SITUATA

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve…

 

Në bregun e majtë të Vardarit mbretëron qetësi gjatë kohë. Lajmet për përleshjet me komitët pranë Sushicës dhe Manastiri i Gjurishit, me përjashtim të fshatit Sermenin, nuk janë të sakta. Edhe kjo nuk do të kishte ndodhur po të mos ishte larguar nga rrethi i Gjevgjelisë regjimenti patrullues me kërkesë të z. Andon Beshiroviçit, deputet i popullit. I paska penguar atij për realizimin e qëllimeve partiake! Vetëm pas disa ditësh u lëshuan komitët dhe i grabitën nja njëzet veta, njerëz nga paria e Sermeninit. Këtë fshat organizata bullgare e konsideronte si fshatin e vet më të fortë. Kur sot merr masa të tilla ndaj tij, domethënë se edhe ai fshat luhatej. Mirëpo partia vjen para shtetit dhe si duket deputetët popullorë e kanë krejt njësoj se cilës organizatë të huaj do t’i takojnë votuesit e tyre. Vetëm mandati të sigurohet. Kështu qëndron puna edhe në Sh. Nikollë, në Ovçe Pole. Atje është në burg kandidati i rrethit nga lista e z. Puzderlijeviçit si anëtar aktiv i organizatës bullgare. Dhe, bartësi i listës ka ardhur ta nxjerrë nga mjerimi. Në dorë e kishte edhe zhupanin e madh. Mirëpo papritmas këtë qëllim e kundërshtuan naçallniku i rrethit dhe autoritetet ushtarake. Z. Puzderlijeviçi u detyrua ta mobilizojë autoritetin partiak dhe t’ ngërmohet naçallnikut të rrethit në zyrë:

– Unë jam radikal, zotëri, dhe deputet i popullit!

– Edhe unë jam radikal, zotëri, dhe naçallnik i rrethit! iu përgjigj ky. – Jashtë nga zyra!

Tash po zhvillohet një kuvendim interesant, në të cilin, si gjithmonë, fitimtare do të dalë partia, kurse shteti humbës. Më në fund nëse është ndonjë farë zgjidhjeje të lëshohen të gjithë, atëherë le të lëshohen, mirëpo ndaj njerit të jeshë nënë, kurse ndaj tjetrit njerkë, kjo gjë politikisht nuk është urti.

Ajo që është dashur të bëhet para katër vjetëve, po bëhet tash: fshatrat organizohen. Dhe, kur e gjithë kjo i dorëzohet publikut nga ana zyrtare, atëherë le t’i bëjmë disa vërejtje. Së pari secili tip tjetër i organizatës, nëse nuk është ai i paraluftës ose ky që tash e kanë makedonstvujushçët, nuk do të japë rezultate. Kjo do të kishte qenë njësoj sikur përballë një ushtrie armiqësore të organizuar në mënyrë moderne ta nxjerrim ushtrinë tonë të sistemit i cili ishte në kohën e knez Mihajlos. Nuk ka ndonjë domethënie të madhe nëse ndonjë fshati i jepni dhjeta pushkë, kurse të nesërmen e sulmojnë pesëdhjetë komitë. Fuqinë e tij rezistuese e bën bashkimi, rrethi i cili në të shtënën e parë është i gatshëm të ndajë pjesën e nevojshme për mbrojtje. Prandaj vetëm ndarja e pushkëve nuk e zgjidh problemin e rezistencës së suksesshme. Shkojmë më tutje: njerëzit janë të prirë  për të mos punuar, për të mos qenë të kujdesshëm, iu pëlqen lezheriteti. Duhet patjetër të ketë njëfarë kontrolli mbi njerëzit, dhe ata që do ta bëjnë këtë punë nuk duhet ta lodhin kokën fare me mendime tjera. Mirëpo kjo hierarki luftarake nuk mundet të jetë policia. Le të jetë në ballë të qarkut naçallniku i qarkut në mënyrë që shteti ta ketë në duart e veta secilën nga këto bashkësi, ndërsa ata më të ulëtit kurrsesi. Se po u bë kështu, atëherë e gjithë puna do të sillet në po atë vend ku ishte këto ditë. Pastaj nëse armatimi bëhet me pushkë të përdorura ruse, më mirë është mos të shpërndahen armë. Shërbimi informativ duhet të zhvillohet deri në përsosmëri. Lidhjet duhet të mbahen gjithmonë dhe pa marrë parasysh çmimin. Sigurim duhet të ketë gjatë gjithë natës, jo si deri më tash. Edhe dënime si punë e brendshme e organizatës. Fundja, si do të rregullohet lëvizja e Carevosellës (Delçeva e sotme. Shën. i përkthyesit).

