PROCESI

Krahas të gjitha halleve tona në jug megjithatë po zhvillohet njëfarë procesi. Ne nuk e shohim sa duhet, sepse jemi shumë afër. Ata që vijnë së largu, e vërejnë shumë më shpejt. Kurbetqarët nga Galiçniku, për shembull, kur kthehen pas shumë viteve në shtëpi, kthehen e çuditen: aq terma të rinj, aq fjalë të reja, këngë, shqiptime të drejta. Këto i bën shkolla dhe ne të gjithë ashtu me të prekur, pa sistem, pa dashur, rastësisht, me jetë. Se nuk është shovinizëm kur ne pohojmë se ky është popull yni. Nuk kemi shkuar ne në Francë ose në Kinë, që ta denacionalizojmë dikë. Ne jemi kthyer në vendin tonë, të grabitur me invazionin nga Azia. (Jeliçi duke mohuar një të vërtetë historike, paradoksalisht e pranon atë: se serbë në këto anë s’ka pasur. Shën. i përkthyesit). E kemi vazhduar historinë, të vijuar edhe gjatë robërisë me bashkëpunim në kryengritje dhe në hallet e përbashkëta emigruese. Kemi hyrë në gjuhën tonë të lashtë: të folmen maqedonase. Të gjitha ndjekjet e ekzagjerimet etnologjike bien në ujë kur bisedon serbi i veriut me serbin e jugut. Mund të ketë ndonjë publicist të huaj që mendon se ne nga Beligradi duke udhëtuar për Manastir mbajmë me vete fjalorë xhepi. Kurse ata të cilët e njohin situatën e këtushme, do të qeshnin me këtë supozim.

Pikërisht për këtë ju ka rënë të lexoni në “Tajms” intervistat e shefave të emigracionit maqedonas. Të formuar bullgarisht gjatë mungesës sonë dhe nën ndikimin e propagandës nga Sofja ata e shohin mirë të gjithë fatkeqësinë e pozitës së tyre. Koha është kundër tyre. Dhe për këtë arsye paraqiten përpjekja e theksimit me nervozë e çështjes maqedonase, aksionet e çetave për shkak të mbajtjes së popullsisë në bindje për jetën e përkohshme të regjimit të tashëm dhe më  në fund deklaratat e Cankovit për kërkesat  për të drejtat e “pakicave kombëtare”. Kjo ngutje nuk do të kishte qenë kur në anën e pakënaqur do të ishte bindja për forcën kombëtare të elementit “të robëruar”. Pikërisht njohja e saktë r mënyrës, përmes së cilës arritëm te ky element, e nxit shqetësimin e sotëm të makedonstvujushçëve dhe orientimin josllav te Bullgaria zyrtare,

Thua ti se e dinë atë rastin drastik të Prilepit nga viti 1912. Futet njëfarë mësuesi në kafene dhe e takon aty një tregtar i cili shikonte mendueshëm për dritareje. Kur e pyeti pse ishte kështu i padisponuar, ai një herë u soll andej-këndej e pastaj tha:

– Epo, po të tregoj. Shiko, im atë e bëri shkollën serbe dhe shtëpia jonë ishte serbe. Pastaj i mbyllën ato shkolla, mësuesit i përzunë dhe unë shkova në shkollën bullgare. Më kujtohet mirë edhe sot kur i ndjeri im atë, Zoti ia faltë mëkatet, deshi të më rrahë, kurse unë ika në rrugë dhe prej andej i bërtisja me përçmim: “Sërbenda, sërbenda…” (Nofkë fyese për serbët/ Shën. i përkthyesit). Ç’të bësh. Kështu më mësonin në shkollë, kurse në shtëpi nuk më fisnikëronin. (Sipas Jeliçit njeriu fisnikërohet vetëm nëse mësohet të jetë serb. Shën. i përkthyesit). Kur sot djali im i vogël e theu pas dite gotën, unë e mora thuprën, kurse ai ia mbathi jashtë, e nisi të më bërtasë mua: “Bugarash, bugarash…” (Nofkë fyese për bullgarët. Shën. i përkthyesit).

– Të lutem, mik, besomë se unë nuk e kam mësuar kështu.

– E di, bre vëlla, se nuk e ke mësuar. Po mendoj se kjo kështu kthehet.

