NJË MOMENT I RËNDËSISHËM

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve…

 

Edhe ndonjë ditë e ndoshta do të zbulohet edhe organizata e fundit bullgare në bregun e majtë të Vardarit. Partishmëria i ka mbrojtur qytezat (shembull Gjevgjelia) dhe aty do të mbetet edhe ndonjë vojvodë, tek-tuk. Po ushtri nuk do të ketë. Bota mendjelehtë, e terrorizuar, e pambrojtur fshatare ka qenë në këto organizata antishtetërore e mashtruar dhe e eksploatuar. Ka dhënë edhe të holla edhe qetësinë e paqen e shtëpive të veta ta prishë. Gjithnjë në rrezik ta humbë kokën nga kierarkia famoze e makedonstvujushçëve ose të bjerë në burg te autoritetet shtetërore. Vazhdimisht me kujdes që mos të merret vesh gjë, mos të ketë ardhur çeta, mos t’ia behin patrullat, mos të gjenden pushkë. I armatosur me atë maskën e shtirjes dhe të pasinqeritetit, si në kohë të turkut, ai popull me siguri vuante shpirtërisht. Më e keqja ishte se në këtë krizë s’kishte kush e ndërron ndonjë fjalë me të, t’ia lehtësojë shpirtin në këtë barrë dyshimi. Është njëfarë shteti atje në rreth i personifikuar në pandur që rri para zyrës së naçallnikut. Ky farë panduri tri herë do të çirret  para se ta hapë derën.  Pas asaj dere është një epror rrethi, një tip gjysmanalfabet, i cili në asnjë mënyrë nuk mund t’i thotë tri fjali me kryefjalë, kallëzues dhe me gjymtyrë të tjera të mbëhishme. Ky farë zotërie nuk e di prej kujt kërcëllojnë penat, shpalohen e palohen aktet, çka ka qenë dikur për neve manastiri i Lesnovës. As dhespot Oliveri, as ajo dhespotja e Duçiçit gjatë jetës së të cilës nuk ka pasur “borë në Ril, më të bardhë se duart e saj”.  Dhe, po të ishte ajo botë, të cilën e sundonte fisnikëria jonë. Pasardhësit e po atyre vëllezërve tanë. Ne kemi qenë në rrezik një herë që t’i humbim për shkak të partishmërisë. Dhe, po t’i humbim edhe një herë, kjo përsëri do të ndodhë për shkak të partishmërisë. Është një fuqi e organizatës shtetërore e personifikuar në forcë – kjo është ushtria në pikë të fundit. Kurse ai farë naçallniku i rrethit, edhe pse i kishte atributet e forcës ligjore, nuk e përfaqësonte forcën dhe është dashur të lëshohet deri në rolin e mikut, edukatorit, këshilltarit. Ai këtë nuk e kuptoi, prandaj e humbi betejën.

Madje e humbi turpshëm. Se çka meriton njeriu, të cilit ju ia besoni një pjesë të territorit, kurse ai lejon që dikush të futet nga shteti i huaj, dhe t’i organizojë njerëzit të gjithë, për këmbe si thonë, një nga një e për një, në këtë pjesë? Po vëlla, ku e ka mendjen e shëndoshë dhe instinktin e lindur që e kanë njerëzit, nëse shërbime informimi nuk ka pasur! Dhe, do të shihni: askush nuk do të jetë fajtor. Do të gjenden nja njëqind avokatë ta dëshmojnë këtë. Dhe, do ta shihni: askush nuk do të dalë fajtor, jo. Së paku dikush të kishte përgjegjësi, pak, vetëm pak, për gjendjen në rajonin e tij, e pastaj do të mendohej nga tri herë secili a ta pranojë shërbimin për të cilin nuk është.

Sa u paraqitën repartet tona patrulluese në hapësirën e rrezikuar, organizatat nisën të bien si dardha të pjekura.  (G. Matkoviçi ç’është e vërteta e kreu këtë punë më herët, po me këto metoda). Diçka me të mirë, diçka me forcë, zbuloheshin gjurmët. Ka pasur raste kur ndonjë fshat vinte vetë e lajmëronte: – Ja ku jemi. Të gjithë ne jemi në organizatë. “Od straf” (Nga frika). Ja sam pretsetnik, ovaj je rukovoditel, ovaj je blagajnik… Evo vam pushka, evo uniforme… (Unë jam kryetar, ky është udhëheqës, ky arkëtar… ja ku e keni pushkën, ja uniformën)…

– Po pse, bre?

– S’kemi pasur çare. S’kishte kush na mbron. Kurse tash ju jeni këtu. Shyqyr Zotit.

Ndodhi edhe një incident më i rëndë, mirëpo kush e shikon flakën, i erren sytë. (Z. Andon Beshiroviçi duhet të jetë më gjakftohtë, se me gjithë qëllimin më të mirë është në rrezik të komprometohet). Përndryshe nyja u zgjidh krejtësisht. Aksioni i komitëve u paralizua.  Nuk është mjaft e mbrojtur vetëm Plaçkovica, mundet përmes kufirit të futet edhe ndonjë çetë komitësh, të bëjë shpejt ndonjë krim dhe bythë me krye të kthehet. Mirëpo të endet, të mbajë tubime, të derdhë kërcënime poshtë e përpjetë – këtë s’mund ta bëjë. Në saje të partishmërisë nëpër qytete mund të ekzistojnë disa qerthuj, të shohin ëndrra, të kenë dëshira të fshehta, të konspirojnë, po të veprojnë praktikisht e prej këtij veprimi të ketë sukses – jo.

