PËRSËRI PËR SHPËRNGULJEN E TURQVE

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve…

Kur, para dy muajsh, pata shkruar një artikull për këtë çështje (“Politika” nr. 5504) u bë njëfarë buje midis myslimanëve. “Pravda” e Sarajevës tha vendosmërisht: jo. “Haku” i Shkupit në një varg artikujsh i vinte në dukje qëllimet e mia të liga dhe nevojën që bashkëbesimtarët e tij të mbeten aty ku janë. Në çdo numër shkruante: “Myslimanë mos e lëshoni prej duarve vendin tuaj”! Një emisar kishte shkuar në Treg të Ri (Novi Pazari i sotëm. Shën. i përkth.) që të flasë në tubim kundër këtij qëllimi. Atë udhës e kishin plaçkitur kaçakët, e para autoriteteve kishte deklaruar se e kanë plaçkitur serbët. Kjo është çështje e karakterit të tij. (Lexuesi “do ta lexojë  këtë akuzë të montuar, kur serbët për krimet e veta vazhdimisht i akuzojnë shqiptarët dhe do ta kenë përshtypjen se bëhet fjalë për ditët e sotme jo për një kohë të shkuar para shtatëdhjetë vjetësh e tepër. Shën. i përkth.) U bënë përpjekje që kësaj pune t’i jepet ngjyrë politike ose të paraqitet si një dëshirë e joserioze e njëfarë fanatizmi fetar. Kurse puna bëhet më qesharake kur kjo më mvishet mua.

Ndërkaq, unë mirë mendoj për atë që e shkruaj. Dhe e vë nënshkrimin përfund artikullit në mënyrë që të munden të më demantojnë, qoftë koha, qoftë individët. (Koha ecën, bota ndryshon, vetëm politika dhe ideologjia pansllaviste serbe mbetet e barikaduar në pozitat e veta. Shën. i përkth.)  Deri më tash nuk ka pasur orvatje serioze në këtë drejtim, me përjashtim të fyerjeve të sokakut të një reviste të kryeqytetit, e cila me vite të tëra me sukses e reprezanton pamjen e fisit serb.

Dhe pas dy muajsh ia krisi vajit “Haku”: “Aman! – Pengojeni shpërnguljen! Deputetë të Xhemijetit, kërkoni që qeveria ta ndalojë largimin e myslimanëve nga vendi”! Kurse unë në artikullin e mëparshëm kisha thënë: “Çështja e shpërnguljes së turqve është aktuale dhe sigurisht më e ngutshme se shumë çështje të tjera. Dhe nuk duhet të mashtrohemi fare se lëvizja për shpërngulje mund të anulohet ose të ndërpritet”. Kurse “Haku” çirrej: “Asnjëherë Shkupi, Prishtina, Mitrovica dhe Tregu i Ri nuk do të bëhen siç u bënë Nishi, Leskovci, Vraja dhe Prokupja. (Nga Nishi, Leskovci, Vraja dhe Prokupja serbët i kanë bërë pastrimet më të tmerrshme etnike në këto anë. Shën. i përkthyesit). Po, ja vëlla, se do të bëhen.

Turqit po shpërngulen në masë nga Ovçe Polja, nga Velesi, nga Prishtina, Sanxhaku. (Bëhet fjalë kryesisht për shqiptarë e boshnjakë. Shën. i përkthyesit). Shkojnë fetarisht të fanatizuar, turqisht të edukuar, kombëtarisht të paarsimuar. Tragjedia e tyre askund nuk ka dhënë imazh më besnik ndoshta se sa në vetë Xhemijetin. Nëse kjo është ndonjë përpjekje e sinqertë që interesat e tre popujve të mbulohen me bërrucin fetar e kështu të paraqiten si synim i një grupi kompakt kombëtarisht, atëherë kjo është mashtrim e iluzion. E kush e ndërton mbi iluzione ndërtesën politike nuk do të arrijë dot në kulm. Nëse kjo është maskë, me të cilën bejlerët dëshirojnë që edhe më tutje t’i eksploatojnë të varfrit myslimanë, atëherë është krim. Kurse krimi asnjëherë nuk mbetet pa ndëshkim. (Jeliçi vazhdimisht propozon dëbimin e njerëzve nga vatrat e tyre, madje edhe vrasjet e atyre që mendojnë ndryshe nga ai, kurse kur dikush kërkon të mbrohet, ai menjëherë ia ngjet etiketën e kriminelit. E njëjta punë që ndodh edhe sot në këto viset tona. Shën. i përkthyesit).