Kthehen sllavat e ndjekura gjatë kishës ekzarkike. Dhe, jo me trysninë e kishës sonë, po vetvetiu. (Te serbët gjërat gjithmonë ndodhin vetvetiu… Shën. i përkthyesit. Se ne e kemi një mitropolit i cili ndalon në mënyrë absolute instalimin e risive me forcë. Ai i urdhëron klerikët: nëse populli mban procesion ditën e dytë të pashkëve, atëherë edhe ju të mbani, nëse ai e ka bekuar ujin me rastin e ndonjë kremteje edhe më tutje t’ia bekoni, nëse për martesë ka doke të veçanta, ju mos ia prishni. Dhe, sivjet kush ka mbetur pa kremtuar ditën e Shën Nikollës. Dhe vjen njeriu te kleriku dhe ia tërheq vërejtjen se nesër e ka ditën e tij të pagëzimit.

– Mirë. Do të vij në mbrëmje të ta bekoj ujin..

– Jo. Ditën të vish. Ëmbëlsirën të ma presësh.

Ta kishte urdhëruar dikush të kremtojë, ai nuk do ta dëgjonte. Se është pasardhës i Kraleviç Markut, i cili për inat do të ishte bërë turk. Dhe, vallë a do të kishim qenë kështu në hall me ata makedonstvujushçët matanë kufirit sikur ata vërtetë të mos kishin qenë serbë? Ata janë jeniçerë të rinj. Kështu duhet ta kuptojmë këtë punë. Mirëpo nëse ata të dikurshmit janë zhdukur, do të zhduken edhe këta të sotmit.

Që ky proces të zhvillohet me sukses, të gjitha shkaqet janë këtu. Shikojeni cilëndo fizionomi – jona është. Gjuha jona. Zakonet tonat. Populli i zgjuar, i guximshëm, (nëse tregtia dhe kurbeti nuk e kanë squllur pakëz), muzikal, poetik. Pastaj punëtor dhe kursimtar. Çfarë përpjekjesh duhen atëherë, që të ndjehet se është në shtëpi të vet? Po të kishte pasur më pak partishmëri, e fare korrupsion.

E jo që s’jemi një komb të cilin nuk e imitojnë dhe një fis i cili nuk bën ndikim fare. Së paku kështu pohojnë ata që janë të interesuar, ata, të cilët gjërat i vështrojnë nga ana tjetër. Nuk e kam tash në dorë broshurën e një profesori universitar nga Bullgaria, i cili disi menjëherë e ka kaluar kryq e tërthor Maqedoninë e okupuar në vitin 1915. Ai gjithkah e sheh ndikimin tonë për një kohë krejtësisht të shkurtër. E sulmon shovinizmin dhe megallomaninë tonë. Se te serbët, thotë ai, asgjë të vogël nuk ka: gjithçka ata e kanë të madhe. Kur botohen në një libër këngët të cilat i këndon rruga, atëherë ky libër quhet “Lira e madhe popullore serbe”. E nëse janë reçeta si gatuhen gjellët e hajet – emrin e ka “Kuzhinieri i madh popullor serb”. (Kjo megalomani vazhdon edhe sot dhe madje jo vetëm në Serbi. Është shtrirë edhe këtu te ne. Shën. i përkthyesit) Dhe, kjo megalomani, sipas mendimit të tij na paska pasë  fundosur. Mirëpo e pranon se Maqedonia i këndon këngët tona dhe e kemi gjuhën e bukur. Mirëpo kjo bukuri është larg nga pohimi i Dragisha Stanojeviçit se ai e ka përkthyer “Rolandin e tërbuar” në “gjuhën më të bukur në botë”. Më në fund shkruesi u ngjeth nga vendosmëria jonë në robëri dhe nga konsekuenca në ëndërrimet tona. Kur kishte biseduar me ndonjë oficer tonin rezervë të zënë rob, ky do t’i kishte thënë në fund të bisedës: “Të jeni të sigurt, zotëri, se Serbia, pas kësaj lufte do të jetë e madhe“!

– “Merreni me mend”! i drejtohet profesori publikut për këto fjalë.

