma më e fortë për nje balerinë.

 

A jeni perfeksioniste?

T. KRASNIQI: Jo, nuk jam perfeksioniste, por punoj shumë për të ju afruar perfeksionit.

 

A jeni krenare me suksesin tuaj?

T. KRASNIQI: Ringritja e baletit dhe puna që është bërë në trupën e baletit gjatë këtyre 14 viteve na bën të mburremi jo vetëm trupën, por gjithë  vendin.

 

A bëni shumë pregatitje para çdo projekti apo i besoni spontanitetit?

T. KRASNIQI: Para çdo projekti ne bëjmë së paku një muaj përgatitje intensive për një shfaqje, ushtrojmë rreth 9 orë në ditë pa pushuar edhe gjatë fundjavave, nuk është profesion që i duhet lënë spontanitetit.

 

Si i merrni kritikat? Si mund të ndikoj kritika në punën tuaj?

T. KRASNIQI: Kritikat janë shumë të mirëseardhura për mua dhe unë i pranoj me shumë përgjegjësi sepse më  ndihmojnë në  punën në vazhdim.

 

A keni plan B në jetë?

T. KRASNIQI: Për momentin i jam përkushtuar baletit si profesion primar, ndërkaq në të ardhmen mendoj të bëhem mësuese baleti.

 

Çfarë jeni duke lexuar për momentin dhe cilit është libri juaj i preferuar?

T. KRASNIQI: Shikoj shumë filma, filmi është relaks për mua, kam shumë filma që më kanë pëlqyer ndoshta do t’i vecoj këto Lusy, Maleficente.

 

A keni një shembull për jetën tuaj (role model)? Dhe a mendoni se është e rëndësishme të keni role modele në jetë?

T. KRASNIQI: Ka shumë balerina në botë që më pelqejnë dhe i shikoj me shumë admirim, por nuk kam dikë që dëshiroj të jem model i saj.

 

Çfarë po ndodh me të ardhmen tuaj? A keni ndonjë plan se çka do të bëni?

T. KRASNIQI: Tani e përfunduam shfaqjen kalsike ‘La Sylphde’ ku jam në rolin kryesor, për vitin e ardhshëm do kemi 4 shfaqje të reja klasike dhe moderne dhe gjithashtu pjesëmarrjen në disa festivale të ndryshme.

 

Teuta, në Maqedoni pa punësia është 35% ku shumica janë të rinj. Cili mendoni se është shkaku dhe cilat mund të jenë zgjedhjet?

T. KRASNIQI: Mendoj që shkaku i papunësisë së të rinjëve nuk qëndron tek ata, por tek institucionet që nuk ju japin mundësi të rinjëve të shprehin dijenitë e tyre.

 

Cka mendoni për televizionin si media? Si mund të rinjët të zhvillohen nëpërmjet programeve televizive?

T. KRASNIQI: Mediat sot për sot kanë ndikimin më të madh tek rinia sepse ju jep mundësi të promovohen dhe t’i përcjellin aftësitë  e tyre përmes mediave.

 

A mendoni se prindërit kanë patur ndikim në karrierën tuaj? A duhet të rinjtë të konsultohen me prindërit për hapat në karrierë?

T. KRASNIQI: Në  familjen time askush nuk është marrë me art, unë  jam e para, kam pasur përkrahje shumë të  madhe nga familja ime për ngritjen profesionale  që është shumë  me rëndësi sepse mbi të gjitha të duhet përkrahja e familjes.

 

Nëse do të mund t’i jepnit vetes suaj në moshë më të re ndonjë këshillë, cila do ishte ajo? Cila është këshilla që i jepni të rinjëve?

T. KRASNIQI: Nuk e di për veten time ndonjë keshillë, ndoshta dikush tjetër do mund të më këshillonte dhe do ta pranoja, mirëpo veten nuk di çfarë të them. Ndërkaq sa i përket të rinjve tjerë do t’i këshilloja që të gjejnë se çfarë ju pëlqen si profesion, të mos ju imponohet nga askush dhe të zhvillojnë aftësitë  e tyre në atë drejtim sepse nuk ka më produktive se sa puna që e don dhe e ke profesion.

 

 

A janë startup-et zgjidhje për të zbutur pa punësinë e të rinjëve?

T. KRASNIQI: Në këtë situatë të rinjtë nuk kanë  përkrahjen e duhur nga shteti, ata të gjitha arritjet e tyre i bëjnë vetëm me forcat e tyre që është shumë e vështirë   të arrish sukses shumë të madh, mirëpo duhet admiruar që asnjëherë nuk dorëzohen!

 

Kjo intervistë është bërë nga vizione.info dhe Portalb.mk i ka të gjitha të drejtat e publikimit të intervistës, sipas marrëveshje së arritur mes palëve. Për më shumë intervista, ndjekni VIZIONE në rrjetet sociale.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button