Ne nuk do ta marrim këtë supozimin e dytë, po atë të parin. Nuk do ta marrim ndonëse e dimë se virrmat e prijësve myslimanë i inspiron ajo që e ka inspiruar Shantiçin të shkruajë: “Rrini këtu”! Bejlerët gërthasin: “Mosni, mos lejoni, shkuan çifçinjtë”! Kurse politikanët: “Mosni, mos lejoni, shkuan votuesit”! (E vërteta është se zakonisht udhën e shpërnguljes kanë qenë të detyruar ta marrin më së pari aristokratët dhe politikanët shqiptarë dhe pas tyre kanë shkuar edhe masat. Shën. i përkthyesit). Fatkeqësia qëndron në këtë supozimin e parë, në synimin që të krijohet njëfarë “populli mysliman (Këtë term e ka lansuar vetë politika serbe. Shën. i përkthyesit), në fakt që shumë njerëz në këtë masë të ndjehen me të vërtetë si njëfarë bashkësie kombëtare myslimane. Kështu e cilësojnë edhe deputetët e Xhemijetit edhe deputetët e Bosnjës të trulluar nga edukata fetare ndër shekuj. (Jeliçi e përhap gënjeshtrën propagandistike thuajse shqiptarët kanë qenë me shekuj myslimanë, gjë e cila duhet të arrijë efekte të caktuara në qendrat e vendosjes. Shën. i përkthyesit) Në parlament ata çohen dhe flasin për katër popujt tonë në shtet. Unë besoj se kjo është bindje e sinqertë.

Eh, ky “popull mysliman” ka marrë udhën e shpërnguljes këto ditë. Ai farë Vehbi Efendiu i Dibrës shkon në bashkësinë e vet. Kjo do të ishte njësoj sikur ne të kishim jetuar në Angorë, e situata rreth Kragujevcit është stabilizuar dhe ne mezi presim që të shkojmë midis tufës sonë. Kush do të kishte mundur ta pengojë këtë? Kemali? (Ataturku, shën. i përkth.) Nuk ka forcë të tillë e cila mund ta ndërpresë një proces historik. Ne e dimë saktësisht çka janë shumica nga rreshti, sapo ta hapë gojën. Mirëpo ai nuk dëshiron ta dijë dhe nuk mund ta dijë. Nuk duan të dëgjojnë në radhë të parë ata të “Hakut” dhe të “Pravdës”. Shekujt e kanë bërë të veten dhe pranë nesh defilon edhe dhembja jonë. Epo udha e mbarë edhe asaj!

Megjithatë unë kam qenë mik më i madh për shpërngulësit se sa bashkëmendimtarët e tyre fetarë. Propozova që shteti t’ua blejë pasuritë, e mos të shkojnë lakuriq. (Vini re demagogjinë! Shën. i përkthyesit). Nuk deshën ta përkrahin këtë propozim pikërisht ata, “populli” i të cilëve kishte interes. Dhe tash e keni këtë pamje. Në Ovçe Pole shpërngulësit e shesin vetëm bereqetin e sivjetshëm kutrum, kurse tokën thjeshtë e falin. Në Sanxhak është ende më keq. Atje përpiqen sa ta mbledhin ndonjë para për biletë treni deri në Selanik. Thuajse falas mund ta blesh shtëpinë në Veles ose Prishtinë. Dhe, kjo është një arsye pse bejlerët e mbajnë “popullin” iluzorisht të mos shpërngulet. Frikësohen mos t’i bjerë çmimi mallit të tyre. Prandaj kundërshtari më i ashpër i kësaj lëvizjeje Ferhat Bej Draga e kishte dërguar para katër ditësh një njeri që heshtazi t’ia shesë shtëpinë në Mitrovicë. Ai është tregtar më i mirë se të tjerët. (Vini re fyerjet! Shën. i përkthyesit)