Para disa ditësh u zunë letrat të cilat dy udhëheqës i dërgonin komitetit të tyre përtej kufirit. Nuk ka aq rëndësi që në bazë të këtyre letrave u zbuluan edhe dy organizata, mirëpo përmbajtjen e kanë interesante. Lajmërojnë se tërë puna ka rënë në ujë, organizatat janë zbuluar, shumë njerëz janë arrestuar, armët janë marrë dhe nga kryengritja nuk del gjë prej gjëje. Ndërsa z. Qirkoviçi kërkon në klub që çetat të largohen. Kjo natyrisht është një llogari që të fitohen simpati te votuesit. Mirë do të kishte qenë sikur z. deputet i popullit të bënte edhe ndonjë kërkesë në pikëpamje të largimit të nëpunësve të korruptuar. Prandaj ne do t’i citojmë disa vende nga letra private e një komandanti të regjimenteve patrulluese (origjinali është te ne):

“Ti e di se ata kanë punuar këtu tridhjetë vjet dhe se kjo deri para pak kohësh ka qenë e tyre. Organizata e tyre është mjaft e fortë. Mirëpo me punë të ndërsjellë të të tri çetave tona ia dolëm që disa fshatra kryesore t’i bëjmë për vete. Më shumë me sjellje të mirë, me të paguar të ushqimit, e më pak me trysni. Kështu që fshatarët e fshatit B. vetë, më 17 të këtij muaji, i kishin zënë të gjallë dy komitë dhe i kishin dërguar në polici… Ne lëvizim këtu si edhe më parë. Thuajse nuk flemë fare, por gjithë natën rrimë nëpër prita në vende të dyshimta. Deri më sot gjithsej tri net kam qenë me njerëz nën kulm”…

Pastaj tregon se çfarë udhëzimi kishte marrë nga naçallniku i rrethit për disa njerëz të caktuar, pastaj vazhdon:

“Duke e ditur se këtu askush nuk është përpjekur që këtë popull ta bëjë për vete me të mirë, por gjithkush ka shikuar t’i nxjerrë telashe, ta burgosë dhe t’ia marrë lirat, nuk desha ta respektoj këtë udhëzim derisa nuk vërtetohem vetë… Kur arrita në K. Ç-ja tashmë e kishte rrethuar fshatin… Atëherë e mbajtëm një fjalim para të gjithë fshatarëve e u thamë se qëllimi i bullgarëve është paraja dhe se ata nuk mund të luftojnë kundër shtetit. I thirrëm më të dyshimtët dhe i pyetëm kush çfarë është. Menjëherë u veçua vojvoda dhe tetarët, e pranuan dhe i dorëzuan armët. Vojvoda i dorëzoi tri pushkë si dhe një të marrë nga organizata. Madje i çonte edhe fshatarët tjerë t’i dorëzojnë armët, ngase puna e organizatës kishte marrë fund. Armët e mbledhura ia dorëzova stacionit të xhandarmerisë. Ata njerëz nuk ia dorëzova naçellstvës sepse jam i sigurt se do të më duhen e do të më shërbejnë. Veçmas vojvoda i fshatit, sepse sa e dorëzoi ai pushkën, të cilën e kishte marrë prej organizatës, ai për të është i fshirë”.

            Pastaj vihet në dukje se si naçallniku i rrethit qenka hidhëruar pse s’ia paska dorëzuar këta njerëz, prandaj paska pyetur me rezignacion: “Për hesapin e kujt t’i arrestoj unë, kurse ai t’ua marrë lirat dhe t’i lëshojë”?

            Do të kishte qenë shumë mirë që z. Qirkoviçi të interesohet për këtë rast, nëse ende vlen audiatur et altera pars.

Supozoj se edhe ne të gjithë të cilët nuk bëjmë pjesë në klubin e shumicës së qeverisë, kemi të drejtë t’ia duam të mirën këtij vendi.

Turqit shpërngulen nga Ovçe Polja, kurse nga ana e Velesit pjesërisht. (Jeliçi e ka fjalën për dëbimin e shqiptarëve nga Velesi me rrethinë në kohën e tij. Shën. i përkth.).

 

                                                            2.