E kishte marrë me mend ajo këtë shumë mirë në vitin 1918, po megjithatë Bullgaria e Ferdinandit edhe sot nuk mund ta kuptojë këtë. Nuk pajtohet me realitetin dhe iu rreket metodave të njëjta. Shpreson vetëm në atë mundësinë e vetme se si do të na gjejë në çastin e sulmit të zhbashkuar e të përçarë. Mirëpo ai i cili në aq shumë letra i vë të gjitha në një, nuk ka shumë shanse se do ta qëllojë.

Regjimi i z. Cankovit pa kurrfarë droje do të duket joreal, të merret me problemin se si ne do ta bëjmë një popull nga katër fiset tona në jugun sllav. Kjo çështje fiton peshë në aktualitetin e vet pikërisht në çastin kur në pushtet erdhi z. Venizellosi. Pas aq peripecive populli helen e fitoi bindjen se vetëm ky burrështeti është në gjendje t’ia sjellë madhështinë dhe qetësinë. Kurse kjo bindje nuk është paralele me pretendimet bullgare. Dhe atëherë kur dihet se ne luginën e Vardarit s’e japim as me çmimin e jetës sonë të fundit, udhët janë kristal të qarta. Mirëpo z. Cankovit i pëlqen qëndrimi militant: “Le të dëgjohet në Beligrad”!…

Ç’na ndan përndryshe? Ajo “sepse-ja e trashë” të cilën trupat e tyre e kishin shtuar te mbishkrimi në stacionin e Krivollakut, më 1913 dhe të cilën trupat tona e fshinë pas njëzet e katër orësh. Ose ajo, që e tregojnë gratë e Galiçnikut? Kalojnë pranë tyre ushtarët bullgarë gjatë okupacionit dhe pyesin:

– Како сте? (Si jeni?)

– Хвала богу. (Shyqyr Zotit.)

Добре сам, добре сам,( Mirë jam, mirë jam) i përmirësojnë këta.

Pra për shkak të kësaj “Хвала богуdhe “добре сам” ne nuk mund ta formojmë Jugosllavinë. Do të na përqeshin nipat. Kurse ky shtet do të kishte pasur dy flota: të Detit të Zi dhe të Adriatikut. Mund të bëhet edhe e treta. Çështja e Dradaneleve do të ishte vetëm punë jona dhe e rusëve. Me miliona ushtarë tanë do të garantonin paqen në Evropë. Do të kishim qenë komb i pathyeshëm. Mirëpo z. Cankovi nuk don të klithë: peccavi!

            Dhe. kur nuk do kështu, atëherë ne do të heqim dorë nga ëndërrimet, përndryshe shumë të këndshme në netët e gjata të dimrit dhe do të mendojmë për pranverën. Me të njësoj kanosen në bisedat në besim edhe xhemijetllinjtë dhe ajo mbeturinë e dejcëve (veprimtarëve. Shën. i përkthyesit) bullgarë në jug. Kështu një turk para disa ditësh e këshillonte avokatin Mihajloviç në Mitrovicë ashtu miqësisht ta shesë shtëpinë thuaja të ndërtuar:

– E di, tash mund të marrësh para të majme, kurse për pesë ose gjashtë muaj do të jetë vonë.

– Çka?

– Po do të jetë jona…

Kështu pra mendon Xhemijeti. Prandaj është i kuptueshëm gëzimi i “Hakut” kur deputetët e Xhemijetit ia dolën ta pengojnë shpërnguljen e myslimanëve përmes Rumanisë, Bullgarisë dhe Selanikut. Iu duhen ushtarë.

Të pengohet procesi i natyrshëm historik i shkrirjes si sllavë ve të jugut, armiqtë tonë do të bëjnë çmos dhe do ta bëjnë edhe hapin e fundit. Kjo është e sigurt. (Armiq kryesorë Jeliçi i konsideron pjesëtarët e partisë së Xhemijetit, të cilën e shkruan vazhdimisht me xh të vogël. Përndryshe pjesa dërmuese e anëtarëve të kësaj partie kanë qenë shqiptarë. Shën. i përkthyesit). Shpresën më të madhe ata e kanë te ky regjim i korruptuar, kështu që një pjesë e përkrah me abstinencë, kurse pjesa tjetër me bashkëpunim të drejtpërdrejtë.

Do të mashtrohen. Regjimi është vetëm një kombinim që u nënshtrohet ndryshimeve, si çdo shpikje njerëzore.

22. – 1. – 924


LEXO PJESËN PARAPRAKE – EMIGRACIONI MAQEDONAS

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button