ANALIZË: Ekonomia rritet, standardi mbetet i ngrirë

Pa rritje ekonomike që do të ishte ndërmjet 6% dhe 8%, nuk mund të pritet përmirësim i standardit jetësor. Një pjesë e ekonomistëve konsiderojnë se përqindjet e rritjes ekonomike të Maqedonisë janë ndër më të lartat në Evropë, mirëpo vendi edhe më tutje mbetet në shoqërinë e më të varfërve, ku standardi jetësor është 36% e mesatraes evropiane. Sipas sociologëve, jo vetëm që qytetarët kanë standard të ulët jetësor, por një pjesë e madhe e tyre ballafaqohen edhe me llojin më të vështirë të varfërisë “ekstreme”.

Numrat pozitivë, jetesa gjithnjë e më e rëndë…

Lajm i mirë për ekonominë. Edhe në tremujorin e tretë, Prodhimi i brendshëm bruto u rrit për 4,1%, me çka u realizuan pritjet e Bankës Popullore se trendi pozitiv do të vazhdojë, mirëpo me një tempo të ngadalësuar në krahasim me kuartalin e dytë kur përqindja e rritjes së PBB-së ishte 4,4%.

Edhe pse Maqedonia është njëra nga vendet e rralla në rajon që arrit të ketë përqindje më të lartë të rritjes ekonomike, ajo mbetet në shoqëri me ekonomitë më të varfëra.

“Në dy dekadat e fundit, ekonomia maqedonase nuk arriti të përqindje të lartë të rritjes ekonomike, edhe pse për çdo vit u projektuan përqindje gjithnjë e më të larta të rritjes ekonomike, si një nga qëllimet kryesore të politikës makroekonomike. Shkaku për këtë duhet të kërkohet në dështimin, gjegjësisht në suksesin e pamjaftueshëm në zbatimin e të ashtuquajturave reforma strukturore, si dhe në faktin se gjatë gjithë periudhës jemi ballafaquar me problemin e investimeve të pamjaftueshme”, vlerëson profesori universitar, Semi Bislimi.

Sipas matjes së fundit të statistikanëve evropianë, Maqedonia edhe më tutje mbetet njëra nga vendet, qytetarët e së cilës kanë standard më të ulët jetësor në Evropë. Kështu, sipas Eurostatit, PBB-ja e shprehur nëpërmjet fuqisë blerëse të qytetarëve në vitin 2013 ka qenë 36% e mesatares së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Se Maqedonia, sipas standardit, gjegjësisht PBB-së, është në fund, tregon edhe e dhëna sipas të cilës, më të mira se ne janë vendet e tjera që nuk janë anëtare, mirëpo poashtu janë në rrugë drejt Bashkimit Evropian. Kështu, qytetarët e Turqisë kanë standard që është 53% e mesatares evropiane, Mali i Zi ka 40%, ndërsа Serbia ka 37% të mesatares së standardit evropian. Pas nesh gjenden Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria.

Dhe përderisa nga njëra anë statistika vendore shënon përparim ekonomik, nga ana tjetër, numri i qytetarëve tanë të varfër është duke u zvogëluar ngadalë. Sipas sociologëve, Maqedonia është njëra nga vendet në të cilën qytetarët janë ballafaquar me të ashtuquajturën varfëri “ekstreme”.

“Është për të ardhur keq që pothuajse pas një çerek shekulli tranzicion, të cilin disa e quajnë “gabim fabrike”, ne si shoqëri assesi nuk arritëm ta kapim trendin e Evropës, akoma ballafaqohemi jo vetëm me varfërinë relative, por paraqitet edhe  varfëria ekstreme, apo absolute, e cila nënkupton luftë për ekzistencë, për një copë bukë. Elitat politike ishin ato që e promovonin evropeizimin, demokracinë, shoqërinë liberale, ekonominë e tregut, kualitetin e jetesës, mirëpo për fat të keq, elitat politike në grupe të interesit, së bashku me udhëheqësit e favorizuar, të cilët shumë pak mendonin për demosin, gjegjësisht popullin”, konsideron sociologu Ali Pajaziti, sipas të cilit, tranzicioni ka qenë fillimi i varfërimit të qytetarëve dhe i pasurimit të politikanëve dhe i një rrethi të caktuar të biznesmenëve.

Pa rritje ekonomike prej 6% deri në 8% në nivel vjetor, edhe atë rritje të qëndrueshme dhe në vazhdimësi për disa vite, qytetarët nuk mund t’i ndjejnë numrat pozitivë të cilat i mat statistika, konsiderojnë ekonomistët.

“Rritja e kapaciteteve prodhuese të ekonomisë vendore mund të bëhet vetëm nëpërmjet investimeve në dije dhe teknologji të reja. Ne akoma ballafaqohemi me të ashtuquajturën distancë kohore në zhvillimin teknik-teknologjik, dhe kjo nuk mund të tejkalohet pa rritje të konsiderueshme të investimeve në dije dhe teknologji të reja. Duke e pasur parasysh nivelin e ulët të prodhimtarisë së vlerës së re, ekziston një hapësirë e gjerë për arritjen e përqindjeve të larta të rritjes ekonomike, prej 6% deri në 8% në vit, mirëpo vetëm nëse investohet në ato veprimtari dhe degë të ekonomisë, në të cilat kemi përparësi të caktuara dhe të cilat janë përcaktuar si prioritete në zhvillim”, thotë ekonomisti Bislimi.

Sipas analizës së numrave, të cilën e bëri “Portalb”-i, gjatë dy dekadave të fundit, ekonomia e Maqedonisë vetëm njëherë ka arritur të ketë rritje prej 6%, edhe atë në vitin 2007, kur është regjistruar PBB prej 6,1%. As në periudhën paraprake, e as pas këtij viti, kjo përqindje e rritjes nuk është përsëritur.

Nga aspekti i qëndrueshmërisë së përqindjeve të rritjes ekonomike, gjatë gjithë këtyre viteve vërehet një paqëndrueshmëri e madhe e rritjes ekonomike, që paraqet edhe një problem i cili e pengon përmirësimin e kualitetit të standardit jetësor.

Duke pasur parasysh se dy tremujorët e parë të këtij viti është regjistruar rritje ekonomike më e lartë se 3%, pritet që viti 2014 të përfundojë me rritje pozitive. Еkonomistët thonë se është me rëndësi të shihet se kush është gjeneratori i kësaj rritjeje.

“Unë nuk besoj se vetëm me tërheqje të investitorëve të huaj në Zonat e lira ekonomike mund të arrihet nivel më i lartë i zhvillimit ekonomik. Më tepër besoj në konceptin e krijimit të parakushteve për trajtim të barabartë të kapitalit të huaj dhe atij vendor, si dhe në projektet e përbashkëta të kompanive të huaja dhe atyre të vendit”, thotë profesori Bislimi.

Në vitin e ardhshëm, sipas projektimeve të reja buxhetore, pritet rritje ekonomike më e lartë se 4%.

Lajme të ngjashme

Back to top button