 

Në bregun e djathtë të Vardarit xhemijetllinjtë e kanë ngritur kryet para aranzhmanit me z. Pashiçin. Ibrahim Çerkezi, ish kryetari i komunës në Mitrovicë është larguar nga Shkupi. Dhe tashmë kanë nisur të vërehen pasojat e marrëveshjes. I besuari i agrarit, z. Protiçi është zhvendosur në Kumanovë. Dhespotit të qarkut, z. Jokanoviçit i kanë dhënë kumt që të japë dorëheqje ose do të përjashtohet. (Në bazë të cilit ligj do ta bënte këtë punë z. Janjiçi?) Por edhe sikur të pensionohet, prapë do të bëhet skandal, se nuk e eliminojnë atë për shkak të aferës së Mitrovicës sa për shkak të fjalimit të mbajtur në kuvendin e klerikëve në Shkup. Duke glorifikuar vdekjen e atyre dyqind e pesëdhjetë priftërinjve martirë, të cilët i kanë vrarë turqit dhe bullgarët, z. Jokanoviçi është shprehur në mënyrë të papërshtatshme për turqit, vrasës.  Kështu tash do të përzihet e do të ndiqet një dhespot ortodoks me kërkesë të xhemijetllinjve. Edhe sa vetë vallë do të goditen nga ato trembëdhjetë vota në parlament, do ta shohim këto ditë.

Azem Bejtës ende fshatarët ia ndërtojnë kullën me angari. Ua ka ndarë fshatrave punët dhe dikush i sjell gurë, dikush tjetër dru. (Trillim i autorit. Në kohën e Azem Bejtës e madje deri vonë, deri në fund të viteve gjashtëdhjetë, nëpër fshatrat shqiptare shtëpia e çdokujt ndërtohej me solidaritet. Kushdo që bënte shtëpi e kishte ndihmën e fshatarëve të tjerë, dikush sillte gurë, dikush dru etj. Ky solidaritet është një nga pjesët e traditës sonë, por edhe nga ngushtica ekonomike e kohës kur pushteti serb i eksploatonte pa mëshirë shqiptarët. Kështu që Azem Bejta nuk ka pasur nevojë për sigurim gurësh e drush përmes angarisë. Shën. i përkthyesit). Dy fshatra kishin vendosur mos ta dëgjojnë dhe kishin shkuar të ankohen te naçallniku i qarkut. Mirëpo ky kishte refuzuar të përzihej në këtë punë. Dhe puna vazhdon. (Prapë trillim, me qëllim që të arsyetohet gënjeshtra e mësipërme, përmes së cilës autori dëshiron ta nxijë personalitetin e Azem Bejtës).

            Pesëmbëdhjetë kaçakë e kanë sulmuar shtëpinë e Stevan Qukut, likas, kolonist. Dhe aty në periferi të Mitrovicës e kanë vrarë këtë plak gjashtëdhjetëvjeçar. (Shpifjet e këtilla të shtypit, pra, janë të moçme. Me fjalë të tjera, prej okupimit të tokave tona nga serbët, në vitet 1912/13 e gjatë gjithë kohës së kralevinës përsëriten avazet e njëjta, deri në ditët e sotme. Si në shtypin serb, ashtu edhe në atë maqedonas. Shën. i përkth.).

Udha Tregu i Ri – Mitrovicë është mbyllur plotësisht. Udhëtarët shkojnë kah Rashka. Shoqata tregtare nga Berani u ankua te Oda ekonomike në Shkup duke kërkuar të sigurohen udhët Mitovicë – Beran dhe Ibër – Beran, për shkak se çdo tregti është e pamundshme. Njëherësh u lut që shteti t’ua kompenzojë dëmin tregtarëve të plaçkitur, për shkak se janë njerëz me kapital të dobët, kështu që një plaçkë i shkatërron plotësisht.

Në Gjakovë u lëshuan nga burgu paria me Ismet Bej Kryeziun (autori e quan Cërnoglaviç. Shën. i përkthyesit). Duke gjykuar nga fakti se lirimi i tyre u bë pas largimit të z. Ranko Trifunoviçit nga Gjakova, do të kisha thënë se krejt kjo punë është e kurdisur. Por edhe stili në atë letër është i dyshimtë si dhe përmendja e Gurit të Shpuem famoz (Guri i Shpuem, toponim shqiptar në tokat e dikurshme shqiptare që tash janë diku në mes të Serbisë e në kohë të Turqisë paraqiste një nga pikat kufitare midis etnisë shqiptare dhe asaj serbe. Shën. i përkthyesit). Se të arrihet deri te Guri i Shpuem duhet shkatërruar armatën, e aq nuk është i trashë as Bajram Curri. (Jeliçi gjithmonë me përbuzje flet për njerëzit që s’u pajtuan kurrë me okupimin serb të tokave shqiptare, siç ishin, bie fjala Bajram Curri, Azem Bejta, Hasan Prishtina, Ferhat Draga etj. Shën. i përkthyesit).