Jemi në përfundim të etapës së parë, por në fillim të asaj tjetrës kur duhet haptazi e qartazi të proklamohet se Jugosllavia është strumbullar, rreth të cilit do të mblidhen të gjithë sllavët e jugut. Kur makedonstvujuçët tonë do të luftojnë kundër separatistëve maqedonas. Nëse kjo luftë mbaron më shpejt dhe më volitshëm, aq më herët Bullgaria do të përcaktohet për politikën e jugosllavizmit. Ajo Bullgaria e moçme, e cila me plagët e saj ende të pambyllura gjermanofile u nis në fitim të dështimeve të reja italjanofile.

Për këtë arsye është me rëndësi të madhe ky moment i krijimit të bazës solide e kombëtare për punë të mëtutjeshme. Fakti se një organizatë do të shthuret, nuk do të thotë se nesër nuk do të ribëhet. Nesër kur ne sipas shprehisë që kemi do ta kthejmë kokën në anën tjetër, e do ta minimizojmë atë së cilës i kemi kushtuar aq kujdes për një kohë të gjatë, ata mund të jenë aty.

Detyrimisht duhet të punohet në dy drejtime. Krijimi i kontraorganizatave të tipit të shoqatave kombëtare të paraluftës, ku një disiplinë e fortë do t’i mbajë fuqimisht të lidhur anëtarët, e për këtë repartet patrolluese nuk është e thënë të tërhiqen. Ato me kohë duhet të plotësohen me vendas, derisa me kalimin e viteve të bëhen plotësisht të tyre. Në vendin e dytë populli duhet të arsimohet. Atë që nuk e ka bërë ai naçallniku i rrethit, duhet patjetër ta bëjë kuadri i tërë i njerëzve inteligjentë. Kurse ata të jenë fanatikë nacionalë, idealistë, nëse njerëz të tillë mund të gjenden në këtë gjeneratë. Këta duhet të shpërblehen mirë dhe të kenë mundësi ndonjëherë edhe të japin, kurse të marrin asnjëherë. Të respektuar nga ata të cilët e reprezentojnë shtetin, këta njerëz duhet të jenë pionierë të vëllazërimit dhe ushtarë të bashkimit. Ata duhet patjetër të duan dhe të fitojnë me dashuri, ndërsa prapa tyre duhet të qëndrojë forca e cila do t’i hiqte pengesat, të cilat mund ta rrënojnë dashurinë.

            Do të ketë dobi vetëm nga kontakti me popullin. – Duhet të futemi në dhembjet e tij të imëta, në hallet ekonomike të njerëzve të vegjël, në dëshirat e prindërve që t’i ngrenë fëmijët përmes shkollës dhe përmes progresit ekonomik. Në lidhjet farefisnore, në fshehtësitë qeverisëse, me të cilat me gëzim ndikohet te qytetarët kur pyetet për ndonjërin nga të afërmit me emër.

Këtij kontakti i frikësohej kjo organizatë separatiste. Nga një dokument i gjetur para katër vjetësh shihen udhëzimet që fëmijët të dërgohen në shkolla fillore, kurse në gjimnaze jo. Nëse nuk mund të studiohet jashtë vendit, atëherë të shkohet në Zagreb, ndërsa në Beligrad – kurrsesi. Jepen porosi të shkohet për profesione ekonomike, tregtare dhe teknike, kurse mos të shkohet në ato kombëtare. Ka ardhur puna deri aty sa të anashkalohet historia dhe etnografia, armiqtë e përbetuar të tezës së makedonstvujushçëve.

Pastaj, matanë kufirit ndikohej sa me mund të mos lidhen bashkëshorti midis femrave vendase dhe vëllezërve nga veriu. Dashuria midis një kapiteni dhe një shtipjaneje nuk mundet as këtyre ditëve ta sjellë fejesën. Vetëm xhandarët ishin trima më të mirë në këtë pikëpamje, po kishte mundësi edhe komanda t’u ndihmonte materialisht për martesë. Nga cila kredi? Nga ajo kredi të cilën e nxori një ministër i mençur i ushtrisë.

Është mirë që t’ua hedhim një sy punëtorëve të arsimit. Dhe, sa të paraqitet dëshira për mandat deputeti te ndonjëri syresh, atë arsimtar duhet ta eliminojmë menjëherë. Sepse nuk munden edhe shkolla edhe politika të përparojnë ndërsjelltas. Gjithmonë kjo situatë ka përfunduar tragjikisht për shkollën.

Kurse të gjithë të burgosurit për shkak të aferave të ndryshme duhet të lëshohen. Proceset nuk na shpijnë askund. Vetëm dënimi drastik aty për aty dhe në vend të ngjarjes mund të ndihmojë. Dhe ky dënim mund të aplikohet në organizatën e re, nëse dikush nuk i respekton rregullat, për të cilat është betuar. Ata njerëz nuk janë aq fajtorë sa jemi ne vetë. Këso gjërash kanë ndodhur vetëm në Turqi, e cila fajin e vet e pagoi me humbje të territoreve. Ne kaluam lirë kësaj radhe, prandaj është e drejtë të jemi zemërgjerë. Pse mos ta pranojmë se qëndrimi i keq i eprorëve është shkak që ushtarët nuk kanë luftuar mirë.

Mirë ama a do të ketë mend atje lart të kuptohet rëndësia e këtij momenti?

23. – IX. – 923


 

LEXO PJESËN PARAPRAKE – PARTISHMËRIA

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button