Mund të ketë nacionalistë naivë që mund të thonë se më mirë është kështu se ky largim i tyre të na kushtojë shuma të mëdha të hollash. Nuk është më mirë. Se në kohën e krizës monetare të gjitha ato pasuri do t’i blejnë kapitalistët. Dhe, atëherë në vend të bejlerëve myslimanë do t’i kemi bejlerët e krishterë. Neve nuk na duhen as të parët as të dytët. Ky është një moment i kthesës së madhe sociale. (Në të cilën serbët e grabisin dhe e plaçkitin mallin e shqiptarëve, të boshnjakëve, të torbeshëve dhe të turqve. Shën. i përkthyesit.). Duhet pasur mend në kreun e vendit dhe popullsia jonë ekonomikisht të ngrihet dhe shteti kombëtarisht të forcohet. Mirëpo si të mendojë qeveria për kolonistët tonë që vijnë nga Amerika, kjo qeveri e cila nuk diti t’i rehatojë as kolonistët nga vendi? Fundja, qeveria pikërisht në këtë moment është e zënë me problemin e madh shtetëror si ta ngrejë me sa me më shumë pompë në panteon të falënderimit kombëtar Mite Vlashçen – Zoti ia faltë kusuret!

Shpërngulja e turqve (domethënë e shqiptarëve dhe boshnjakëve. Shën. i përkthyesit) do të shkaktojë për tre-katër vjet krizë në ekonomi dhe në disa degë të tregtisë. Tregtarët manifakturistë nga ana e majtë e Vardarit tashmë kanë filluar të ankohen për vështirësitë dhe kanë frikë mos të ndodh ndonjë ngecje e madhe në këtë punë. Nuk mund të evitohet kjo fatkeqësi. Mundet vetëm të zbutet pak a shumë me disa masa. Mirëpo secili edhe pa menduar mjaft do të vijë në përfundim se më mirë është të kesh katër vjet krizë ekonomike se sa katërqind vjet krizë politike.

Shtypi i “popullit të katërt” pohon se njerëzit shpërngulen për shkak të zullumit. Është e vërtetë se ka edhe shembuj të tillë. Opinioni ynë publik bën punë të ndershme që i publikon dhe duhet përshëndetur se është i gatshëm të bëjë çmos kundër zullumqarëve. Në këtë pikëpamje ne jemi të pakrahasueshëm me tërë regjimin turk për pesë shekuj robërie. Asnjë zë atëherë s’është ngritur kundër zullumit, të cilin e kanë bërë sistematikisht të gjithë që nga zaptija e deri te valiu. Edhe atëherë kur na kanë ngulur në hunj, edhe atëherë kur na e kanë marrë tokën, edhe kur na i kanë marrë fëmijët e na i kanë çuar në Stamboll t’i bëjnë turq. Merreni me mend dhembjen e nënave kur ka ardhur çasti që nga përqafimi i tyre t’ua marrin dashurinë për t’i bërë jeniçerë të sulltanit. Historia nuk njeh shembuj më të mëdhenj të barbarizmit. Dhe, më vonë kur nuk kishte nevojë për jeniçerë dhe ne ishim vetëm një varfëri e vrarë prej raje, prapë kishte dhunë. Zullumi është punë relative: ne jemi ndjerë të pocaqisur dhe me të drejtë kur kemi qenë të detyruar të zbresim nga kali, e të presim skaj udhe deri sa të kalojë turku. (Jeliçi mundohet t’i arsyetojë barbaritë e papara që bëheshin kundër shqiptarëve e boshnjakëve të pambrojtur. Ai me qëllim i ik faktit se në këto anë në masë të njëjtë janë ndjekur, janë keqtrajtuar dhe janë dëbuar edhe shqiptarët e krishterë. Shën. i përkthyesit)