            Diçka ngjashëm me këtë duhej të ndodhte edhe në Dibër. Atje prijës i arnautëve është Hafiz Sherifi. Ka disa ditë ai është radikal, e deri para do kohësh ka qenë demokrat (I tërë rrethi i Dibrës ka kaluar këto ditë në radhët e radikalëve vetëm që të shpëtojë nga terrori). Pra atij ia sollën një letër të gjatë të shkruar në gjuhën turke. Në letër nja tre oficerë shqiptarë i çojnë fjalë se janë të gatshëm, kurse ai të tregojë kur t’i bëjë përgatitjet. E shikoi ai letrën e tha:

– Kjo s’është për mua.

– Për ty është. Kështu më thanë.

– Jo, jo. Unë jam Hafiz Sherif Langoja. Ka edhe një hoxhë tjetër Hafiz Sherif që quhet e që është kryetar i klubit të Xhemijetit. Atij t’ia dërgosh ti këtë letër.

E kështu pra dështoi një aferë politike e trilluar në ndonjë farë truri të pazhvilluar. (Jeliçi nuk i tregon ato forca nëntokësore të cilat gjoja e kanë zënë letrën famoze. Ka të ngjarë edhe kjo të jetë ndonjë kurdisje e tij. Shën. i përkthyesit).

            Në qarkun e Tetovës është qetë. Ndoshta deri diku meritën për këtë duhet t’ia përshkruajmë edhe deputetit popullor nga radhët e Xhemijetit, krahas një regjimenti patrullues. Se Halim Bej Deralla kështu u shpreh në bisedën me z. Rade Lajtmanoviçin, shefin e filialës së Bankës hipotekare, të cilin e ka mik.

            – A të flasim sinqerisht? e pyet ky.

– Të flasim.

– Pse s’ka kaçakë në qarkun e Tetovës?

– Pse nuk lejoj unë.

– E pse ka në qarkun e Zveçanit?

– Për shkak se Ferhat Bej Draga i lejon.

– Atëherë mos ta zgjasim muhabetin.

Edhe Ministria e feve është dhënë pas partishmërisë. I ka dërguar një akt Mitropolisë me të cilin kërkon propozim që nga Shkupi të largohet pop Sava Jergiçi, se “i dëmton interesat tona kombëtare”. Ndërkaq nëse me të vërtetë ka diku nacionalistë, atëherë i pari është pop Sava. Ai jetën e ka kaluar në Berovë gjatë kohës së turkut duke iu prirë çetave tona dhe duke e mbajtur serbizmin në këto anë. Mirëpo ai është republikan. E pikërisht kjo, që s’ka sukses në zgjerimin e bindjes së tij, duhet të jetë arsye që të mbetet aty ku është. Se mund të vijë dikush i cili do të ketë sukses ta krijojë një deputet. E një punë e tillë këtu nuk është fare e vështirë.

Nga ana tjetër e kufirit këto ditë ka ndryshime. Para krizës së Rijekës Elez Isufi ka filluar të mbledhë “xhandarë”. I regjistronte, u jepte pushkë dhe nga gjashtë napolona paraprakisht në muaj, pastaj i lëshonte në shtëpi, me kusht që me ftesën e parë të jenë në Sllovë. I regjistroi kështu rreth një mijë njerëz. A e ka shpenzuar tërë kredinë apo jo, e dinë vetëm ata në Romë. (Edhe Jeliçi ka ditur gjithçka dhe gjithkush mund ta marrë me mend se si… Shën. i përkthyesit). Aqifi, vëllai i Halit Lleshit, për të cilin kam shkruar në Politikë se ka vrarë tre vetë, kur ia kishin  vrarë Halitin, e kanë lëshuar nga burgu në Peshkopi. Mirëpo meqë ia kishin kurdisur kurthin, ai ka ikur me vëllain tjetër në anën tonë.


 

LEXO PJESËN PARAPRAKE – NJË MOMENT I RËNDËSISHËM

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button