Turqit nga Ovçe Poleja i ka shpërngulur Sveti Sava (Sveti Sava, domethënë Shën Sava, vëllai i Stefan Nemanjës, i cili merret si kryeshenjt i kishës ortodokse serbe). Janë kthyer fëmijët nga shkolla dhe kanë treguar nëpër shtëpitë e tyre se kanë mësuar që Sveti Sava i ka vënë themelet e arsimit te ne. Prindërit e tyre, sa ia kanë dëgjuar emrin, i kanë hedhur shetnit, e kanë shitur redimentin e drithit, e kanë shkuar në Azi. Kështu eshtrat e djegura të shenjtit hakmerren edhe pas aq shekujsh. (Merreni me mend egërsinë që autori e shpreh kundër njerëzve të pafajshëm, të cilëve iu imponohet mësimi i historisë së komponuar në ato kohë. Shën. i përkthyesit). Dhe, tash dikush do të thotë se është zullum. Pse të mësojnë fëmijët e myslimanëve për Sveti Savën? Ne për shembull, nuk e kemi konsideruar për zullum as për përdhunim të fesë sonë kur nëpër gjimnaze mësonim për Muhametin. Mirëpo fanatizmi… (Lexuesi e di se çka i kanë detyruar fëmijët të mësojnë për Sveti Savën dhe çka kanë mësuar serbët për Muhametin. Përmes të parit arsimtarët serbë kanë bërë propagandë për epërsinë racore të serbëve ndaj të tjerëve, kurse për të dytin janë dhënë shënime të pakta dhe të domosdoshme… Krahasimi i këtyre dy figurave është i pakripë. Sveti Sava një prift lokal me Hz. Muhametin, i cili ka bërë njërën ndër kthesat më të mëdha në historinë e njerëzimit. Ky avaz vazhdon edhe sot. Dhe, serbët e maqedonasit përpiqen të shiten si mburoja e krishterimit. Shën. i përkthyesit).

Ky fanatizëm edhe Shkupin mysliman do ta çojë në Azi (Nuk ka qenë fanatizmi, por regjimi racist serb ai i cili i ka ndjekur njerëzit nga vatrat e tyre në Shkup dhe në të gjitha qytetet tjera. Shën. i përkthyesit). “Kjo asnjëherë, kurrën e kurrës nuk do të ndodhë”! çirret  serbi renegat nga Trebinja Hasim Sali Amixhiçi. Do të ndodhë, o Hasim, do të ndodhë. Ja se pse. Kur nxënësit myslimanë të shkollës fillore nga Dibra erdhën këtu që ta shfaqin “Zogun e egër” të Marko Cemoviçit, xhemijetllinjtë në mënyrë demonstrative munguan. Ishim vetëm ne të krishterët që mbajmë lidhje miqësore me Dibrën. Nuk deshën ata të Xhemijetit të dëgjojnë se si Irfani, i biri i Ramadan Aga  Pustinës e madhëron luftën tonë për liri në rolin e togerit. Kurse Ramadanit kjo s’i pengon fare që përsëri të jetë mysliman i mirë. Prandaj u kanë thënë haptas dibranëve:

– Krejt, krejt, po fëmijët që i mësuat të flasin serbisht, këtë s’mund t’ua falim.

– Po, or Shabana të mallkuar, iu përgjigjën dibranët, po a nuk do të kishte qenë më mirë që edhe fëmijët tuaj të rritur ta dinë gjuhën zyrtare dhe tash t’i kemi nëpunës? (E njëjta dallavere që përsëritet sot këtu te ne. Shën. i përkthyesit).

Mirëpo xhemijetllinjtë e Shkupit shohin ëndrra se Kemali e ka forcën e Sulejman Madhështorit dhe duke sulmuar Vjenën do të kthejë pakëz në Shkup. Kur ta shohin se kjo është ëndërr, do të shkojnë në Azi.

Interesi i shtetit tonë është që sa më shpejt të çlirohet nga kjo barrë.
19. -X. – 923

LEXO PJESËN PARAPRAKE – SITUATA

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button